Protestës së ‘flamingove’ për rrëzimin e qeverisë i është bashkuar edhe Leonard Bombaj, i denoncuar nga ish nxënësja e tij Ajsi Xhaxhaj se e ka përdhunuar për pesë vite me radhë nga mosha 10 deri në 15-vjeçare. Në protestën e radhës, Bombaj i është afruar banores së Rrjollit, Luçiana Kokaj, një nga ‘flamingot’ shquara të revolucionit. Bombaj ka përshkruar edhe mbresat që i ka lënë kontakti i parë me znj. Kokaj.
“Dita 28 e protestës. Takoj vajzën organizatore. Prisja një të çmendur, të ashpër, kokëkrisur. Por ajo ecte nëpër grupe njerëzish si amvisë mikpritëse, me sytë e qeshur dhe zë të butë, @lucianakokaj. Më tha: “Faleminderit që na bashkoheni. Na jepni forcë. Do ja dalim!” Miq! kam qenë edhe tek qyteti studenti në vitet 90, e njëjta energji epokale. Të rinj, madje edhe punonjës administrate, me fytyrë, të pa fshehur. Edhe sytë nëse më gënjejnë, energjia mes tyre, jo ata vetë, sinergjia I bēnte 1+1=11. Të tjerat do ti GJYKOJË KOHA. Dhe unë jam kaq i lumtur që i përkas artit dhe popullit që nuk e nxë dot asnjë parti. Dhe pas çdo vepre arti fshihet një krim më pak“, shkruan Bombaj.
Leonard Bombaj është hetuar si i dyshuar për abuzim seksual me ish nxënësen e tij Ajsi Xhaxhaj. Bombaj i ka mohuar akuzat, madje ka shkruar edhe një libër shfajësues për këtë histori. Bombaj ka pretenduar se Ajsin e ka përjashtuar nga “Sirea Film” kur ka zbuluar se ajo prostituohej, duke treguar se për këtë ka edhe filmime. Por Ajsi Xhaxhaj i qëndroi versionit të saj. “Unë i qëndroj strikte versionit të deponimit që kam bërë vite më parë në prokurori, sepse çështja ime nuk u mor kurrë në konsideratë, duke u vlerësuar vetëm versioni i palës tjetër… Por si çdo gjë në Shqipëri njerëzit me status dhe kostum kanë më shumë përparësi sesa unë, që vija nga një familje modeste”, ka thënë ajo.

(Ajsi Xhaxhaj)
Prokuroria e Krimeve të Rënda filloi një procedim penal ndaj regjisorit Leonard Bombaj, për akuzën e “marrëdhënies seksuale me të mitur”, por e pushoi më vonë. Sipas dosjes vajza ka shpjeguar se është aktivizuar në qendrën “Sirea Film” në moshën 8-vjeçare. Më pas, në moshën 10 vjeç, për shkak të afrimitetit familjar të krijuar ndërmjet saj dhe shtetasit Leondard Bombaj, ky ka kryer kundër dëshirës së saj marrëdhënie seksuale. Në kallëzim, vajza ka thënë se një ditë është ftuar nga Leondard Bombaj në banesën e këtij të fundit. Pasi kanë hyrë në banesë ku nuk ndodhej asnjeri, sipas kallëzueses, shtetasi Leonard Bombaj ka kryer marrëdhënie seksuale me të.

(Leonard Bombaj dhe Ajsi Xhaxhaj)
Vajza pretendoi se në muajin mars të vitit 2010 shtetasi Leonard Bombaj ka kryer përsëri marrëdhënie seksuale me dhunë me të, në një nga hotelet në rrugën nacionale Tiranë-Elbasan. Për të verifikuar pretendimet për përdhunimin e vajzës, asaj i është bërë ekspertizë mjekësore, nga ku ka dalë se vajza ishte “e zhvirgjëruar e hershme”. Prokuroria thotë se ka kryer edhe një sërë veprimesh të tjera, duke kontrolluar postën elektronike e telefonatat e regjisorit Leonard Bombaj, si dhe duke marrë në pyetje persona me dijeni për ngjarjen. Në përfundim, organi i akuzës ka vendosur pushimin e procedimit penal që ishte nisur ndaj Leonard Bombajt, me akuzën e “kryerjes së marrëdhënieve seksuale me të mitur”.