Imami i Xhamisë së Urës së Beshirit në Vaqarr, Abedin Musallari, i njohur edhe si Rushit Musallari, gjatë ligjërimin fetar (hytbes) në xhami, ka folur edhe për zhvillimet e fundit politike, duke iu referuar protestave për rrëzimin e qeverisë. Hoxha shfaqet në një video duke bërë thirrje me karakter politik kundër qeverisë aktuale. Musallari thotë se atdheu është në duart e njerëzve të gabuar, ku sipas tij duhet kthyer në rrugën e drejtë.
Videoja e publikuar, edhe pse e shkëputur, sugjeron për përdorim të pozitës fetare dhe xhamisë për çështje politike. Ndërkaq, qëndrime edhe më të theksuara, imami ka shprehur në rrjetin sociale Facebook. Abedin Musallari, i njohur edhe si Rushit Musallari, përpos të tjerave, shkruan se të protestosh (për rrëzimin e qeverisë Rama) është detyrë, duke pretenduar se ai që nuk proteston mund të shkojë në ferr.

Në një postim të vitit 2022, Abedin Musallari akuzon Partinë Socialiste në pushtet edhe për tërmetet dhe thatësirën e tejzgjatur. Në një qëndrim tjetër, hoxha propozon që pensionistëve t’u ndalohet e drejta për të votuar me pretendimin se janë pionerë të komunizmit, pra duke i konsideruar si votues potencialë të PS-së, parti të cilën e sheh si forcë pushtuese.


