Komisioni i Vetingut ka vendosur të shkarkojë nga detyra gjyqtarin e Tropojës, Sami Ujkashi, i njohur si ushtari i interesave korruptive të oligarkut Bashkim Ulaj, në biznesin shkatërrues të Valbonës.
Vendimi për shkarkimin e Ujkashit do të shpallet formalisht ditën e premte, në 28 korrik. Dosja e Ujkashit u prezantua dje në Komisionin e Vetingut.
Gjyqtari nuk ishte prezent. Ujkashi i shmangej përballjes me Vetingun prej disa muajsh me raporte mjekësore false.
Sa i takon gjetjeve nga hetimi nuk kishte supriza. Gjyqtari nuk kalonte asnjërin nga të tre kriteret: Pasuria, figura dhe profesionalizmi.
Në marifetet për të pastruar paratë që dyshohet se i ka krijuar nga aferat me çështjet gjyqësore, Sami Ujkashi ka arritur që t’i japë babait të tij para me fajde, konkretisht 80 mijë euro, me interes 7 %.
Ushtar i Bashkim Ulajt
Sami Ujkashi bën pjesë në rrethin e gjyqtarëve të rekrutuar nga Bashkim Ulaj për të mbrojtur interesat e tij korruptive, grabitjen e pasurive dhe parave publike.
Gjyqyari Ujkashi shfaqet në çështjen e përpjekjeve të oligarkut Bashkim Ulajt për të ndërtuar me çdo kusht dy HEC-e dhe betonizuar për interesa private Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës, një nga perlat natyrore të Shqipërisë.
Gjykata e Administrative të Apelit kishte vendosur ndalimin e punimeve ndërtimore për hidrocentralet e Valbonës si “masë sigurimi padie”, deri në zgjidhjen e çështjes me themel.
Bëhej fjalë për hidrocentralet Dragobia dhe Cerem në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës në Tropojë, të kompanisë “GENER 2”, me pronar biznesmenin Bashkim Ulaj.
Por, në fillim të vitit 2018, gjyqtari Sami Ujkashi urdhëroi bllokimin e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Apelit argumentin se kompania koncesionare ka marrë “në heshtje” nga qeveria një leje të re ndërtimi.
Ishte një rast i paprecedentë që një gjyqtar i shkallës së parë bllokonte zbatimin e vendimit të Apelit.
U desh një betejë gjatë gjyqësore dhe një vendim i Gjykatës së Lartë në vitin 2021, për bllokimin e punimeve dhe pezullimin e kontratës për hidrocentralet e Bashkim Ulajt në Valbonë.
Ky skandal ishte në dosjen e Vetingut.
“Subjekti ka disponuar për sigurimin e padisë, kur në fakt nuk ka pasur një padi. Vendimarrja e subjektit është në dëm të interesit publik dhe në kushtet e shkeljes disiplinore”, thuhet në dosje.
Nën hetim disiplinor
Krahas Vetingut, ndaj Ujakshit ka ndërkohë një hetim disiplinor nga ILD-ja pasi pengonte ekstradimet dhe u ulte dënimin të burgosurve, gjithnjë nën dyshimin e ryshfetit.
Sipas të dhënave hetimi disiplinor është bazuar në një vendimarrje për ulje dënimi dhe lirim në kundërshtim me ligjin për një person që ishte dënuar me 15 vjet burgim.
Njëherësh rasti në fjalë do gjykohet edhe për moszbatim të legjislacionit në dy episode ekstradimi, të cilat kanë sjellë dështimin e procedurës në Shqipëri.
Ujkashi ishte pezulluar nga detyra në vitin 2011 për shkak të aferave, por u rikthyer në punë në 2014-ën, duke vijuar avazin.