Në librin e 523 kullave dhe resorteve, të cilin Edi Rama me mafien e drogës dhe ndërtimit e kanë quajtur “The Albanian Files”, është dhe projekti për ndërtimin e një qyteti me kulla të quajtur “Kingcoast Albania” në Lagunën dhe Parkun Kombëtar të Karavastasë.
Këto vendime të firmosura nga Edi Rama si kryeministër, Kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Kryetar i Komitetit të Investimeve Strategjike, parashikojnë ndërtimin e qytetit me kulla për 50 mijë banorë me sipërfaqe rreth 1000 ha tokë publike në Karavasta.
Ai qytet do të ndërtohet nga oligarku rus Oleg Deripaska dhe Ilir Trebicka, të cilëve, kryeministri Edi Rama, ua dhuroi tokën e lagunës dhe parkut kombëtar në Karavasta, si gjoja tokë e pafrytshme, në emër të kompanive të tyre “Trema Investment 2” dhe “Agro Iliria Group-Karavasta”, për gjoja fermë me shegë, kivi, rrush, fiq, dardhë etj.
Vendimi që ka firmosur Edi Rama, me nr. 6/4, datë 19 prill 2018 i Komitetit të Investimeve Strategjike, me të cilin u ka dhuruar 800 ha tokë publike në Karavasta, ndërsa me Vendimin 6/9, datë 24 qershor 2020, u ka shtuar 131 ha të tjerë në Karavasta.

Më 30 dhjetor 2025, Edi Rama firmosi Vendimin nr. 827, me objekt: “Disa shtesa në Vendimin nr. 355, datë 20.04.2018”, i ka dhënë edhe 68.8 ha tokë tjetër shtetërore në Karavasta kompanisë “Agro Iliria Group”, si mbështetje për investimin strategjik agrobujqësor.
Libri i kullave zbulon ndërtimin e një qyteti, e jo fermë bujqësore
Libri i kullave “The Albanian Files” zbulon se në sipërfaqen rreth 1000 ha tokë në Lagunën dhe Parkun e Karavastasë, oligarku rus Oleg Deripaska dhe oligarku shqiptar Ilir Trebicka, mik i Edi Ramës, nuk do të ndërtojnë fermë bujqësore me shegë, kivi, rrush, fiq e dardha. Por do të ndërtojnë një qytet me kulla, pallate e vila “Kingcoast Albania” për 50 mijë banorë, të maskuar pas kompanisë me të njëjtin emër “Kingscoast Albania Holdings”, të krijuar më 31 janar 2024, maskuar dhe kjo pas kompanisë “Niu Real Estate GmbH”, që në fakt është në ortakëri me kompanitë “Trema Investment 2” dhe “Agro Iliria Group-Karavasta” të Deripaskës e Trebickës.
Qyteti është projektuar me kulla të larta, pallate e vila banimi, objekte administrative, 3 mega-resorte, 2 parqe-marina për mjetet lundruese dhe 4 pika parkimi rreth lagunës dhe Parkut Kombëtar, ndërsa pyjet do të zëvendësohen me hapësira të sheshta, ku do të mbillet bar i kultivuar në laboratorë.
Megjithëse nuk ka njoftim zyrtar për zbatimin e këtij projekti, në terren ka filluar puna, me fazën përfundimtare të një shëtitoreje të re 20 km rreth e përqark Lagunës së Karavastasë, në funksion të qytetit të ri “Kingscoast Albania”; 4 milionë euro nga të cilat i ka financuar qeveria nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Bashkisë Divjakë.
Kur dihet që nga Bashkia Divjakë janë larguar në emigracion mbi 30 mijë banorë, ose rreth 60% e popullsisë, nuk dihet se nga cilat shtete do t’i sjellin Edi Rama, Ilir Trebicka dhe rusi Oleg Deripaska 50 mijë banorë për të populluar qytetin e ri “Kingscoast Albania” në Karavasta.
Turku me shtetësi austriake, Cevdet Caner, pronar i kompanisë “Kingscoast Albania Holdings” sh.p.k., të krijuar më 31 janar 2024, maskuar dhe kjo pas kompanisë “Niu Real Estate GmbH” që është maska e Ramës, Deripaskës e Trebickës në investimin e qytetit në Karavasta, është cilësuar nga agjencia e hulumtimeve financiare “Viceroy Research” si bosi i fshehtë i një klani kleptokratik me ndikim në tregun e pasurive të paluajtshme në Gjermani.
Ai ishte në Shqipëri dhe u takua me Edi Ramën, Ilir Trebickën e dy ministra të fuqishëm, 1 muaj para se një grup deputetësh të PS-së të propozonin ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura, që lejoi ndërtime prej betoni të çdo lartësie në këto zona./Pamfleti