Flamingot ‘vijnë’ në protestë, paradë para kryeministrisë

Politikë

Publikuar: 17/06/2026

Flamingot ‘vijnë’ në protestë, paradë para kryeministrisë

Të udhëhequra nga një flamingo e madhe, të tjera më të vogla, të radhitura në një formacion, kanë parakaluar përpara kryeministrisë.

Protestuesit kanë arritur të realizojnë një paradë me flamingot që janë shndërruar në simbolin e këtij tubimi.

Në ditën e 18-të të protestës kundër investimeve në Zvërnec, qytetarët janë grumbulluar para kryeministrisë. Grumbullimi në sheshin ‘Skënderbej’ nisi në orën 19:00, një orë më vonë sesa ditët e mëparshme, sipas njoftimit të së martës. 

Thirrjet mbeten për dorëheqjen e kryeministrit Rama.


Sot, Parlamenti Europian miratoi raportin për Shqipërinë, por u ka kërkuar autoriteteve shqiptare një moratorium ndërtimesh në zonat e mbrojtura, teksa shpreh shqetësim serioz për zhvillimet e brenda zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë dhe se ndjekin nga afërt ato që i quajnë “protesta masive paqësore”. 

Eurodeputetët kërkojnë gjithashtu që të ndryshohen ndërhyrjet e vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, që lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në këto zona.

Sot mikrofoni u është lënë pensionistëve, ndryshe nga një ditë më parë që fjalimet u mbajtën nga të rinjtë.

“Sot ka qenë një thirrje shumë e bukur nga të rinjtë: merr gjyshin në protestë. Nëse gjyshi nuk vjen dot, protesto për gjyshin!”, tha Luçiana Kokaj.
Protestuesit kanë arritur të realizojnë një paradë me flamingot që janë shndërruar në simbolin e këtij tubimi.