PD merr në mbrojtje neomalësoren. Berisha: Rama njeh vetëm ligjin e mafias

Politikë

Publikuar: 17/06/2026

PD merr në mbrojtje neomalësoren. Berisha: Rama njeh vetëm ligjin e mafias

Deklarata e deputetes Marjana Koçeku kundrejt grupit kriminal të Bajrave, që la të nënkuptohej se ishte kërcënuar, solli reagimin në bllok të opozitës. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deputetë të tij, por edhe përfaqësues të partive të vogla e kanë marrë në mbrojtje Koçekun ndërsa kryeministrin Edi Rama e akuzuan se pushtetin e mban prej lidhjeve me krimin.

Kryedemokrati Berisha tha se Rama qëndron pas kërcënimeve që Koçeku pretendon se ka marrë nga grupi Bajri. Berisha thotë se Rama njeh vetëm ligjin e mafies ndërsa pretendon se edhe protestuesit po kërcënohen për të mos shkuar në manifestimet para kryeministrisë.

“Kërcënimet e Edi Ramës janë të dënueshme. Kërcënimet që i janë bërë deputetes Koçeku janë absolutisht të dënueshme.  Tregon edhe një herë ligjin e mafies. Tregon se këtu ai ka vetëm një ligj, ligjin e mafies. Ndaj dhe përsëris thirrjen time: të gjithë, i madh e i vogël, sepse atje ka edhe fëmijë, edhe të rinj, shumë bukur, sepse është paqësore, është festive, të gjithë në protestë”, tha Berisha.

Deputeti demokrat, Besart Xhaferri i bëri thirrje kryeparlamentarit Niko Peleshi që të kërkojë mbrojtje për Koçekun, ndërsa organeve ligjzbatuese u bëri thirrje që të nisin hetimet.

“Dënoj me forcën më të madhe kërcënimet e marra nga familja Koçeku nga grupet kriminale të Shkodrës që kemi denoncuar prej vitesh! Sistemi mafioz politik, elektoral dhe ekonomik që Edi Rama ka ngritur po ekspozohet me fakte dita ditës! Kërcënimin e deputetes Marjana Koçeku nga një grup kriminal në Shkodër për vendimin e saj për të braktisur grupin parlamentar të PS, e cilësoj të papranueshëm.

As nuk ishte menduar që në këtë vend të kërcënohen vajzat dhe gratë në emër të partisë dhe qeverisë nga krimi i organizuar. Kur kjo i ndodh një deputeteje femër, a mendoni se kanë më imunitet qytetarët shqiptar. I kërkoj Kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi të kërkojë mbrojtje për deputeten Marjana Koçeku dhe organeve ligjzbatuese të nisin menjëherë hetimin për këtë kërcënim të denoncuar nga kolegia Marjana Koçeku. E vërteta vonon por nuk harron”, shkruan Xhaferri.

Të njëjtin qëndrim mbajti edhe deputeti demokrat i Shkodrës, Bardh Spahia i cili i bëri thirrje Ramës të tërhiqet nga kërcënimet mafioze.

“Deputeten Koçeku, e kërcënoi Rama! Bandat janë thjeshtë zbatues të urdhrave të tij dhe aksioner kryesor në pushtetin e inkriminuar. Denoncimi i deputetes Koçeku po fakton atë që në Shkodër më mirë se kudo tjetër, e dinë të gjithë; bashkëpunimin e ngushtë të Edi Ramës me krimin e organizuar për të grabitur votën e qytetarëve nëpërmjet kërcënimeve mafioze, terrorizimit të qytetarëve dhe parave të pista të krimit. Kur deputetja kërcënohet, buratini në krye të bashkisë komandohet e urdhërohet, atëherë pyetja që lind natyrshëm është: në dorë të kujt është Shkodra e Shqipëria sot?

Dhe më e rëndësishmja: deri kur do ta lejojmë? Duke dënuar me forcën më të madhe akte të tilla kriminale ndaj një familjareje por edhe kolegeje deputete, i bëj thirrje Edi Ramës të heqë dorë nga kërcënimet mafioze. Dita e llogaridhënies po afron! Gjithashtu i bëj thirrje policisë, prokurorisë dhe organeve të drejtësisë të trajtojnë me urgjencë, seriozitet dhe transparencë maksimale këtë akt të rëndë. PS. Kjo është fytyra e vërtetë e Europës së Edi Ramës”, shkroi Spahia.

Edhe kreu i grupit parlamentar të PL, Tedi Blushi tha kërcënimi i Koçekut është provë e shkrirjes njësh të krimit me pushtetin.

“Kërcënimi ndaj deputetes Marjana Koçeku, pas largimit të saj nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, nuk është thjesht një ngjarje e rëndë. Është një tjetër provë tronditëse e shkrirjes njësh të krimit me pushtetin dhe e degradimit të shtetit në një instrument presioni e frikësimi. Nëse një deputete e Kuvendit deklaron publikisht se është kërcënuar, çfarë garancie ka për jetën dhe sigurinë qytetari i zakonshëm që guxon të ngrejë zërin kundër keqqeverisjes së Edi Ramës? Për çfarë rendi dhe sigurie publike mund të flitet, kur edhe një deputete grua ndihet e pambrojtur përballë mekanizmave mafiozë të intimidimit?

Askush nuk mund të ketë më iluzione për ekzistencën e një shteti ligjor nën qeverisjen e Edi Ramës.  Shqipëria sundohet nga një regjim që ka shkrirë interesat e pushtetit me ato të krimit, duke krijuar një sistem mafioz që ndihet aq i paprekshëm sa të kërcënojë edhe një deputete, faji i vetëm i së cilës është largimi nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste

“Kallëzimi publik i deputetes Marjana Koçeku rrëzon përfundimisht propagandën e një shteti që pretendon se ka fituar betejën me krimin. Kur një përfaqësuese e kandiduar në zgjedhje, nga partia që sot sundon vendin, denoncon publikisht kërcënime dhe presione nga struktura të krimit të lidhura me pushtetin, kemi të bëjmë me dëshminë se krimi është shndërruar në instrument të kontrollit politik dhe shoqëror”, shkroi Blushi.

Shqipëria nuk mund të jetë peng i grupeve kriminale që kanë depërtuar në institucionet e shtetit, që ndikojnë vendimmarrjen publike dhe që, në sytë e qytetarëve, kanë marrë peng qeverisjen e vendit. Heshtja përballë këtyre denoncimeve do të ishte bashkëfajësi. I bëjmë thirrje SPAK, dhe të gjitha organeve ligjzbatuese të veprojnë për të garantuar që askush të mos jetë mbi ligjin”, thuhej në një reagim të Shqipëria Bëhet.

“Denoncimi publik i deputetes Koçeku është jo vetëm shqetësues për kërcënimin me prapavijë politike nga Bajrajt famëkëqij të familjarëve të bartëses së një pozite të lartë institucionale, por edhe tregues i mënyrës së qeverisjes në Shqipëri. Në letra, Shqipëria është republikë parlamentare ku pushteti buron nga populli dhe, me zgjedhje periodike, u delegohet përfaqësuesve të vet. Mirëpo kjo është vetëm cipa formale, që tanimë ka plasur dhe ka nxjerrë në pah shëmtinë e marrëdhënieve politiko-shoqërore paramoderne.

E vërteta është që nën qeverisjen e Ramës Shqipëria i ngjan gjithnjë e më shumë një monarkie feudale, të kontekstualizuar në periudhën e rrjeteve sociale. Në monarkitë feudale, mbreti nuk është gjë tjetër veçse feudali më i madh, të cilin feudalët e tjerë të shpërndarë në territor e njohin si të parin mes të barabartëve. Funksioni i mbretit në të tillë regjim nuk është edhe aq që të marrë vendime të pakundërshtueshme, por të ndërmjetësojë mes feudalëve lokalë, të zgjidhë konfliktet mes tyre dhe të mishërojë simbolikisht unitetin e një mënyre prodhimi e akumulimi të bazuar te toka bujqësore”, shkroi Arlind Qori.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçeku la të kuptohej se ishte kërcënuar nga fisi i Bajrave, mesazhi ndaj të cilëve ishte me një gjuhë po me tone të forta paralajmëruese, duke thënë se nëse i prekin familjen do t’i shkatërrojë. Avokati i Bajrave foli për një sulm të pabazë nga deputetja.