Fania mori peng tatimorët që i shkuan për kontroll te Prestige Resort, policia i arreston grupin e tij që zbatoi porosinë

Aktualitet

Publikuar: 19/07/2026

Fania mori peng tatimorët që i shkuan për kontroll te Prestige Resort, policia i arreston grupin e tij që zbatoi porosinë

Përshkallëzohet konflikti mes biznesmenit Irfan Hysenbelliut dhe qeverisë. Fania, përmes medias së tij, u ankua dje se tatimet po ushtronin kontrolle tek hoteli i tij Prestige Resort në Golem në kulmin e sezonit, duke penguar aktivitetin turistik. Në këtë kushtet, Fania duket se ka urdhëruar grupin e tij tek hoteli të bëjnë rezistencë, duke sfiduar shtetin ligjor. Grupi i Fanes jo vetëm ka bërë rezistencë ndaj kontrollit, por mësohet se kanë marrë peng tatimorët Besnik Dalliu, Elton Ndoci dhe Andi Hajdari.

Inspektorët e Tatimeve janë futur në një dhomë zyrë prej drejtuesëve të resortit që janë personat tashmë të arrestuar. Ata janë mbyllur në zyrë dhe janë mbajtur në këto kushte rreth një orë bëjnë të ditur burime nga Drejtoria e Policisë së Durrësit. Në këto kushte punonjësit e tatimeve kanë telefonuar policinë. Kanë qenë këta të findit që i kanë rikthyer lirinë atyre.

Pas pengmarrjes ka ndërhyrë policia. Administratori dhe katër punonjës të resortit tē Fanes janë arrestuar pasi dyshohet se kanë mbajtur të mbyllur për një kohë të konsiderueshme punonjësit e Task Forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të cilët ndodheshin në ambientet e biznesit për ushtrimin e detyrës.

Sipas Policisë, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Kavajës ndërhynë pas kallëzimit të bërë nga inspektorët e Tatimeve dhe vunë në pranga, në flagrancë, administratorin e resortit, Saimir Ndreca, 34 vjeç, si edhe shefin e financës, Zaho Jacaj, 56 vjeç, shefin e sigurisë, Artan Kasa, 56 vjeç, dhe dy punonjësit e sigurisë, Hamid Sula, 64 vjeç, dhe Bujar Agolli, 57 vjeç.

Nga hetimet paraprake dyshohet se pesë të arrestuarit, duke vepruar në bashkëpunim, dje, më 18 korrik 2026, kanë penguar dhe kanë privuar nga liria punonjësit e Task Forcës së Tatimeve, duke i mbajtur të izoluar brenda ambienteve të resortit, ndërsa këta të fundit po kryenin kontroll në kuadër të detyrës së tyre.
Ndaj të arrestuarve rëndon akuza për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve dhe veprimet e mëtejshme ligjore.