Eric Wendt emërohet ambasador i SHBA në Shqipëri, senati e voton me 51 vota pro

Botë

Publikuar: 17/06/2026

Eric Wendt emërohet ambasador i SHBA në Shqipëri, senati e voton me 51 vota pro

Eric Wendt, sipas mediave, është konfirmuar nga Senati i SHBA-ve si ambasador i amerikanëve në Shqipëri.

Sipas mediave, kandidatura e Wendt u miratua me 51 vota pro dhe 47 kundër, pasi më herët ai mori edhe miratimin e Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë. Në dëgjesën publike të 20 majit në Uashington, Wendt paraqiti vizionin e tij për marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe iu përgjigj pyetjeve të senatorëve mbi korrupsionin, SPAK-un, investimet amerikane dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë.

Gjatë paraqitjes para senatorëve, Wendt renditi si prioritete kryesore luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin e partneritetit ushtarak mes SHBA-së dhe Shqipërisë, sigurinë kibernetike dhe krijimin e një klime më të favorshme për investimet amerikane.

Ai shprehu gjithashtu mbështetje për SPAK-un, të cilin e cilësoi një institucion të rëndësishëm, duke vlerësuar bashkëpunimin e tij me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit. Sipas Wendt, puna e strukturës antikorrupsion mbetet kyçe për sa kohë ajo ruan pavarësinë dhe qëndron larg ndikimeve politike. Eric Wendt u nominua nga Presidenti Donald Trump në prill të këtij viti. Ai konsiderohet një figurë me eksperiencë të gjatë në fushën e sigurisë kombëtare, me më shumë se 34 vite karrierë në ushtrinë amerikane. Gjatë karrierës së tij ka drejtuar forcat speciale amerikane dhe operacionet speciale të NATO-s në Europë, ndërsa ka bashkëpunuar edhe me strukturat shqiptare të sigurisë gjatë misioneve të Aleancës.

Drita jeshila nga Senati, i jep tashmë Wendt zyrtarisht detyrën si diplomat i SHBA në Tiranë. Ai pason Yuri Kim, në drejtimin e misionit diplomatik amerikan.