Një nga kompanitë që ka përfituar dhjetëra miliona euro nga tenderët është “REJ” në pronësi të familjes Kapri në Pogradec, e cila njihet për lidhje të forta me mazhorancën dhe opozitën, duke qenë se Eduart Kapri ka qenë edhe kryetar bashkie në atë qytet. Kompania është 80 % në pronësi të Luan Kaprit dhe 20 % në pronësi të Gëzim Salillarit, i njohur si Gëzimi i Kashtës. Lidhjet e shuma politike kanë sjellë që firma në fjalë të përfitojë rreth 40 milionë euro nga buxheti i shtetit, nëpërmjet dhjetëra procedurave të fituara për pastrimin dhe gjelbërimin në disa qytete, ndërkohë që e njëjta kompani ka fituar tendera edhe për ndërtimin.
Vox News ka denoncuar në vijimësi skemën e firmës “REJ” për të fituar tendera, pasi ka pasur dyshime të forta se ajo bashkëpunonte me ish-kreun e KPP-së Jonaid Myzyri, duke qenë se dhjetëra procedura i ka përfituar jo nga APP-ja por nga Komisioni i Prokurimit Publik. Firma e familjes Kapri merrte pjesë në tendera, bënte ofertën më të lartë dhe në shkallën e parë në APP nuk dilte fituese. Ajo e ankimonte në KPP, ku ky komision me në krye Myzyrin skualifikonte firmat e tjera dhe shpallte automatikisht firmën “REJ”.
Por, largimi dhe problemet e Myzyrit kanë sjellë që të zbulohet skema, duke qenë se ka qenë vetë KPP-ja e cila ka lajmëruar Agjencinë e Prokurimit Publik se firma “REJ” ka përdorur letra të falsifikuara për të fituar një tender të majmë prej 2.5 milionë euro. Por nëse ka përdorur letra false, a nuk është vepër penale? Përse nuk denoncohet? Me cilët bashkëpunoi dhe a do të ketë një hetim për këtë skandal?!


Sipas dokumenteve që disponon Vox News, në datën 12 qershor 2026, Agjencia e Prokurimit Publik ka nxjerrë një njoftim për të skualifikuar firmën “REJ” nga tenderët për një periudhë prej 6 muajsh. “APP në ushtrim të kompetencave të saj ka nisur procedimin administrativ për përjashtimin e operatorit ekonomik ‘Rej’ shpk, nga e drejta për të fituar kontrata publike, për keqinformim për qëllime kualifikimi” thuhet në dokument.
Sipas saj, kjo firmë ka marrë pjesë në tenderin me objekt “shërbim pastrimi për Spitalin Universitar të Traumës”, me fond limit 245.035.563 lekë pa Tvsh, zhvilluar nga autoriteti kontraktor Operatori i Blerjeve të Përqendruara në datë 20.10.2025.
“APP është vënë në lëvizje nga vendimi i datës 20 janar 2026, i dërguar nga Komisioni Prokurimit Publik, me të cilin ky i fundit i ka propozuar APP nisjen e hetimit administrativ për operatorin ekonomik ‘Rej’ shpk, në bazë të nenit 23 të LPP, sipas konstatimeve të bëra në këtë vendim. Në përfundim të procedimit administrativ të nisur, u arrit në konkluzionin se ndodheshim në kushtet e nenit 78/1/a të LPP, ku parashikohet se ‘Agjencia e Prokurimit Publik përjashton një operator ekonomik nga e drejta për të fituar kontrata publike për një periudhë nga 3 mu?j deri në 3 vjet për keqinformim dhe dorëzim të dokumenteve, që përmbajnë të dhëna të rre?? për qëllime kualifikimi”, thuhet në dokument.
Më tej saktësohet se me vendimin nr. 25, APP ka vendosur të përjashtojë operatorin ekonomik “Rej” nga e drejta për të fituar kontrata publike, për 6 (gjashtë) muaj, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
Faksimile: Kompania “REJ” ka ndryshuar pronar, ku Luan Kapri i ka kaluar aksionet në emër të së bijës Marinela Kapri
Në datën 25 qershor 2025, pronari me letra i kompanisë “REJ”, Luan Kapri, i ka kaluar aksionet të bijës, Marinela Kapri. Aksionet ia ka kaluar me akt dhurimi, pra nuk është bërë ndonjë transaksion. Ka pasur dyshime se Luan Kapri ka bashkëpunuar me krerët e institucioneve shtetërore për të fituar tendera publikë, ndërkohë që ai është vëllai i Gilbert dhe Eduart Kaprit, ku ky i fundit ka qenë edhe kryetar i Bashkisë së Pogradecit.
Firma në fjalë, REJ, sipas hulumtimeve të redaksisë sonë rezulton se ka përfituar të paktën 40 milionë euro tendera publikë, nga Shkodra, Tiranë, Elbasani, Pograeci, Korça e shumë qytete të tjera. Lidhjet e Gilbertit, Eduartit apo edhe të vetë Luanit kanë sjellë që kompania të fitojë lehtësisht tendera, ndërkohë që lidhja më e dyshimtë ka qenë ajo me ish-kreun e KPP-së, Jonaid Myzyrin.
Duke pasur këtë të kaluar tepër të dyshimtë dhe ndoshta për të humbur gjurmën, pronari me letra i kësaj kompanie, Luan Kapri, bëri edhe kalimin e pronësisë, ndërkohë që në Pogradec, apo edhe në shumë vende të tjera, firma “REJ” lidhet më së shumti me Eduartin, i cili është dënuar nga Gjykata e Posaçme me 2 vite burg, për shkak se i ka dhënë leje firmës së vëllait, GEDI shpk, për të ndërtuar një pallat shumëkatësh në Pogradec, pa leje ndërtimi.
Në muajin nëntor të vitit 2024, redaksia e Vox News publikoi një investigim me titull “hije skandali 25 milionë euro, si favorizohet kompania e familjarëve të Eduart Kaprit, nga kryetari i KPP-së nëpërmjet Arbër Abazit”.
“Nga viti 2021 kur është zgjedhur në krye të KPP-së, Myzyri e ka favorizuar kompaninë e Eduart Kaprit plot 24 herë, ku vlera e të gjithë tenderëve kap shifrën e frikshme të 25 MILIONË EUROVE. Skema është e thjeshtë; tenderët hapen nga institucionet, të cilat shpallin fitues kompanitë me ofertat më të ulëta. Në garë futet REJ me ofertë afër fondit limit, e cila nuk fiton në shkallën e parë. REJ e ankimon në Komisionin e Prokurimit Publik, i cili s’kualifikon ofertat më të ulëta dhe shpall fitues kompaninë REJ. Ka dyshime se, diferenca mes ofertës më të ulët dhe asaj që shpallet fitues firma e Kaprit, është pikërisht edhe ryshfeti”, denonconte Vox News.
Por çfarë vendimesh ka dhënë KPP-ja në favor të familjes Kapri?!
Vox News hulumtoi në atë kohë dhjetëra vendime të KPP-së, ku firma “REJ” është favorizuar dukshëm nga Komisioni i Prokurimit Publik, pavarësisht se ka pasur ofertat më të larta. Me skemën e lartpërmendur, Myzyri – Abazi – Kapri i kanë shkaktuar shtetit shqiptar një dëm dhjetëra miliona euro. Organet ligjzbatuese i kanë provat të hapura, pasi mjafton vetëm një verifikim në APP, KPP apo edhe në institucione, që të zbardhet plotësisht skema.
/Voxnews