Marrëveshja mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për t’i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme po kalon një fazë delikate, ndërsa zhvillimet e orëve të fundit kanë sjellë shtyrjen e kontakteve të para të planifikuara në Gjenevë pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit nga presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti iranian Masoud Pezeshkian.
Sipas rrjetit libanez Al-Mayadeen, i afërt me Hezbollahun, delegacioni negociator iranian ka shtyrë udhëtimin drejt Zvicrës për shkak të sulmeve të vazhdueshme izraelite në Libanin jugor. Burime të rrjetit bëjnë të ditur se delegacioni ishte përgatitur për nisje dhe për fillimin e raundit të parë të negociatave, të cilat parashikohet të zgjasin 60 ditë, por vendosi të pezullojë udhëtimin në momentet e fundit.
Sipas raportimeve, Teherani kishte informuar më herët Uashingtonin dhe ndërmjetësit se situata në Liban mbetet një element kyç i negociatave dhe do të ndikojë drejtpërdrejt në ecurinë e bisedimeve. Irani argumenton se operacionet izraelite që shtrihen deri në 10 kilometra brenda territorit libanez përbëjnë shkelje të klauzolës së parë të Memorandumit të Mirëkuptimit dhe marrëveshjes kornizë.
Pak orë më vonë, edhe Shtëpia e Bardhë njoftoi shtyrjen e udhëtimit të zëvendëspresidentit amerikan J.D. Vance në Gjenevë. Sipas një zëdhënësi të administratës amerikane, vendimi lidhet me “çështje logjistike të pazgjidhura në lidhje me fazën e ardhshme të negociatave”.
“Planet për bisedimet teknike nuk janë finalizuar ende dhe delegacioni amerikan është gati të niset sapo të jetë e mundur. Logjistika e këtyre negociatave nuk ka qenë kurrë e thjeshtë apo e parashikueshme”, deklaroi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë.
Një ditë më parë, Vance kishte bërë të ditur se planifikonte të udhëtonte në Zvicër për të marrë pjesë në procesin e finalizimit të marrëveshjes dhe kishte theksuar se negociatat teknike pritet të nisin gjatë fundjavës, me të në krye të ekipit negociator amerikan.
Megjithatë, pavarësisht shtyrjes së kontakteve të para, tregjet financiare reaguan pozitivisht ndaj marrëveshjes së arritur mes Uashingtonit dhe Teheranit. Investitorët vlerësuan se marrëveshja mund të çojë në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe në normalizimin e flukseve globale të energjisë.
Indeksi japonez Nikkei 225 u rrit me 0.68%, ndërsa Kospi i Koresë së Jugut fitoi 0.78%. Edhe indeksi MSCI Azi-Paqësor shënoi rritje, duke iu afruar niveleve rekord. Klima pozitive u reflektua edhe në Wall Street, ku Dow Jones u rrit me 0.14%, S&P 500 me 1.08% dhe Nasdaq me 1.91%.
Ndërkohë, në tregun e energjisë, çmimet e naftës vijuan rënien. Nafta Brent u stabilizua në 79.63 dollarë për fuçi, ndërsa WTI amerikane ra në 76.05 dollarë. Analistët vlerësojnë se çmimet po shkojnë drejt humbjeve javore prej rreth 9%, pasi rifillimi i lundrimit në Ngushticën e Hormuzit ka ulur ndjeshëm frikën për ndërprerje të furnizimeve globale.
Rihapja e këtij korridori detar konsiderohet vendimtare për tregjet botërore, pasi rreth 20% e konsumit global të naftës dhe një pjesë e madhe e eksporteve të gazit natyror të lëngshëm kalojnë përmes tij.
Megjithëse tregjet mbeten optimiste, investitorët dhe diplomacia ndërkombëtare presin me interes raundin e ardhshëm të negociatave teknike, ku do të diskutohen çështje kyçe si heqja e sanksioneve ndaj Iranit, programi bërthamor i Teheranit dhe funksionimi afatgjatë i Ngushticës së Hormuzit.