Pas platformave parahistorike të Dritan Goxhajt dhe Përparim Gjekës, një tjetër personazh ka publikuar ‘Kushtetutën e Revolucionit’. Bëhet fjalë për regjizorin Kastriot Çipi, i dënuar me vendim të formë së prerë për vjedhje fondesh të filmave. Për t’i dhënë fund, sipas tij, protestës, Çipi propozon përshtatjen e 5 neneve të kushtetutës zvicerane në Kushtetutën e Shqipërisë. Nenet konsistojnë në parashikimin e referendumeve të aplikueshme në Kushtetutë, të cilët (sipas tij) mundësojnë evitimin e protestave në të ardhmen, pasi populli përmes referendumit mund të rrëzojë ose aprovojë ligjet e kontestuara.
Dënimi për vjedhje fondesh nuk ia heq të drejtën z. Çipi të bëjë propozime, orgazime apo të mbështesë protestën. Madje propozimi i tij duket demokratik, i arsyeshëm dhe realist në raport me manifestin e Dritan Goxhajt, i cili bazohet në dy shtylla: Plumb dhe short. Nëse manifesti i Goxhajt duhet të jetë i dënueshëm dhe tashmë është objekt i antiterrorit, SHISH dhe shërbimeve partnere, platforma e Përparim Gjekës është thjeshtë qesharake, madje tejkalon edhe letrën e Pëllumb Pilinçit drejtuar Edi Ramës për t’i liruar Kryeministrinë.
Dritan Goxhaj dhe Përparim Gjeka janë pjesë e grupit kordinues të protestës, ndërsa Kastriot Çipi është thjeshtë mbështetës i Revolucionit të Flamingove. Duke qenë të tillë, platformat e tyre donkishoteske mund të konsiderohen edhe si vullnet i protestës. Gjeka ka nisur edhe zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Kombëtar imagjinar përmes telefonit, një strukturë paralele që nuk është marrë seriozisht nga organet ligjzbatuese.
Propozimi i Kastriot Çipit
PESË NENE NË KUSHTETUTË DHE REVOLUCIONI I SHQIPONJAVE
ZVICRA nuk ka as det, as minerale, as fusha, por është sot një nga vendet më të begatë në botë.
SHQIPËRIA ka det, ka minerale, ka fusha, ka ujë, por është një nga vendet më të varfra në Europë.
Çfarë ka Zvicra, që nuk e ka Shqipëria? KUSHTETUTËN!
Do të mjaftonte vetëm Kapitulli 2, vetëm ato 5 nene të Kushtetutës Zvicerane, të përshtatura në Kushtetutën e Shqipërisë, për të bërë ndryshimin e madh të SISTEMIT, jo vetëm për të mbyllur këtë protestë, por për t’i bërë protestat të panevojshme në shekujt që vijnë. Sepse një popull që mund të miratojë ose rrëzojë Kushtetutën dhe ligjet me referendum, nuk ka nevojë të protestojë.
Lexojeni këtë kapitull. Është i shkruar me gjuhë aq të thjeshtë, sa mund ta kuptojë kushdo, edhe një fëmijë i fillores.
Revolucioni i Shqiponjave (Jo flamengove) mund dhe duhet të synojë këtë objektiv!
Kapitulli 2 Nisma popullore dhe referendumi
Neni 138 Nisma popullore për rishikimin e plotë të Kushtetutës
- 100 000 shtetas që kanë të drejtën e votës, brenda një afati prej 18 muajsh nga botimi zyrtar i nismës së tyre, mund të propozojnë rishikimin e plotë të Kushtetutës.
- Ky propozim dorëzohet nga Populli.
Neni 139 Nisma popullore për rishikimin e pjesshëm të Kushtetutës
- 100.000 shtetas me të drejtë vote, brenda një afati prej 18 muaj nga publikimi zyrtar i nismës së tyre, mund të kërkojnë rishikimin e pjesshëm të Kushtetutës.
- Nismat popullore që synojnë rishikimin e pjesshëm të Kushtetutës mund të marrin formën e një propozimi të konceptuar në terma të përgjithshëm ose të një teksti të hartuar.
- Nëse një nismë popullore nuk respekton parimin e unifikimit të formës, unifikimit të çështjes ose nëse shkel rregullat me karakter të përgjithshëm të së drejtës ndërkombëtare, Asambleja Federale e deklaron atë të pavlefshëm tërësisht ose pjesërisht.
- Nëse Asambleja Federale miraton një nismë popullore të konceptuar në terma të përgjithshëm, ajo do të përgatis rishikimin e pjesshëm në bazë të iniciativës dhe e paraqet atë për votimin nga Populli dhe Kantonet. Nëse Asambleja Federale kundërshton nismën, ajo e paraqet atë për votim nga Populli, i cili vendos nëse ajo duhet të pranohet dhe adoptohet. Në rast të pranimit nga Populli, Asambleja Federale harton projektin e kërkuar nga iniciativa.
- Çdo nismë në formën e një projekti paraqitet për votim nga Populli dhe Kantonet. Asambleja Federale rekomandon pranimin ose refuzimin e saj. Nismës mund t’i paraqitet një kundër-projekt.
Neni 139 Procedurat e zbatueshme për votim të një nisme dhe kundërprojektit
- Qytetarët me të drejtë vote, votojnë njëkohësisht për nismën dhe kundër-projektin.
- Ata mund të miratojnë të dy projektet në të njëjtën kohë. Ata mund të tregojnë, në përgjigje të pyetjes plotësuese, projektin për të cilin ata preferojnë në rast se të dyja projektet janë pranuar.
- Sa i përket amendamenteve kushtetuese që janë miratuar, nëse në përgjigje të pyetjes plotësuese, një nga projektet merr shumicën e votave të Popullit dhe tjetra shumicën e votave të Kantoneve, projekti që hyn në fuqi është ai që në përgjigje të pyetjes plotësuese, shënoi shumën më të madhe të përqindjes së votave të Popullit dhe votave të Kantoneve.
Neni 140 Referendumi i detyrueshëm
- Votimit të Popullit dhe i Kantoneve i nënshtrohen:
a. rishikimet e Kushtetutës;
b. anëtarësimi në organizatat kolektive të sigurisë ose komunitetet ndërkombëtare;
c. ligjet federale të shpallura me urgjencë, që nuk kanë bazë kushtetuese dhe janë të vlefshme për më shumë se një vit; këto ligje duhet të vihen në votim brenda një viti nga miratimi i tyre nga Asambleja Federale.
2 Subjekt i votimit të Popullit janë:
a. nismat popullore që synojnë rishikimin e plotë të Kushtetutës;
b. nismat popullore të konceptuara në terma të përgjithshëm që kanë tendencën e rishikimit të pjesshëm të Kushtetutës dhe të cilat janë refuzuar nga Asambleja Federale;
d. rishikimi i plotë i Kushtetutës, në rast mosmarrëveshje në mes të dy këshillave.
Neni 141 Referendumi fakultativ
- Nëse 50 000 qytetarë, që kanë të drejtën e votës ose tetë Kantone, e kërkojnë atë brenda 100 ditëve nga publikimi zyrtar i aktit, i nënshtrohen votimit të popullit:
a. ligjet federale;
b. ligjet federale të shpallura me urgjencë me një vlefshmëri prej më shumë se një viti;
c. urdhrat federale, në masën që Kushtetuta ose ligji parashikon;
d. traktatet ndërkombëtare që:
- janë me kohëzgjatje të pacaktuar dhe nuk mund të shkëputen,
- sigurojnë anëtarësimin në një organizate ndërkombëtare,
- përmbajnë dispozita të rëndësishme që përcaktojnë rregullat ligjore ose zbatimi i të cilave kërkon miratimin e ligjeve federale.
Neni 141a Zbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare
- Kur dekreti i miratimit të një traktati ndërkombëtar i nënshtrohet referendumit të detyrueshëm, Asambleja Federale mund të inkorporojë në vendimin për ratifikim amandamentet kushtetuese lidhur me zbatimin e traktatit.
- Kur dekreti i miratimit të një traktati ndërkombëtar i nënshtrohet referendumit fakultativ, Asambleja Federale mund të inkorporojë në vendimin për ratifikim ndryshimet e ligjeve që lidhen me zbatimin e traktatit.
Neni 142 Shumica e kërkuar
- Aktet e paraqitura për votim nga Populli pranohen nga shumica e votuesve.
- Aktet e paraqitura për votim nga Populli dhe Kantonet pranohen kur shumica e votuesve dhe shumica e Kantoneve i miratojnë ato.
- Rezultati i votimit popullor në një Kanton është zëri i Kantonit.
- Kantonet e Obwalden, Nidwalden, Basel-qytet, Basel-rrethinë, Appenzell Ausserrhoden dhe Appenzell Innerrhoden kanë secili gjysmë vote.