Partia Socialiste dhe Edi Rama kanë injoruar vendimin e deputetes Marjana Koçeku për t’u larguar nga grupi i PS, për arsye të paqarta. Ky qëndrim shpërfillës duket se ka pezmatuar bareshën, e ashtuquajtur neomalsore, e cila duket se priste reagim të fortë dhe polemika për të krijuar zhurmë dhe tërhequr vëmendjen. Në mungesë të reagimit nga PS-ja, Koçeku përpiqet çdo ditë në mënyrë të sforcuar dhe komike të qëndrojë në fokusin e vëmendjes mediatike.
Duke qenë se zhumra e largimit nga PS u fashit shumë shpejt, Marja Koçeku, e njohur si Lenka Çuko e Edi Ramës, po ndjek strategjinë e profesor Pëllumb Pilinçit, duke iu përgjigjur kërcënimeve imagjinare me kërcënime. Dhe deri më tani ia ka dalë. Pas postimit të flamingos dhe ‘sfidës’ për zgjedhje të re, ku ajo do të kandidonte në Tiranë, Koçeku arriti edhe sot të bëjë zhurmë mediatike, përmes një postimi prej shejtanbudallai.
Ajo paralajmëroi grupin kriminal të Bajrave se do t’i shkatërronte, duke nënkuptuar se Bajrat e kishin kërcënuar për llogari të Edi Ramës pas njoftimit të saj për t’u larguar nga grupi i PS-së. “Ky mesazh i drejtohet Bajrajve të Shkodrës. Nëse familjes teme i preket kjoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën”, shkroi ajo.
Policia e Shkodrës konfirmoi se nuk ka marrë asnjë denoncim për kërcënim. Ka të ngjarë se kërcënimi i nënkuptuar të jetë sajuar nga baresha Koçeku për të provokuar Edi Ramën, i refuzoi një plan të saj dhe Benet Becit për të kthyer Kalanë e Rozafës në bujtinë dhe vend ku mund të kërcenin kecat e neomalësores.
Rikthimi i Lenka Çukos
Lenka Çuko ishte një ndër figurat qëndrore të pushtetit komunist gjatë diktaturës. Ishte anëtare e Byrosë Politike dhe e Komitetit Qendror të PPSH-së. Ajo erdhi në këtë post në vitin 1971 pas “suksesit në arat e pambukut” në Lushnje.
Falë këtij “suksesi” shoqja Lenka u emërua sekretare e parë e Komitetit të Partisë në Lushnje dhe më pas në vitin 1971 erdhi në Tiranë si anëtare e KQ dhe e Byrosë politike të PPSH-së.
Mediat e kohës flisnin për nisjen e karrierës politike të shoqes Lenka në arat e pambukut, pasi kishte arritur me sukses të përvetësonte metodën e heroinës së punës socialiste në Azerbajxhan. Vjelja e pambukut me dy duar do të ishte zanafilla e shkëlqimit në karrierë të shoqes Lenka. Është një nga ato historitë që dëshmojnë se si injoranca sundoi Shqipërinë përmes metodave komuniste të propagandës si kjo e “vjeljes me dy duar të pambukut”.
Lenka shijoi investimin e saj fillestar në fushat e Lushnjes, sepse mori pension special pasi dekoratat e kohës së diktaturës ia njeh edhe qeverisja aktuale. Ndërkohë fëmijët e saj janë të suksesshëm si ajo. Dhëndri i Lenkës, Bardhyl Cani, u emërua ambasador në Izrael vite më parë nga qeveria Rama. Me siguri edhe familjarët e tjerë të saj janë po kaq të akomoduar në qeverinë e socialistëve.
Ndërkaq, pas gjysmë shekulli, Edi Rama vendosi të rikthente në Kuvend dhe në skenën politike Lenka Çukon, përmes një personazhi të vetëquajtur neomalësore, Marjana Koçeku, e njohur në median sociale si blegtore, pasi shfaqej herë me ndonjë kec në krahë herë me ndonjë pulë.
Krahas imazhit si blegtore, Lenka Çuko e Edi Ramës, u shfaq edhe si mbrojtëse e gegërishtes, ndonëse u emërua deputete për të përfaqësuar zgjedhësit, hallet të cilëve mund të mos përfshijnë çështjet gjuhësore. Lenka Çuko e Edi Ramës kërkoi të na ofrohej jo vetëm si modeli i vajzës së thjeshtë të punës, por edhe si mbrojtje e një varianti jo zyrtar i gjuhës shqipe.
Kur me mbrojtjen e gegërishtes nuk po arrinte të bënte më zhurmë, Lenka Çuko, në një moment sëkëlldisës për Edi Ramën, në kulimin e ‘Revulucionit të Flamingove’, hodhi në lojë mandatin e saj, teksa njoftoi befas pamvarësinë nga grupi parlamentar i PS-së. Kur zhurma e pamvarësisë po fashitej, Lenka Çuko e Edi Ramës postoi një flamingo, dje kërkoi zgjedhje të reja, sot paralajmëroi Bajrat dhe nesër pritet të lërë kecat në malësi për t’ju bashkuar flamingove në bulevard!