Gazetari Enrik Mehmeti është përcjellë për në banesën e fundit, mes dhimbjes së familjarëve, miqve, kolegëve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e vlerësuan ndër vite. Më herët gjatë ditës, në Teatrin “Petro Marko” në Vlorë u zhvilluan homazhet në nder të tij. Dhjetëra qytetarë, kolegë, të afërm dhe përfaqësues të institucioneve i bënë nderimet e fundit.
Në ceremoni ka marrë pjesë edhe kreu i KLSH-së Arben Shehu, i cili është një nga miqtë e gazetarit Mehmeti. Arben Shehu ka përcjellë edhe një mesazh të ndjerë për ndarjen nga jeta të Enrik Mehmetit, një zë i rëndësishëm i gazetarisë. Arben Shehu u shpreh se humbja e Enrikut është e dyfishtë, në radhë të parë për familjen e tij dhe në radhë të dytë për Vlorën, si një njeri i sakrificës, përkushtimit dhe profesionalizmit në gazetari.
(Mesazhi i kreut të KLSH-së, Arben Shehu)
Ndërkaq, nnë ceremoni mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, i cili shprehu ngushëllimet për familjen. Enrik Mehmeti humbi jetën tragjikisht pas një aksidenti me një motor me katër rrota (ATV) në zonën e Porto-Novës, pranë Vlorës. Lajmi për ndarjen e tij nga jeta shkaktoi trishtim të madh në qytetin bregdetar dhe në komunitetin e gazetarëve.
Vetëm 40 vjeç, ai la pas dy fëmijë dhe një karrierë të ndërtuar me përkushtim në gazetari. Për vite me radhë raportoi nga Vlora për ngjarjet më të rëndësishme, kronikën, zhvillimet sociale dhe turizmin, duke fituar respektin e kolegëve dhe besimin e publikut.
Rrugëtimi i tij drejt gazetarisë nisi herët. Në vitin 1997, kur ishte vetëm 11 vjeç, ai iu bashkua kampit misionar “Alba” si përkthyes, një përvojë që, siç kishte treguar edhe vetë, ndikoi në zgjedhjen e profesionit që do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës.
Përtej profesionit, Enrik Mehmeti ishte një njeri i përkushtuar ndaj familjes. Jetonte mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pa u shkëputur asnjëherë nga vendlindja dhe pasioni për gazetarinë.
Me përcjelljen e tij për në banesën e fundit, Vlora i dha lamtumirën një gazetari që për vite me radhë ishte zëri i ngjarjeve të qytetit. Kujtimi i Enrik Mehmetit do të mbetet te familjarët, miqtë, kolegët dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin.