Kush është llogaritari nga Lushnja Mirgen Dervishi që përlau 4 milionë euro nga Bankers me fatura fiktive dhe ku i ka çuar paratë

Investigim

Publikuar: 09/08/2025

Kush është llogaritari nga Lushnja Mirgen Dervishi që përlau 4 milionë euro nga Bankers me fatura fiktive dhe ku i ka çuar paratë

Në gropën 6 miliardë euro të vjedhjes së pasurisë publike nga Bankers kanë dalë zbuluar oligarkë nafte, biznesmenë, ish ministra, ish deputetë, ish drejtorë, avokatë, noterë, ekonomistë etj., ku secili ka futur në xhep shuma parash përmes sistemit bankar me vlerë nga qindra mijëra euro deri në dhjetëra milionë euro. Pjesë e kësaj çete hajtutësh rezulton edhe një llogaritar nga Lushnja Mirgen Gëzim Dervishi, i cili ka përlarë 4 milionë euro me fatura fiktive në harkun kohor 2023-2024.

Episodi i llogaritarit Mirgen Dervishi është sa banal aq edhe flagrant dhe sfidues për SPAK, pasi Prokuroria e Fierit nuk e ka vendosur para përgjegjësisë penale, siç ka lënë jashtë edhe ‘ustallarët’ si Alket Hyseni, Idajet Ismailaj, Endri Puka, Behar Çukaj, Baki e Fatos Sina, Frident Kuqi, Artur Çobo, Antigoni Çobo, Eltar Deda, Erjola Aliaj, Besnik Çerekja, Anila Denaj, Besnik Mustafaj si dhe zyrtarët dhe ish zyrtarët që kanë lejuar prej 20 vitesh zhvatjen me letra të pasurisë nëntokësore shqiptare.

Mirgen Dervishi ka hapur një nipt (M12123034E) me objekt adutime ligjore të pasqyrave financiare, ka marrë 4 milionë euro nga Bankers me fatura fiktive, pra pa bërë asgjë, dhe më pas e ka mbyllur ‘biznesin’. Paratë i ka kaluar më pas në disa kompani të tjera, duke pastruar në blerje të pasurive të paluajtshme.

Ky personazh sillet nëpër Tiranë dhe vijon zbatimin e skemave të tjera të mashtrimit. Në vitin 2013, Dervishi rezulton pjesë e një grupi kriminal në Tatime që vepronte në fushën e mashtrimit me pasoja të rënda me skemën e TVSH-së, bashkë me ish-drejtorin Rajonal Tatimor të Tiranës, Ismail Muça. Në 11 raste të tatimit të kthyer ndaj bizneseve në mënyrë abuzive, vjedhja në buxhetin e shtetit ishte rreth 5 milionë euro.

Grupi u akuzua për vjedhje duke shpërdoruar detyrën dhe pastrim parash, por pas dy vitesh që të gjithë i shpëtuan ndëshkimit. Pas thyerjes së sistemit të drejtësisë, Mirgen Dervishi hapi një kartel kompanish fantazmë, në funksion të skemave të mashtrimit dhe pastrimit të parave. Po pse Bankers i dha 4 milionë euro llogaritarit Mirgen Dervishi?