I penduari i drejtësisë, Artan Tafani, ka vijuar dëshminë e tij në gjykatë, duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit mbrojtës të Laert Haxhiut dhe duke dhënë detaje mbi planin për vrasjen e Rexhep Ginës.
Sipas Tafanit, diskutimet për eliminimin e Ginës kanë nisur në Greqi, ku ai pretendon se ka biseduar me Laert Haxhiun dhe persona të tjerë të lidhur me çështjen.
“Në korrik 2022 kemi kryer veprime për vrasjen e Rexhep Ginës. Ginën e njoh nga fotot, personalisht jo.
Për vrasjen e Ginës interesohej Laerti. Ishte për punë hasmërie, se Gina ka qenë i grupit të Aldo Bares. Kanë pasur konflikt për punë pronash me xhaxhanë e Laertit.
Për herë të parë për këtë vrasje kemi diskutuar në Athinë, diku nga korriku a nga gushti.
Në Greqi e diskutuam. Ma tha mua. Bënte bisedë edhe me Marjon Diamantin, që njihte një polic grek. Me anë të atij policit do gjenim Rexhep Ginën, se jetonte në Athinë.
Diskutimi është bërë mes meje, Laertit, Marjo Diamantit, që është vrarë me pas në Greqi dhe Xhino Bajramit.
Këtë bisedë e kemi bërë në 2021. Unë nuk ndenja gjatë atje, u ktheva. Ndërsa Laerti erdhi në tetor.
Më vonë kemi diskutuar për vrasjen. E ruante Laerti Ginën. Jo Laerti vetë, por njerëz të tij. E shikonin sa herë kalonin tek lokali i tij dhe i çonin ndonjë video a foto”, është shprehur ai.