Pazaret e Fazlliçit (Ron Yeffet) në Shqipëri, në skenë Tzachi Nachmias dhe Sani Snilevitz, udhëtimet të dyshimta dhe marrëveshje korruptive

Kryesore

Publikuar: 28/06/2026

Pazaret e Fazlliçit (Ron Yeffet) në Shqipëri, në skenë Tzachi Nachmias dhe Sani Snilevitz, udhëtimet të dyshimta dhe marrëveshje korruptive

Një artikull i publikuar nga media izraelite TheMarker trajton marrëdhëniet e kryeministrit Edi Rama me biznesmenin izraelit Ron Yeffet, duke i lidhur ato me investimet në Shqipëri, projektet në industrinë e mbrojtjes dhe kritikat e opozitës shqiptare.

Sipas artikullit, Yeffet nuk është i vetmi biznesmen izraelit që gëzon marrëdhënie të afërta me Ramën. Përmendet edhe Sani Snilevitz, konsull nderi i Shqipërisë në Izrael, i cili po punon për ndërtimin e një spitali në Shqipëri. 

Gjatë vizitës së fundit të Ramës në Izrael, rreth pesë muaj më parë, kryeministri ishte i ftuar i Snilevitz dhe udhëtoi me një avion të marrë me qira nga partneri i tij i biznesit, Tzachi Nachmias.

Artikulli citon një hetim të medias shqiptare Reporter.aL, sipas të cilit fluturimi nuk është paguar nga qeveria shqiptare. Rama ka deklaruar se vizita kishte “elementë të sigurisë”, por nuk është bërë e ditur se kush e financoi udhëtimin.

Sipas shkrimit, Rama është gjithashtu vizitor i shpeshtë në rezidencën e Ron Yafet në Shqipëri. Yeffet ka interesa në sektorët e pasurive të paluajtshme, infrastrukturës dhe industrisë së mbrojtjes.

Një kompani në pronësi të tij është partnere e kompanisë shtetërore shqiptare KAYO, me të cilën ka ngritur një fabrikë në Shqipëri për prodhimin e mjeteve të blinduara, automjeteve zjarrfikëse, autoambulancave dhe mjeteve të pastrimit. Sipas artikullit, produktet u shiten institucioneve shqiptare, por edhe vendeve afrikane dhe shteteve anëtare të NATO-s.

Media izraelite kujton gjithashtu se në nëntor të vitit të kaluar Haaretz raportoi se kompania Elbit Systems do të furnizonte Shqipërinë me sisteme të avancuara artilerie dhe dronë në bashkëpunim me KAYO, ndërsa në prill 2025 media të huaja raportuan për planet e Elbit për ngritjen e një shkolle fluturimi në Shqipëri.

Artikulli ndalet edhe te kritikat politike në Shqipëri. Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, në një intervistë të dhënë në janar 2026, e cilësoi atë që ai e quan “Projekti KAYO” si “një projekt korruptiv për transferimin e aseteve shtetërore në duar private”.

Ahmetaj pretendoi gjithashtu se Yafet kishte qenë i përfshirë në çështje biznesi me Air Albania dhe kishte shfaqur interes për blerjen e borxhit publik të Shqipërisë.

Po ashtu, artikulli rikujton deklaratat e deputetit të Partisë Demokratike, Blendi Këlliçi, i cili në prill të këtij viti tha se fakti që kompania R&I Trading, në pronësi të Ron Yeffet, është përfshirë në një proces civil për mashtrim në SHBA, “kërcënon pozitën e Shqipërisë në NATO dhe sigurinë e Aleancës”.

Kjo lidhet me një padi të ngritur në një gjykatë në Florida nga biznesmeni amerikan Mark Faist, i cili pretendon se Yafet e ka mashtruar duke përdorur marrëdhënien e tij me kryeministrin Rama dhe duke i premtuar një takim me të për investime të ofruara nga kompania R&I Trading.

Megjithatë, autori i artikullit thekson se deri më tani këto pretendime nuk kanë çuar në ndonjë hetim zyrtar dhe se një proces civil në Florida, që lidhet me disa milionë dollarë, vështirë se mund të konsiderohet kërcënim për sigurinë e Shqipërisë apo të NATO-s.

Sipas tij, ajo që mund të ndikojë politikisht është ndërthurja e marrëdhënieve mes biznesit dhe pushtetit me protestat që po zhvillohen kundër projektit të Jared Kushner në Shqipëri.

Në reagimin e tij për gazetën, Ron Yeffet mohoi çdo akuzë.

“Nuk kam absolutisht asnjë lidhje me Air Albania. Figura të opozitës në Shqipëri po më përdorin mua dhe biznesmenë të tjerë si mjete për të sulmuar dhe dëmtuar kryeministrin e tyre,” deklaroi ai.

Edhe Zyra e Qeverisë Shqiptare hodhi poshtë pretendimet, duke i cilësuar ato të pabazuara.

“Në diskursin publik në Shqipëri bëhen aq shumë pretendime absurde, sa t’u përgjigjesh të gjithëve është jo vetëm e pamundur, por edhe vetë absurde. KAYO është një kompani shtetërore e krijuar sipas standardeve ndërkombëtare për bashkëpunim me sektorin privat në interes publik. Pretendimet për korrupsion janë tërësisht të pabazuara,” thuhet në reagimin e qeverisë.