Dosja kundër Ols Dados, shtohen paditësit, Shoqata për Media dhe Drejtësi ngre hijen e “21 Janarit” mbi emërimin e prokurorit të SPAK, i bashkohet procesit

Kryesore

Publikuar: 19/06/2026

Dosja kundër Ols Dados, shtohen paditësit, Shoqata për Media dhe Drejtësi ngre hijen e “21 Janarit” mbi emërimin e prokurorit të SPAK, i bashkohet procesit

Një zhvillim i ri është regjistruar në procesin gjyqësor që vë në diskutim ligjshmërinë e emërimit të prokurorit të SPAK, Ols Dado. Shoqata “Asociacioni Kombëtar i Medias dhe Drejtësisë” i është drejtuar Gjykatës Administrative të Tiranës me një kërkesë për t’u pranuar si ndërhyrëse kryesore në gjykimin e nisur nga Erion Veliaj, ku kërkohet konstatimi i pavlefshmërisë së emërimit të Dados në funksionin e prokurorit.  

Në kërkesën drejtuar gjyqtarit Hazbi Balliu, shoqata argumenton se çështja nuk prek vetëm statusin personal të një prokurori, por integritetin e sistemit të drejtësisë dhe ligjshmërinë e ushtrimit të pushtetit penal në Shqipëri. Sipas saj, nëse provohet se emërimi i Ols Dados është kryer në kundërshtim me ligjin, pasojat nuk kufizohen te karriera e tij, por shtrihen mbi të gjitha procedimet dhe çështjet ku ai ka ushtruar funksione si prokuror.  

Shoqata e lidh interesin e saj veçanërisht me rolin që Dado ka pasur në hetimet për dosjen e “21 Janarit”, duke theksuar se bëhet fjalë për një nga ngjarjet më të rënda në historinë e drejtësisë shqiptare, për të cilën edhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka konstatuar shkelje lidhur me efektivitetin e hetimit. Sipas kërkesës, çdo dyshim mbi ligjshmërinë e statusit të prokurorit që ka trajtuar një çështje të tillë merr rëndësi të jashtëzakonshme publike dhe institucionale.

Në përfundim, shoqata kërkon nga gjykata të pranojë pjesëmarrjen e saj në proces, duke argumentuar se mbrojtja e drejtësisë së pavarur, transparencës dhe interesit publik e legjitimon të marrë pjesë në një gjykim që, sipas saj, mund të krijojë precedent për kontrollin gjyqësor të emërimeve në sistemin e drejtësisë.

https://docs.google.com/viewerng/viewer?url=https://www.cdnimpuls.com/gazetatema.net/media3/1781856856xnr081-prot-2-160.pdf