Humbet jetën në një aksident tragjik gazetari Enrik Mehmeti

Kryesore

Publikuar: 18/07/2026

Humbet jetën në një aksident tragjik gazetari Enrik Mehmeti

Gazetari nga Vlora Enrik Mehmeti ka humbur jetën mbëmjen e sotme si pasojë e një aksidenti tragjik.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e plazhit të Zvërnecit. Sipas të dhënave të para shkak është bërë një aksident me motor.

Sipas informacioneve dhe dëshmive të para nga vendngjarja, gazetari ishte duke udhëtuar me motor me 4 rrota, kur për shkaqe që ende nuk dihen, mjeti është përmbysur duke u rrokullisur disa herë.

Gjatë aksidentit, një pjesë metalike e mjetit e goditi rëndë në kraharor, duke i shkaktuar dëmtime fatale.

Menjëherë pas aksidentit, ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.

Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e plota të aksidentit.

Gazetari Mehmeti është ndër gazetarët më të mirë që ka pasur Vlora. Ai prej vitesh ka raportuar për ngjarjet nga qyteti bregdetar. Mehmeti është shquar për profesionalizmin dhe pasionin që e karakterizonte në këtë punë. Sot gazetaria humbi një personalitet dhe një zë të vyer të saj.