Frident Kuqi i ‘Eidës’ furnizon skafet pa faturë, ndërhyrje për mbylljen e dosjes, qarkulloi paratë e vjedhura nga Bankers. A e ka futur SPAK në shenjestër për kontrabandë, pastrim parash dhe grup kriminal?

Investigim

Publikuar: 11/08/2025

Frident Kuqi i ‘Eidës’ furnizon skafet pa faturë, ndërhyrje për mbylljen e dosjes, qarkulloi paratë e vjedhura nga Bankers. A e ka futur SPAK në shenjestër për kontrabandë, pastrim parash dhe grup kriminal?

Në qershor të këtij viti, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Himarë konstatuan një bot të kompanisë “Eida” me 6000 litra benzinë, duke furnizuar mjetet lundruese pa faturë. Policia procedoi dy punonjës të bosit të naftës Frident Kuqi, duke shmangur këtë të fundit, i cili dyshohet se qëndron pas një prej skemave të zhvatjes së shtetit, përmes shitjes së karburantit pa faturë fiskale.

Policia e ka referuar rastin në Prokurori, aty ku mbyllen dhe bitisen lehtësisht krimet ekonomike. Sipas burimeve, Prokuroria jo vetëm nuk i ka shtrirë hetimet drejt bosit Frident Kuqi, por ka ndërhyrje korruptive dhe të paligjshme për të shpëtuar edhe dy punëtorët e karburantit.

Pikërisht për këtë aktivitet të paligjshëm, si dhe për kontrabandë të dyshuar nafte prej vitesh dhe pastrim parash, ushtruar në formë e grupit kriminal, biznesmeni Frindet Kuqi mësohet se është pjesë e një dosje të SPAK. Dëmi ekonomik nga ky aktivitet kriminal ekonomik prej vitesh besohet se është dhjetëra milionë euro.

Ndërkaq, përmes kompanisë EUROPETROL DURRES ALBANIA (ish “Europetrol SG Sh.a”), biznesmeni Kuqi, vetëm gjatë 5 viteve të fundit, ka përfituar mbi 12 milionë euro para publike, përmes tenderave me natyrë klienteliste, të paracaktuar dhe me ofertë fituese sa fondi limit për furnizim me karburant.

Bosi tjetër i naftës Frident Kuqi, pronar i kompanisë Eida, rezulton i përfshirë në mënyrë të tërthortë edhe në ‘gropën’ 6 miliardë të Bankers Potroleum me pasurinë nëntokësore të Shqipërisë. Kompani të kontrolluara nga biznesmeni Kuqi janë përfshirë në transaksione qindra mijëra euro me kompanitë e Leonidha Çobës, ish administrator i Bankers, i denoncuar nga vetë Bankers për vjedhjen e 100 milionë eurove me faturime fiktive. Pasi Bankers përzë në vitin 2019, Loni nis të faturojë qindra mijëra euro për kompani që kontrollohen nga Frident Kuqi, sipas prokurorisë, në mënyrë fiktive, pasi kompanitë e Lonit rezultojnë pa asnjë punonjës, pra fantazmë.

Frident Kuqi është një personazh me precedentë penalë, me histori pengmarrje. Kuqi ka denoncuar edhe lidhjet e Sali Berishës me Rezart Taçin në Ambasadën Amerikane, por pas rënies së Taçit, sot në kërkim ndërkombëtar, Kuqi është lakuar për financim të Familjes Berisha. Ai nuk është përmendur kurrë nga Berisha, i cili nuk lë njeri pa përgojuar, me përjashtim të atyre që paguajnë te Shkëlzeni.

Në dosjen e Prokurorisë nuk ka një hetim se pse bosi i Eidës i jep para Leonidha Çobës, pasi ky i fundit është larguar nga Bankers. Një përgjigje të tillë mund t’a japë vetëm SPAK. Hetimi i Prokurorisë Fier është tejet i cekët, i mangët dhe i dobët në raport me dosjet e SPAK-ut. Ka gjasa se Loni i Bankersit, gjatë drejtimit të kompanisë, ka bashkëpunuar dhe favorizuar oligarkët e naftës në dëm të shtetit shqiptar, të cilët më pas ia kanë kthyer reston duke e paguar me fatura për shërbime imagjinare. Ka indicie që Bankes u ka dhënë naftë jashtë standardeve bosëve të karburanteve, të cilët më pas e kanë shitur si naftë D1.