Në 4 muaj futën në Shqipëri 30 mln euro cash, zbardhen detaje nga dosja e megaoperacionit të SPAK

Kronike

Publikuar: 17/06/2026

Në 4 muaj futën në Shqipëri 30 mln euro cash, zbardhen detaje nga dosja e megaoperacionit të SPAK

Detaje të reja kanë dalë nga dosja e megaoperacionit të SPAK kundër trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimit të parave, ku zbulohet se vetëm në një periudhë katërmujore janë futur në Shqipëri rreth 30 milionë euro cash, të ardhura nga aktiviteti kriminal.

Sipas materialeve hetimore, paratë e përfituara nga trafiku i kokainës fshiheshin në mënyra të ndryshme, duke u groposur në fuçi 50-litërshe, duke u fshehur në muret dhe ndarjet e apartamenteve të blera për këtë qëllim, si dhe duke u investuar në lingota ari.

Me interes në dosjen e SPAK është edhe roli i Salvadore Aliut, i shpallur në kërkim dhe ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”. Nga komunikimet e zbardhura në platformën e koduar Sky ECC, rezulton se ai drejtonte një grup kriminal të përfshirë në trafikun e kokainës dhe menaxhimin e fitimeve të krijuara nga ky aktivitet.

Sipas të dhënave të siguruara nga Euronews Albania, fitimet arrinin në miliona euro brenda periudhave të shkurtra kohore. Hetimet tregojnë se gjatë periudhës gusht-nëntor 2020, në Shqipëri janë futur mbi 30 milionë euro cash.

Nga dosja hetimore rezulton se Isa Aliu, vëllai i Salvadore Aliut, kishte rolin e administratorit të parave të drogës në Shqipëri. Ai merrte dhe menaxhonte shumat e dërguara nga bashkëpunëtorët e rrjetit kriminal, mbante shënime për pagesat dhe informonte vazhdimisht vëllain e tij për gjendjen e parave.

Sipas SPAK, më 30 gusht 2020, Isa Aliu informonte Salvatore Aliun se dispononte 6 milionë euro cash, ndërsa më 15 shtator 2020 kjo shumë kishte arritur në 9.8 milionë euro. Në një tjetër komunikim, më 13 shtator 2020, Salvatore Aliu i konfirmonte se do të merrte edhe 20 milionë euro të tjera.

Bisedat e zbardhura tregojnë se dy vëllezërit diskutonin edhe për mënyrat e fshehjes dhe investimit të parave. Një nga opsionet ishte blerja e lingotave të arit, ndërsa në raste të tjera sugjerohej groposja e shumave në fuçi ose fshehja e tyre brenda apartamenteve të blera posaçërisht për këtë qëllim.

Hetuesit kanë dokumentuar gjithashtu biseda ku Salvadore Aliu shfaq shqetësim për mundësinë e ndërhyrjes së autoriteteve, duke kërkuar kujdes maksimal në administrimin dhe fshehjen e shumave të mëdha të parave.

Në dosje evidentohet edhe një rast i dyshuar transaksioni fiktiv, ku vëllezërit diskutojnë shkëmbimin në letra të një automjeti me një sipërfaqe toke, ndërsa automjeti do të vazhdonte të mbetej në përdorimin e tyre.

Sa i përket pastrimit të parave, SPAK evidenton rolin aktiv të Isa Aliut në investimet në sektorin e ndërtimit. Sipas hetimeve, ai fillimisht tentoi të ligjëronte një pjesë të parave përmes hapjes së aktiviteteve tregtare dhe faturave fiktive, për t’u orientuar më pas drejt investimeve në ndërtim.

Një tjetër komunikim i datës 3 nëntor 2020 tregon për përfitime të jashtëzakonshme nga trafiku i drogës. Sipas dosjes, Salvadore Aliu i komunikon vëllait se vetëm nga tre operacione të suksesshme kishte siguruar fitime prej rreth 15 milionë eurosh, duke reflektuar përmasat e aktivitetit kriminal që dyshohet se drejtonte.