Hetimi i “The Sun”: Mbi 1,500 shqiptarë u rikthyen në Britani pasi ishin deportuar

Aktualitet

Publikuar: 28/06/2026

Hetimi i “The Sun”: Mbi 1,500 shqiptarë u rikthyen në Britani pasi ishin deportuar

Një hetim i publikuar nga tabloidi britanik The Sun, ka ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin e sistemit të deportimeve në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas të dhënave, mijëra emigrantë të dëbuar nga Britania janë rikthyer sërish në vend, ndërsa shqiptarët përbëjnë grupin më të madh të këtyre rasteve.

Shifrat tregojnë se mes viteve 2021 dhe 2025, 4,300 persona të deportuar u rikthyen në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa 723 prej tyreishin dëbuar dy ose më shumë herë.

Sipas hetimit, 1,525 shqiptarë, ose më shumë se një e treta e të gjitha rasteve të rihyrjes, u identifikuan sërish në Britani pasi ishin larguar me forcë nga autoritetet. Pas tyre renditen rumunët me 767 raste, afganët me 281, lituanezët me 233 dhe irakianët me 150.

Megjithatë, autoritetet britanike pranojnë se numri real mund të jetë edhe më i lartë, pasi jo të gjitha rastet mund të identifikohen përmes kontrolleve të mëparshme të identitetit.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se deri në mars të vitit 2025 janë regjistruar 26,388 kthime vullnetare dhe 8,590 deportime të detyruara. Kostoja mesatare e një deportimi me fluturim të posaçëm arriti në 48,800 paund për person gjatë vitit financiar 2024–2025, ndërsa një kthim vullnetar kushtoi mesatarisht 4,300 paund.

Hetimi vë në dyshim efektivitetin e politikës britanike të deportimeve, në një kohë kur kalimet e paligjshme me varka të vogla vijojnë të rriten. Që nga marrja e detyrës nga kryeministri Keir Starmer në korrik 2024, mbi 76 mijë emigrantë të paligjshëmkanë kaluar Kanalin e La Manshit.

Po ashtu, marrëveshja mes Britanisë dhe Francës “një brenda, një jashtë”, e nisur në gusht 2025 për të frenuar migracionin e paligjshëm, ka dhënë rezultate të kufizuara. Deri më 15 qershor 2026, sipas shifrave, vetëm 921 emigrantë ishin kthyer në Francë në kuadër të kësaj skeme, ndërsa vetëm gjatë javës 15–22 qershor mbi 1,900 emigrantëmbërritën në Britani me anije të vogla.

Sekretari i Brendshëm i Reform UK, Zia Yusuf, e cilësoi situatën si një “shaka kombëtare”, duke akuzuar qeveritë konservatore dhe laburiste për dështim në kontrollin e kufijve.

Nga ana tjetër, një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme britanike deklaroi se qeveria nuk do të tolerojë abuzimin me kufijtë dhe se personat që rikthehen në mënyrë të paligjshme do të kapen dhe do të deportohen sërish. Sipas tij, rreth 70 mijë persona janë kthyer ose janë larguar nga Mbretëria e Bashkuar midis korrikut 2024 dhe marsit 2026, një rritje prej 41% krahasuar me periudhën pararendëse.