Astrit Patozi rikthehet në drejtimin e medias, njeriu që ka qenë më shumë vite kryeredaktor i gazetës “Albania” dhe gazetës “RD”, tashmë është rikthyer në drejtimin e një medie siç është televizioni “A2 CNN”, i oligarkut Bashkim Ulaj.
Ditën e sotme është bërë prezantimi i Astrit Patozit me stafin dhe detyra e tij do të jetë administrator i kompanisë.
“A2 CNN” është një thupër e Bashkim Ulajt, i cili e përdor për të mbrojtur zhvatjen e pasurive dhe parave publike.
Në 21 korrik të vitit 2021, Gjykata e Lartë vendosi pezullimin ndërtimit të HEC-eve mbi Valbonë nga kompania ‘Dragobia Energy’, deri kur të merret një vendim i formës së prerë për këtë çështje kaq të rëndësishme, e kthyer në një kauzë mjedisore kombëtare.
Vendimi, i perceptuar si një nga sinjalet e para të drejtësisë së re për shpëtuar Valbonën nga betonzimi, u firmos nga zëvendëskryetari Sokol Sadushi si dhe gjyqtarët Ilir Panda dhe Sokol Binaj, pjesë e trupës së re së gjyqtarëve të nivelit të lartë.
Kompania ‘Dragobia Energy’ është në pronësi të konglomeratit të ndërtimit “Gener 2”, pas të cilit qëndron Bashkim Ulaj, një nga përfituesit më të mëdhenj të parave dhe pasurive publike, si gjatë qeverisjes së PD, ashtu edhe gjatë qeverisjes së socialistëve.
Pas vendimit kundër betonimit të Valbonës, një nga mrekullitë natyrore të Shqipërisë, mbi Gjykatën e Lartë nisi një sulm i menjëhershëm. Sulmi u iniciua nga televizioni ‘A2 CNN’, përfshirë edhe platformën web.
Një ditë pas vendimit, në 22 korrik 2022, A2 CNN’, përmes një kronike televizive dhe artikulli, akuzonte Gjykatën e Lartë se merrte vendime të fshehtësi, duke referuar si rast edhe vendimin e për pezullimin e Hec-eve në Valbonë.
Në vijim, ‘A2 CNN’ vijoi sulmet dhe kritikat, duke nxjerr në skenë edhe avokatë, të cilët akuzonin Gjykatën e Lartë.
Investimi i këtij televizioni në sulmet ndaj Gjykatës së Lartë merr një tjetër rëndësi dhe dimension, pasi ‘A2 CNN’ mban logon e CNN në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është në një partneritet ekskluziv me CNN amerikan.
CNN në SHBA ka lidhje të forta me administratën e presidentit Joe Biden, i cili përmes Ambasadës Amerikane në Tiranë, mbështet fort Gjykatën e Lartë, pas reformimit.
Anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë janë emëruar falë trysnisë së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për rifunksionimin e pas shkarkimit të anëtarëve të mëparshëm nga organet e Vetingut si të korruptuar.
Po pse ‘A2 CNN’ në Tiranë u shqetësua dhe u kujtua se Gjykata e Lartë merrte vendime në fshehtësi pikërisht pas 21 korrikut 2021?
Kanali informativ ‘A2 CNN’ në Tiranë është në pronësi 100 % të kompanisë “GENER 2”, e cila ka në pronësi edhe kompaninë e HEC-eve në Valbonë.
Administrator i kompanisë “GENER 2” është pikërisht Bashkim Ulaj, i cili ka edhe maxhorancën e aksioneve. Konflikti i interesit në sulmet dhe kritikat ndaj Gjykatës së Lartë është i qartë.
Por, përpos konfliktit të interesit, Bashkim Ulaj përdor logon e televizionit presitgjoz amerikan CNN, për të sulmuar Gjykatën e Lartë, për interesat e tij private, në rasatin konkret për hidrocentralet e tij në Valbonë.
Historia nuk mbaron këtu, pasi në skenë del edhe Sali Berisha, i shpallur non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit në 19 maj 2021, për korrupsion madhor, pengim të drejtësisë dhe minim të demokracisë në Shqipëri.
Kur ish ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim, në emër të qeverisë amerikane, i kërkoi Lulzim Bashës përjashtimin e Berishës nga PD dhe Parlamenti, Berisha nisi një fushatë akuzash kundër zonjës Kim.
Duke u ‘shpallur luftë’ të gjithëve, në 5 gusht 2021, Berisha sulmoi edhe zëvendëskryetarin e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushin, me pretendimin se është fshehur Vetingu i tij, se ka probleme me pasurinë e etj. Akuzat kryesisht pa baza të Berishës në adresë të përfaqësuesve të drejtësisë së re janë të zakonshme, madje mediat, vetë organet e drejtësisë dhe faktori ndërkombëtarë, mbajnë një qëndrim indiferent ndaj këtyre sulmeve.
Megjithatë, në rastin konkret, sulmi i Berishës ndaj Sadushit gjeti pasqyrim në ‘A2 CNN’ të Bashkim Ulajt. Nuk dihet nëse kemi të bëjmë me një koordinim për të vënë nën presion Gjykatën e Lartë apo thjeshtë me përdorim të akuzave të Berishës kundër gjyqtarit që firmosi për bllokimin e HEC-eve, por Bashkim Ulaj ka qenë një klientët kryesor të qeverisë Berisha.
Me emrin e tij lidhen përfitime marramendëse gjatë qeverisjes së PD, që nga licencat për fabrika çimentoje, hidrocentrale, parkingje, koncesione, tendera për ndërtim rrugësh, çarjen e të gjitha rrugëve të Shqipërisë për shtirë linjat private optike, leje për pallate etj.
Pas rrëzimit nga pushteti në 2013, Berisha u zhvendos me zyrë pikërisht në një nga pallatet e Ulajt. Teksa Partia Demokratike me në krye Lulzim Bashën sa vinte e i largohej pushtetit, Bashkim Ulaj nisi të afrohej me qeverinë e socialistëve, duke u shndërruar një nga përfituesit kryesorë të parave publike, shpeshherë përmes tenderave të dyshimtë me Gener 2 apo me kompani të tjera të dyshuara si të kontrolluara prej tij.
Kjo zhvendosje e Ulajt duket se krijoi nervozizëm tek Lulzim Basha, i cili mars të vitit 2021, përmes degës së PD-së Vlorës, denoncoi në SPAK një tender të fituar nga Gener 2, sipas PD-së, në mënyrë të paligjshme. Tenderi ishte zhvilluar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili kishte shpallur fituese kompaninë Gener 2, me ofertë rreth 1.6 miliardë lekë të vjetra më tepër se oferta e kompanive të tjera, të përjashtuara si jo të ‘suksesshme’.
Kompani ‘Gener 2’ e Bashkim Ulajt ka marrë tendera me vlerë dhjetëra milionë euro, kryesish pa konkurrencë, pas skandalit me kompaninë Dh Albania me tenderin e Unazës së Madhe, e cila mashtroi duke pretenduar se ishte dega në Shqipëri e kompanisë amerikane Dunwell Haberman, kur në fakt dokumentet treguan disa lidhje pikërisht me kompaninë ‘Gener 2’.
Pavarësisht këtij sinjali të Bashës, Sali Berisha nuk artikuloi kritika ndaj Bashkim Ulajt dhe veprimtarisë së tij, pasi Ulaj konsiderohet një biznesmen i Familjes Berisha, madje ka dyshime të forta se Ulaj është një maskë e Sali Berishës, ashtu siç është Irfan Hysenbelliu maskë e Ilir Metës.
Në vijim, Bashkim Ulaj fitoi në mënyrë të dyshimtë koncensionin me të shteenjtë në historinë e Shqipërisë, Milot-Fier, me kosto 1.2 milionë euro që do të dalin nga xhepat e shqiptarëve.
Është një nga rrugët më të shtrenjta në Evropë, në një terren fushor dhe të qëndrueshëm dhe pjesërisht në rrugë ekzistuese.
Pronarët e tokave ku kalon rruga po dëmshpërblehen me 350 lekë m2.
Heshtja e Sali Berishës për këtë aferë është e kuptueshme.