“Mbi të gjitha, një premtim që mund ta bëjmë që tani: Nuk do vjedhim në mënyrë kaq flagrante siç kanë bërë këta”. Ndoshta vetëm ky ‘premtim frojdist’, i artikuluar nga ai vetë në vitin 2013, mund të shpjegojë sot pasurinë e deputetit Eduard Shalsi, i cili hyri në politikë pa asnjë pasuri, ndërsa sot numëron të paktën 6 apartamente dhe dy garazhe në Tiranë.
Apartament 124 m2
Apartament 176 m2
Apartament 123 m2
Apartament 51 m2
Apartament 119 m2
Apartament 71 m2
Garazh 43 m2
Garazh 18 m2
Si i bëri pasuritë Shalsi?
Eduard Shalsi dhe bashkëshortja e tij e dytë, Eranda Shalsi, kishin të ardhura normale deri në vitin 2021, duke mos e justifikuar pasurinë e deklaruar. Madje, në një analizë të BIRN në vitin 2021, Shalsi rezulton se kishte deklaruar një pasuri me vlerë rreth 400 mijë euro. Pasuria nuk justifikohet edhe sikur Shalsi të ketë qëndruar pa ngrënë dhe pa pirë për 3 dekada.
Pas vitit 2021 të ardhurat shumëfishohen në mënyrë të dyshimtë. Eranda Shalsi rezulton e regjistruar si person fizik, me aktivitet arkitekte, auditim i energjisë në ndërtesa. Nëse në vitin 2020 deklaronte 3 mijë euro fitime dhe në vitin 2021 nuk deklaron fitime, pas vitit 2022 nis të deklarojë mbi 100 mijë euro fitim vjetor nga ky biznes.

Në vitin 2023, të ardhurat e zonjës Shalsi rezultojnë 170 mijë euro, 150 mijë euro fitim dhe rreth 20 mijë euro paga. Gjatë këtij viti ka blerë edhe një apartament dhe garazh me vlerë 300 mijë euro.

Në vitin 2024, deklaron rreth 140 mijë euro fitim. Në një hark kohor prej tre vitesh të ardhurat e bashkëshortes së Eduart Shalsit janë rreth 450 mijë euro. Në vitin 2025 deklaron rreth 27 mijë euro fitim, ndërsa blen një apartament dhe garazhe me vlerë rreth 200 mijë euro.

Mbetet për t’u parë nëse pagesat për Eranda Shalsin janë apo jo produkt i keqpërdorimit të mandatit të deputetit nga Eduard Shalësi. Dyshimet janë të paevitueshme sepse sa herë që kartelet miellit, qumështit etj., duan të heqin ndonjë taksë, ndryshojnë ndonjë ligj për interesat e tyre apo të ndërmarrin ndonjë nismë ligjore për të gllabëruar pasuritë publike, gjejnë gjithnjë një personazh; Eduard Shalsi, i shënjuar tashmë si njeriu i oligarkëve dhe interesave të errëta.