Oligarku Bashkim Ulaj në dosjen e ARRSH-së, SPAK në kërkim të parave të Thumanë-Kashar, aferat nga DH Albania tek skema me Dritan Agollin

Investigim

Publikuar: 23/12/2025

Oligarku Bashkim Ulaj në dosjen e ARRSH-së, SPAK në kërkim të parave të Thumanë-Kashar, aferat nga DH Albania tek skema me Dritan Agollin

Rreth 30 biznesmenë dhe të ashtuquajtur oligarkë rezultojnë në dosjen voluminoze të SPAK-ut për korrupsionin e ARRSH-së me tenderat e rrugëve. Oligarku Bashkim Ulaj, përfituesi më i madh i pasurive dhe parave publike (mbi 3 miliardë euro), rezulton pjesë e komunikimeve kompromentuese mes zv/kryeministres Belinda Balluku dhe ish drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, ku del në pah mekanizmi se si tenderat ndahen si llokma dhe me pazar në tavolinë për Bashkim Ulajn.

Komcensioni i denoncuar si korruptiv Thumanë-Kashar me vlerë 1.3 miliardë euro, me përfitues Bashkim Ulaj përmes Gener 2, del në pah si i paracaktuar dhe korruptiv në përgjimet e administruara nga SPAK-u. Nisur nga bisedat mes Ballukut dhe Berberit, hetuesit kanë dyshime të forta se pas këtij koncensioni qëndron një nga historitë më të frikshme korrupsioni, pastrimit të parave dhe manipulimit të procedurave tenderuese.

Sipas burimeve, SPAK po heton mashtrim e madh të dyshuar për ndërtimin e rrugës, ku kostja është më pak se 50 % e vlerës së deklaruar. Qindra milionë euro dyshohet se janë devijuar përmes transfertave dhe faturimeve fiktive, duke u ndarë më pas sipas roleve. Krahas parave cash dhe përmes sistemit bankar, Ulaj dyshohet se u ka dhënë këmbim edhe pasuri të paluajtshme zyrtarëve të lartë shtetëror që finalizuan koncensionin 1.3 miliardë euro.

Teksa paratë e taksapguesve shqiptarë kanë avulluar, rruga Thumanë-Kashar është jashtë çdo standardi, duke u kthyer në rrezik për drejtuesit e automjeteve. Ka një shkëputje në lidhje në pjesën urave, ndërsa shtresa asflatike ka nisur të lakohet për shkak të abuzimit me ngjeshjen, për të maksimalizuar fitimet dhe mbuluar vjedhjen e parave publike.

“Dua t’ju bëj me dije që kam vendosur ndërprerjen e procedurës së partneritetit Publik Privat për aksin Thumanë-Kashar. Hapësirën e konsiderueshme fiskale të këtij projekti qeveria do ta dedikojë në funksion të zbatimit e angazhimeve për Paktin e Universitetit, në fushën e infrastrukturës arsimore, qoftë asaj dixhitale dhe qoftë asaj fizike”, kështu do të deklaronte Belinda Balluku në janar 2019.

Por ky premtim jo vetëm që nuk  u mbajt, por shumë shpejt u zëvendësua me lidhjen e marrëveshjes koncesionare, me kushte akoma më të favorshme për Bashkim Ulajn.

Përveç kostove tepër të larta të ndërtimit prej 225.8 milionë euro për 21 km, koncesionari tashmë vendosi edhe një tra. Në fund të 35 viteve është parashikuar që koncesionari të përfitojë rreth 1.3 miliardë euro pa TVSH. Gjithashtu në kontratën e bërë publike shteti vendos edhe 22.8 milionë euro garanci për 8 vite nëse privati nuk mbledh të ardhurat e planifikuara.

Ky është pazari më i madh në kurriz të shqiptarëve. Se kush fshihet pas këtij pazari me djersën e shqiptarëve e tregojnë përgjimet në dosjen e SPAK-ut.

Ndërkaq, SPAK është duke verifikuar disa transferta parsh të kryera nga kompania 4 A-M jashtë Shqipërisë. Kompania ka përfituar qindra milionë euro tendera publikë. Pronar i kompanisë është Ardit Metaliaj, prestanome dhe derivat i Bashkim Ulajt.

Bashkim Ulaj përsëritës, afera 28 milionë me DH Albania

Në vjeshtën e vitit 2018, ish kreu i ARRSH Afrim Qendro, ish kreu i OST Klodian Gradeci dhe oligarku Bashkim Ulaj finalizuan një aferë korruptive me vlerë 28 milionë euro përmes kompanisë false dhe fantazmë DH Albania, të kamufluar në emrin e sportelistit të Bashkim Ulajt, Avdjol Dobi.

Afera korruptive nuk ishte e zakonshme, pasi ‘ustallarët shqiptarë’ kishin falsifikuar letrat sikur kompania e tyre ishte dega në Shqipëri e kompanisë amerikane Dunwell Haberman. 

Kokat e kësaj skeme korrupsioni dhe falsifikimi, oligarku Bashkim Ulaj, Afrim Qendro që firmosi një nga tenderat 18 milionë euro dhe Klodian Gradeci i OST, shpëtuan pasi SPAK nuk ishte ngritur ende.

(Gradeci u arrestua në Rinas më pas pasi akuzohej se ishte bërë pjesë e një skeme mashtrimi që shkaktoi një dëm prej 1.5 milion dollar në arkën e shtetit, por u lirua më pas dhe dosja u bitis).

Afrim Qendro vetëm sa u mor në pyetje si person që kishte dijeni, ndërsa Ulaj nuk u hetua.

Historia u mbyll me dënimin me 6 muaj burg të sportelistit të Ulajt, Avdjol Dobi, i cili në fakt nuk bëri asnjë ditë. Mbyllja e kësaj dosje është një histori më vete korrupsioni, e cila mbetet një sfidë për SPAK-un. 

Skema e korrupsionit / Dritan Agolli i FSHZH i dha tendera, Bashkim Ulaj i dha zyra për bizneset e gruas dhe djalit 

Kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli dhe oligarku Bashkim Ulaj janë përfshirë në një skemë korrupsioni me paratë publike. Dritan Agolli i ka dhënë kompanisë Gener 2 milionë euro tendera publikë. Në këmbim, bashkëshortja dhe djali i Dritan Agollit, Rovena dhe Flladi Agolli, kanë marrë zyra dhe apartamente te kullat në digën e liqenit, të ndërtuar nga firma “Gener 2” e Bashkim Ulajt. Në këtë firmë ka qenë i punësuar edhe Dritan Agolli për një kohë të gjatë, teksa “Gener 2” rezulton përfituesi më i madh i fondeve publike.

Bashkim Ulaj mbi 3 miliardë euro para e pasuri publike

Janë shifra gati të pabesueshme dhe marramendëse në raport me buxhetin vjetor të Shqipërisë, por letrat e përfitimeve dhe episodeve të korrupsionit janë zyrtare. Janë aty duke sfiduar barazinë para ligjit, interesin publik dhe drejtësinë e re, të cilës nuk i shpëton dot as ndonjë arkë peshk, kanal në Lushnje, autokombanjë, kec apo tollon nafte.

Oligarku i familjes Berisha, Bashkim Ulaj, është përfitues i parave dhe pasurive publike me vlerë mbi 3 miliardë euro, përmes tenderave dhe koncensioneve klienteliste, korruptive dhe me letra false, përmes lejeve të krimeve mjedisore për hidrocentrale në zona të mbrojtura, gurore dhe çimentoje, përmes zgrapjes së rrugëve kombëtare, kullave dhe ndërtimit të rrugëve që janë ndërtuar një herë, si aksi Milot-Thumanë etj.

Asnjë oligark dhe klient tjetër nuk i afrohet dot për përfitime Bashkim Ulajt, i cili jo rastësisht nuk lakohet kurrë nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, belot, bletët, mulët dhe zagarët e tyre mediatikë.

Bashkim Ulaj ka marrë me Rilindjen rreth 70 milionë euro tendera me kompaninë Gener 2. Tenderat për Baçin jepen duket ngrënë krudo dhe pirë verë të shtrenjtë 4-5 mijë shishja, ndërsa ARRSH, FSHZH dhe bashkitë e mëdha thjeshtë bëjnë letrat gati. SPAK le të hetojë një praktikat me flamur korrupsioni, ku fondi limit është sa oferta fituese, ndërsa nuk është zbatuar qoftë edhe një kontratë pa vjedhur me volumin e punimeve, devijimet nga projekti dhe cilësinë e punimeve.

Rreth 300 milionë euro tendera Bashkim Ulaj i ka marrë me kompaninë 4 A-M, të cilën e ka kaluar në emrin e Ardit Metaliajt. Kjo kompani është kapur disa herë me letra false dhe duke mashtruar me zbatimin e kontratave, por i ka shpëtuar gjithnjë ndëshkimit.

Ndërkaq, koncesioni i rrugës Thumanë -Vorë-Kashar do t’u kushtojë shqiptarëve 1.3 miliardë euro (1.56 miliardë euro me TVSH), ku përfitues është kompania e Bashkim Ulaj, i cili hyri në treg dhe pasurua nga mënga e Sali Berishës, kur erdhi në pushtet në vitin 2005.

Qindra milionë euro ka përfituar Bashkim Ulaj nga pushteti i PD dhe PS me leje korruptive për hidrocentrale në Valbonë, HEC-e në të gjithë Veriun, gurore, lumenj etj.

Bashkim Ulaj qëndron pas disa hidrocentraleve në Zallin e Qarishtës, hidrocentralit Suha e Sipërme, hidrocentralit “Suha”, Seta etj., krahas hidrocentraleve në Valbonë, që të gjithë në kundërshtim me ligjin dhe letra false, deri tek falsifikimi i firmave të banorëve të fshatrave.

Teci i Roskovecit është një tjetër aferë e denoncuar si korrutpive me përfitues oligakun pranë Familjes Berisha, Familje e cila si për ironi ogranizon protesta kundër korrupsionit qeveritar.

Përfitimet e oligarkut të Berishës nuk mbarojnë. Kafshimi i kondrave poshtë Krujës është bërë me gojën që nuk ngopet kurrë të Bashkim Ulajt, por me lejen e pushtetit të Berishës dhe më pas të Rilidjes.

Emri i tij lidhet me kulla dhe pallate, pazare për termocentrale, çarja e rrugëve të Shqipërisë me fibrat optike, shkatërrimin e Ranës së Hedhur, me krime të tmerrshme dhe të pariparueshme mjedisore si dhe me një plan për të marrë fushat e naftës.

Pesë apartamente te pallati në Rrugën Mustafa Matohiti dhe zyrën te kulla pranë stadiumit, janë vetëm një bakshish që Ulaj i ka dhënë Sali Berishës, i cili ishte i pari që futi duart e Baçit në pararë dhe pasuritë publike.

Por, çuditërisht, ato që Ulaj ka përfituar nga pushteti i Berishës, janë modeste në raport me aferat që Ulaj ka finalizuar pas vitit 2013, kur në pushtet erdhën socialistët.

Nuk ka dyshim se Bashkim Ulaj nuk do të merrte dot as pesë lekë pa lidhjet korruptive me qarqet pushteteve, pa ‘respektuar’ ata që bëjnë letrat e aferave, pa korruptuar drejtorë, kryebashkiakë, ministra, prokurorë dhe gjyqtarë, sidomos pa lidhjet klienteliste me Familjen Berisha.

Mund të lexoni;