Kjo është Flavia Capo (Dhima) që fshihte e manipulonte të dhënat financiare të Bankersit, koordinohej me ish burrin e Arbana Osmanit, dhjetëra milionë euro u zhdukën nga Shqipëria

Investigim

Publikuar: 07/08/2025

Kjo është Flavia Capo (Dhima) që fshihte e manipulonte të dhënat financiare të Bankersit, koordinohej me ish burrin e Arbana Osmanit, dhjetëra milionë euro u zhdukën nga Shqipëria

Hetimi i Prokurorisë së Fierit për aferën 6 miliardë euro të Bankersit me naftën shqiptare, ndonëse i cekët dhe mangët, tregon qartë se si një organizatë kriminale me kinezë dhe shqiptarë ka zhvatur pasurinë nëntokësore të shqiptarëve, në bashkëpunim me drejtuesit e shtetit shqiptar. Të ardhurat e kompanisë zhvatëse nga nafta janë rreth 6 miliardë euro, ndërsa shpenzimet rreth 7 miliardë euro. Shpenzimet janë fryrë jo vetëm për të mos paguar taksa, por edhe për të marrë para nga buxheti i shtetit, me skemën e TVSH-së.

Në dosjen hetimore në pah del zonja Flavia Capo (Dhima), si personazhi kyç që fshihte dhe manipulonte të dhënat financiare të Bankers, në funksion të mashtrimit të madh, fryrjes së shpenzimeve dhe devijimit të fitimeve. Flalia Capo (Dhima) ka ushtruar prej vitesh funksionin e drejtoreshës së Kontrollit Financiar pranë Bankers Petroleum Albania.

Sipas dosjes, e cila duhet të shërbejë si një provë për SPAK-un, Flavia Capo ka manipuluar prej vitesh të dhënat financiare të kompanisë Bankers, në funksion të skemës së vjedhjes së madhe nga një çetë hajdutësh kinezë dhe shqiptarë. Zonja paguhej me 13 mijë euro në muaj nga Bankers.

Flavia bashkëpunonte me shefin e financës së “Bankers Petroleum Albania”, Ardit Keron, ish bashkëshorti i Arbana Osmanit, për t’i fshehur Tatimeve kontratat korruptive të Bankers me kompanitë që përdoreshin nga kinezët për të vjedhur paratë. Pas Hongping Xiao dhe Lonit, Kero konsiderohet me rolin më të rëndësishëm në skemën e mashtrimit të madh.

Qindra milionë euro ndaheshin mes kinezëve dhe shqiptarëve. Kinezët i përvetësonin paratë përmes një rrjeti kompanish fantazmë, të regjistruara jashtë vendit, të cilat lëshonin fatura fiktive për Bankers. Hajdutët shqiptarë i përvetësonin paratë me të njëjtën formë, por me kompani fantazmë brenda vendit.

Diona Goga dhe Majlinda Thana kanë bashkëpunuar me Flavia Capon për të zbatuar skemën e mashtrimit të madh financiar nga Bankers. Zonjat rezultojnë të besuara për ‘ustallarët’ e Bankersit.

Dallaveret financiare nuk mund të finalizoheshin pa dorën e Matilda Ibraliut, me detyrë menaxhere finance pranë Bankersit. Zonja Ibraliu rezulton ‘fabrika’ e faturave fiktive të Bankersit për vjedhjen e qindra milionë euro.

Ceo i Bankers Hongping Xiao ishte shumë i interesuar që aferat e kompanisë të mos dilnin në media. Kur ndodhte ndonjë skandal dhe që nuk duhej të publikohej në media, hajduti kinez fliste edhe me Doina Goga, pjesë e departamentit ligjor të Bankers.

Hongping Xiao e pyeste zonjën Goga nëse ishin në rregull kontratat e kompanisë me mediat kryesore. Doga është marrë nën hetim si pjesë e bandës Bankers për veprën penale të krijimit të skemave të mashtrimit.