Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, zhvilloi një takim me Ministrin e Drejtësisë të Holandës, David Van Weel, ku u diskutuan fushat kryesore të bashkëpunimit dypalësh në funksion të integrimit europian të Shqipërisë.
Ministri Gogu e vlerësoi Holandën si partner kërkues, por konstruktiv. “Diskutojmë rezultatet, diskutojmë projekte konkrete sesi Shqipëria të mundet të përfundojë ëndrrën dhe projektin e anëtarësimit europian”, u shpreh ai.
Në fokus të takimit ishin reforma gjyqësore, forcimi i shtetit të së drejtës, aksesi i qytetarëve në drejtësi — përfshirë ndihmën juridike dhe ndërmjetësimin — si dhe bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar.
Ministri Van Weel, i cili mori detyrën në shkurt të këtij viti, e cilësoi takimin si të rëndësishëm dhe theksoi lidhjet e forta midis dy vendeve. “Jemi aleatë në NATO, por gjithashtu Shqipëria është shumë e avancuar në procesin e anëtarësimit në BE — dhe ne po e ndihmojmë Shqipërinë edhe për këtë”, tha ai.
Van Weel nënvizoi gjithashtu se krimi i organizuar mbetet një sfidë e përbashkët dhe se sistemet gjyqësore të dy vendeve bashkëpunojnë ngushtë në këtë drejtim.
Të dy ministrat shprehën gatishmërinë për të thelluar më tej partneritetin, me synim mbërritjen e anëtarësimit të Shqipërisë në BE brenda afateve të vendosura.