Një video e publikuar disa ditë më parë nga gazetari Artan Hoxha ka treguar se si një pjesë e burgut të Peqinit ishte kthyer në hotel me 5 yje. Pamjet tregojnë për një investim serioz brenda burgut, duke i shndërruar qelinë apo qelitë në ambiente luksoze, ambiente kuzhine, hapësirë të dedikuar për gardërobë, dhomë gjumi, pra një arredim modern dhe me shije të hollë estetike. Nuk kuptohet më se ku është dera e qelisë dhe gardianët duken si roje sigurie të bosit brenda ‘hotelit me 5 yje’.
Sipas burimeve kjo është qelia e bosit të krimit, kokainës dhe lojërave të fatit, Leonard Duka, i dënuar nga GJKKO me 30 vite burg për vrasjen e ish policit Santiago Malko, i cili ishte pjesë e grupit të Ervis Martinajt, i zhdukur prej 3 vitesh. Leonard Duka është ekstraduar në gusht të vitit 2024 nga Belgjika për në Shqipëri. Pas zhvendosjes në burgun e Peqinit, Duka, sigurisht në kordinim me drejtorin e burgut, ka kontraktuar ekipe pune për shndërrimin e qelisë në një ambien luksoz, duke cenuar rëndë sigurinë e burgut.

Sipas burimeve, në burgun e Peqinit ka edhe qeli të tjera të personalizura, duke bërë ndërhyrje rikostruktuese dhe arreduese. Ndërkaq, në burgun e Reçit mësohet se është ndërtuar edhe një ‘Lounge Shisha Bar’. Referuar disa videove që nuk janë bërë publike, më shumë se sa me një burg, Reçi ngjan me Kompleksin Deliorgji. Të dy burgjet, si ai i Peqinit ashtu edhe i Reçit ofrojnë kushte të mira për vajzat e showbizz-it, të cilat paraqiten pothuajse çdo javë në këto dy burgje për takime speciale, herë të maskuara dhe herë të ekspozuara.
Dëshmi dhe video tregojnë për minimin e sigurisë. Qelitë e personalizuara, jo vetëm që nuk mund të kontrollohen, por gardianët janë shndërruar në kamarierë të figurave të krimit. Në suitat brenda burgut mund të hyjnë pa problem telefona, femra, lëndë narkotike dhe çdo send i nevojshëm.