Lidhjet korruptive / Andrija Kojaković, ‘Ali Baba’ i kinezëve të Bankersit për plaçkitjet e fundit. Vijon largimi i parave jashtë vendit. Pse SPAK nuk tërheq dosjen e vjedhjes së 6 miliardë eurove?

Investigim

Publikuar: 12/09/2025

Lidhjet korruptive / Andrija Kojaković, ‘Ali Baba’ i kinezëve të Bankersit për plaçkitjet e fundit. Vijon largimi i parave jashtë vendit. Pse SPAK nuk tërheq dosjen e vjedhjes së 6 miliardë eurove?

Pas goditjes së kontrolluar, sipërfaqësore dhe selektive nga Prokuroria e Fierit të organizatës kriminale Bankers, duke arrestuar administratorin dhe pronarin në letra kinez Hongping Xiao, pronarët realë të kompanisë caktuan me shpejtësi zëvëndësuesin, si t’a kishin nën tavolinë, për të udhëhequr fundin e operacionit të vjedhjes më të madhe në historinë e kombit shqiptar.

Ai është Andrija Kojaković, i prezantuar nga pronarët e maskuar si ‘personi i duhur për vijimin e bashkëpunimit me qeverinë shqiptare si dhe për sqarimin e situatës’. Me fjalën ‘situatë’ i referohen zhvatjes së 6 miliardë euro. (Të ardhurat e kompanisë zhvatëse nga nafta janë rreth 6 miliardë euro, ndërsa shpenzimet (fiktive) rreth 7 miliardë euro).

Përmes shpenzimeve fiktive janë përfituar edhe qindra milionë euro rimbursim TVSH-je. Jo vetëm janë devijuar fitimet dhe shmangur taksat, por kanë futur edhe duart në arkën e shtetit, përmes TVSH-së. Kjo plojë me pasurinë nëntokësore të Shqipërisë konsiderohet nga ‘ustallarët’ e Bankers ‘situatë‘.

Po kush është Andrija Kojaković dhe si po e sqaron situatën?

Kroati Andrija Kojaković është një nga duart dhe sekserët e rrjetit gjysmë të fshehtë kinez, i cili operon me plaçkitjen e naftës në Ballkan. Faktet kanë treguar se rrjeti kinez i naftës operon ngushtë me ambasadat kineze në vendet përkatëse, por edhe me aktorë të rekrutuar vendas. (Për shembull: Ambasada Kineze në Tiranë jo vetëm është përfshirë drejtëpërdrejtë në pastrimin e parave të Bankers me aktivitete të fryra dhe fiktive, por ambasadorja kineze Pang Chunxue rrethoi Gjykatën e Apelit, gjatë seancës së vlerësimit të masës së sigurisë, në përpjekje për të ushtruar presion për lirimin nga burgu të Hongping Xiao).

Andrija Kojaković, i cili po udhëheq punën e lënë në mes nga Hongping Xiao, duke kaluar paratë jashtë vendit me kompani fantazmë, ka qenë ambasador i Kroacisë në Kinë, kohë gjatë të cilës besohet se ka hyrë në lidhje me grupin kinez, i cili herë del në offshore, herë me prestanome si Hongping Xiao. Kroati, i skeduar për lidhje me kompani të regjistruara në parasja fiskale, ka qenë pjesë dhe ka bashkëpunuar edhe me Shoqatën e Shkëmbimit me Jashtë të Kinës.

Andrija Kojaković, ka qenë drejtor ekzekutiv i kompanisë kroate të naftës INA-Industrije Nafte d.d, një derivat ruso-kinez, e përfshirë në skandale financiare dhe mashtrim me pasoja të rënda, me vlerë qindra milionë euro. Kompania e drejtuar nga Kojaković ka qenë objekt hetimesh dhe arrestimesh masive nga USKOK, një strukturë e ngjashme me SPAK-un në Shqipëri.

Aksioneri kryesor i kompanisë së naftës kroate INA, e skeduar për krime financiare, është kompania hungareze e naftës dhe gazit MOL me 49.08 % të aksioneve. MOL, që i bleu aksionet e INA për 500 milionë euro, është kanali i furnizimit të një pjese të Evropës me naftë ruse, ndërsa njihet për bashkëpunimin e ngushtë me CEZ-in e çekëve, të cilët finalizuan një aferë korruptive 500 milionë euro në Shqipëri, por edhe me OTP Bank, një tjetër tentakulë e oligarkëve të Putinit.

Kompania hungareze MOL, me aksionerë shumëkombësh, është përfshirë në kontrabandë masive nafte me komapnitë ruse dhe kineze, nëpërmjet tubacionit Druzhba. Në vitin 2019, u zbulua futja e 60 mijë ton naftë të ndotur, që ndalohej me ligj. MOL Group është konsideruar si një urë e rëndësishme mes Hungarisë nën drejtimin e Viktor Orban dhe linjës Rusi-Kinë, raport që është një shqetësim i vazhdueshëm i Perëndimit.

Andrija Kojaković është një nga fijet e këtij zgjatimi ruso-kinez në Ballkan. Kojaković është Central European Oil Company, një kompani e përfshirë në pastrim parash, devijim fitimesh, lidhje me kompani në offshore dhe dallavere financiare. Ka dyshime të forta se Kojaković është dora që fshihet pas një karteli kompanish fantazmë, derivate të Bankersit, të përdorura nga kinezët për vjedhjen dhe njëkohësisht largimin e qindra milionë euro nga Shqipëria.

Caktimi i Kojaković si pasardhës i Hongping Xiao është i mirëmenduar dhe me synime të qarta; Maksimalizimin e plaçkës së fundit para largimit nga Shqipëria.

Teksa nga njëra anë Andrija Kojaković shprehet se është gati të t’i paguajë shtetit shqiptar gjobën 100 milionë euro të konfirmuar nga Arbitrazhi për shpenzimet e manipuluara dhe se ka vullnet të bashkëpunojë me drejtësinë për ‘gropën’ 6 miliardë euro, nga ana tjetër kroati i kinezëve vijon makinacionet kriminale të zhvandosjes së parave jashtë vendit, përmes kontrave fiktive.

Në një kohë kur krimi i madh ekonomik është në dinamikë dhe vijon tjetërsimi i pasurive produkt i pastrimit të parave, SPAK vijon të qëndrojë indiferent, duke mos administruar një dosje, e cila nuk është në kompetencë të Prokurorisë së Fierit, por në tagër të SPAK, pasi kemi të bëjmë me grup të strukturuar kriminal, me korrupsion sistematik pasiv dhe me implikim të funksionarëve të lartë publik.

Implikimi i Ambasadës Kineze

Për të shpenzuar paratë që duhet t’i derdhte në buxhetin e shtetit, kompania e naftës Bankers ka sajuar lloji-lloji banaliteti, deri edhe tek organizimi i konkurseve për mësimin e gjuhës kineze, duke kaluar nga puset e naftës tek gramatika. Disa aktivitete i ka realizuar në bashkëpunim me Ambasadën Kineze.

Për vite me radhë, Bankers ka financuar gjoja nxitjen e mësimit të gjuhës kineze, duke mbuluar me para Institutin Konfuci dhe Ambasadën e Kinës, ndërsa pagesa kanë marrë edhe mediat për të transmetuar këto aktivitete qesharake, pjesë e skemës së korrupsionit dhe pastrimit të parave. Miliona euro janë devijuar dhe pastruar përmes mësimit të gjoja gjuhës kineze për 7 vite me radhë.

Në prill të vitit 2022, Qing Fang, asokohe CEO i Bankers, i cili zbatoi aq sa qëndroi skemën e zhvatjes së pasurisë nëntokësore të Shqipërisë, fliste për financimin nga Bankers të përhapjes së kulturës kineze në Shqipëri. “Bankers është një nga kompanitë më mëdha dhe më të rëndësishme në vend. Ne jemi shumë të lumtur që po ndihmojnë në përhapjen e dijeve dhe kulturës kineze në Shqipëri, që është një nga kulturat më të lashta të njerëzimit“.

Në gusht të vitit 2002 u larguar Qing Fang dhe në vend të tij u emërua si administrator i Bankers Huanqin Xiau, një nga hajdutët e huaj më të frikshëm që ka hyrë ndonjëherë në Shqipëri. Huanqin Xiau, i besuar i pronarit në letra Hongping Xiao, i arrestuar me kërkesë të Prokurorisë.

Në vitin 2023, Huanqin Xiau, i cili i kishte vënë vetes pagë 1 milionë euro në vit, komentonte konkursin e radhës për gjuhën kineze. “Jam shumë i lumtur që shoh kaq shumë të rinj këtu të interesuar për të mësuar Gjuhën Kineze dhe që e flasin aq mirë atë. Kina është një vend i madh plot kulturë dhe histori dhe ka një gjuhë unike që është mjaft sfiduese për t’u mësuar. I uroj shumë suksese këtyre të rinjve në përpjekjet e tyre të ardhshme“.

Skema u përsërit edhe në maj të vitit 2024, ku u shfaq sërish Huanqin Xiau, ndërsa u ndalua kur kupola zhvatëse mësoi për hetimet që kishte nisur prokuroria.

Për vite me radhë, Bankers ka bërë kërdinë me pasurinë e shqiptarëve. Vetëm gjatë vitit 2021, në kuadër të shpenzimeve për të mos paguar taksa, kupola e Bankersit ka shpenzuar 460 mijë euro për festa, dekorime dhe akomodime.

Bankers ka shpenzuar deri në 500 mijë euro në vit për të paguar mediat, që të mos denoncojnë aferat korruptive të kompanisë dhe protestat ndaj saj. Për sigurime shëndetësore në spitale private shpenzimet janë 374 mijë euro në vit.

Dhjetëra milionë euro ka shpenzuar Bankers për shërbime ligjore, konsulencë dhe udhëtime. Kupola e kompanisë ka sajuar qindra mijëra euro për ping-pong, konkurse vizatimi, dhurata, veshje sportive, kalçeto etj.

Për më tepër mund të lexoni

Ekipet tona ligjore janë plotësisht të përgatitura për të punuar së bashku me institucionet përkatëse shqiptare për të siguruar ekzekutimin gjithëpërfshirës të këtij vendimi, në përputhje me standardet ndërkombëtare për të mbrojtur investimet e huaja dhe për të siguruar zbatimin me sukses të një projekti kryesor energjetik në Evropën Kontinentale, që pasqyron interesat e përbashkëta kombëtare dhe strategjike të Shqipërisë.

Hongping Xiao rezulton kordinator i skemës së zhvatjes së pasurisë nëntokësore shqiptare, përmes fryrjes së shpenzimeve me faturime fiktive, manipulimit të bilanceve, fshehjes së kontratave, vjedhjes me skemën e TVSH-së, shmangies së taksave, blerjes së mediave, pastrimit të parave etj.