SPAK mer të pandehur ndrikullën e Salillarit (Entela Çanon), pasi u ‘dogj’ vetë përgatit të bijën për afera korruptive. Si e mësoi Çuçkën e Kolonjës të përlajë fondet publike. Oligarku drejt arrestimit për një dosje tjetër

Aktualitet

Publikuar: 19/06/2026

SPAK mer të pandehur ndrikullën e Salillarit (Entela Çanon), pasi u ‘dogj’ vetë përgatit të bijën për afera korruptive. Si e mësoi Çuçkën e Kolonjës të përlajë fondet publike. Oligarku drejt arrestimit për një dosje tjetër

SPAK njoftoi sot se ka marrë të pandehur duke e çuar për gjykim para GJKKO, Entela Çano, e njohur si ‘ndrikulla’ dhe doreza e oligarkut Pëllumb Salillarit për afera me tendera, situacione të rreme, certifikim i punëve të pakryera, falsifikime dhe pastrim parash, por edhe si mësuesja e Çuçkës së Kolonjës, Erion Isai, për vjedhjen e fondeve publike me tendera të manipuluar dhe të paracaktuar. “Entela Çano, me detyrën administratore pranë shoqërisë A& E Enginieering” sh.p.k., e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal“, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.

Entela Çano është marrë e pandehur nga SPAK si pjesë e grupit të hajdutëve të fondeve publike me në krye kryebashkiakun e Kolonjës, Erion Isai. E skeduar si ‘noterja’ Pëllumb Salillarit për zhvatjen e parave publike përmes mashtrimit me kontratat publike për ndërtim rrugësh, ujësjellësash, rikostruksion ndërtesash dhe punë të tjera publike, përmes devijimit të projekteve, situacioneve false për punë të pakryera dhe marifete të tjera, që të gjitha në funksion të maksimalizimit të përvetësimit të parave publike, Entela Çano mund të dënohet me shërbim prove, por mund edhe të përfundojë në burgun e grave të Pogradecit.

Në këtë kushte, Entela Çano pritet t’a kalojë kompaninë në emrin e të bijës, të cilën po e stërvit në administratën publike për afera korruptive, ndikim të paligjshëm dhe njohje me marifetet e pastrimit të parave. Ndërkaq, nën hetim është edhe bashkëpunëtori kryesor i Çanos, Pëllumb Salillari, për episode të tjera korrupsioni me tenderat publikë.

Në fillim të janarit 2026, me urdhër të SPAK dhe vendim të GJKKO, një skuadër e BKH-së ka ushtruar kontrolle dhe ka bastisur zyrat e ish faturinos së kthyer në oligark, Pëllumb Salillari, pjesë e dosjes së SPAK për ish zv/kryeministren Belinda Balluku. Bastisjet në zyrat e ‘bimbashit’ të korrupsionit Pëllumb Salillari janë kryer në kuadër të procedimit nr. 136 të vitit 2025, për dyshime mbi abuzimin e fondeve publike në projektet e infrastrukturës rrugore.

Pëllumb Salillari është përfitues i qindra milionë euro (para publike) përmes tenderave të paracaktuar me pazar në tavolinë, me oferta fituese sa fondi limit dhe duke mashtruar me zbatimin e kontratave publike, përmes deformimit të projekteve dhe situacioneve false, siç del edhe në dosjen e SPAK-ut. Vetëm gjatë 5 viteve të fundit në llogarinë e kompanisë Salillari kanë kaluar mbi 170 milionë euro nga buxheti i shtetit.

Ndërkaq, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar në shumë raste që Salillari, në bashkëpunim me supervizoren e tij Entela Çano, kanë mashtruar me zbatimin e kontratave për ndërtimin e veprave publike, me punime të pakryera, situacione false dhe deformim të projekteve me qëllim fitimi. Paratë e vjedhura dyshohet se i ka ndarë me zyrtarët e korruptuar, duke i pastruar në pasuri të paluajtshme, përfshirë edhe ndërtime pa leje.

Entela Çano është ‘çelësi’ i vjedhjes me tendera i oligarkut Pëllumb Salillari, një prej hajnave më të frikshëm në historinë e pluralizmit shqiptar, me një avantazh të dukshëm në raport me ‘ujqërit’ e tjerë të tenderave, pasi Salillari ka investuar miliona euro nga paratë e vjedhura, duke rekrutuar drejtues policie, gjyqtarë, prokurorë, hetues të BKH-së, madje edhe një prokuror të SPAK-ut.

Entela Çano është paketë me Salillarin, kur ky i fundit përfiton një tender publik. Nëse Salillari fiton një tender si zakonisht me pazar në tavolinë, mbikëqyrësja e punimeve duhet të jetë Entela Çano me kompaninë e saj të mashtrimit. Entela Çano është dora e Salillarit për certifikimin e punimeve të pakryera dhe deformimin e projekteve, me qëllim vjedhjen dhe ndarjen e parave publike. 

Entela Çano i mësoi Çuçkës së Kolonjës skemat e vjedhjes

Jo rastësisht, Entela Çano, administratore dhe pronare e kompanisë suprvizuese A & E ENGINEERING sh.p.k., rezulton nga hetimet e SPAK-ut në rolin e ‘tutores’ së kryebashkiakut të Kolonjës, Erion Isai, i njohur si Çuçka e Kolonjës, në aferat korruptive me tenderat publikë. Si ‘fillestar’ në operacionet e vjedhjes së parave publike, Çuçkës së Kolonjës i ofruan ‘ustalleshën’ Entela Çanon, për kopsitjen e praktikave korruptive në Bashkinë e Kolonjës.

Si një zanatçije e vjetër e zhvatjes së fondeve publike, Entela Çano vepron me shpejtësi, ndërsa në komunikime tregohet e rezervuar, e matur dhe fjalëpakë, ndërsa Çuçka i nxituar dhe i paduruar, ku shprehet ‘jepi shefe’, ‘zjarr shefe’, ‘je yll’, ‘vulose tani’ etj.

Veprat publike që ka mbikqyrur ‘merimanga’ e zhvatjes së fondeve publike Entela Çano

-Ndërtim i rrugës Korçë-Ersekë. 

-Mbikqyrje e mirëmbajtjes në Tunelin e Llogarasë.

-Kardhiq-Delvinë loti 7. 

-Elbasan-Paperr faza III. 

-Zgjerimit i superstradës Tiranë-Durrës, faza e tretë.

-Zgjerimi i rrugës së Ksamilit. 

-Rehabilitim i segmentit rrugor mbikalimi pallati me shigjeta-rrethrrotullimi Shqiponja Loti 1.

-Vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja- Lumi i Tiranës, Loti 1. 

-Zgjerimi i rrugës Elbasan- Qafë-Thanë (Faza IV). 

-Ndërtim dhe rikonstruksion i rrjetit të ujësjellësi në qytetin e Tiranës.

-Ndërtim rrjet ujësjellësi në zonën e Autostradës Tiranë-Durrës.

-Ndërtim i Urës së Zemblakut, Urës së Kaludhit, Urës së Dragotit dhe Urës së Leklit. 

-Rikonstruksion i linjës Dn-450mm të Bërxullit.

-Sistemim, asfaltim dhe kthim në gjendje fillestare të segmenteve rrugore pas ndërhyrjes në rrjetin e Ujësjellësit dhe kanalizimeve në qytetin e Tiranës.

-Ndërtim rrjet kanalizimesh në Rezidencën Studentore RSU3.

-Rindërtimin e 8 objekteve arsimore në Bashkinë e Tiranës. 

-Ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit në fshatrat e thellë të Kolonjës.

-Ndërtim dhe rikonstruksion linjash kanalizimi në njësitë 1,2,3,4,5 dhe Drejtorine Rajonale.

-Rikonceptimi i kopshtit zoologjik. 

-Përmirësimi i matjeve të enteve private që përdorin ujin si lëndë të parë.

Rehabilitimi i Emergjencës Civile, Mbrojtja e Digës Liqeni Çekrezë

Rikonstruksion i rrugës Xhorxh W Bush dhe rehabiltim i fasadave. 

-Ndërtim i zyrave qëndrore të Ujësjellës Kanalizime Tiranë. 

Ndërtim i tregut për shitjet me shumicë dhe pakicë të produkteve ushqimore (Tirana Agrikulturë).

-Riforcimin e njësive të banimit në ndërtesa (pallat) në Bashkinë Tiranë (Programi i Rindërtimit).

-Ndërtim i ujësjellësave për zonat bregdetare, Bashkia Lezhë.

Ndërtimi i godinës 7 (Seksioni A) në zonën zhvillimore “Kombinat”.

Rindërtimin e njësive të banimit në ndërtesa (pallat) në zonën e shpallur për zhvillim të detyruar, zona “5 Maji” Bashkia Tiranë.

-Rindërtimi i njësive të banimit në ndërtesa (pallat) në zonën e shpallur për zhvillim të detyruar, zona Kombinat. 

-Ndërtim i sallës së koncerteve, pranë auditorit të Liceut Artistik Jordan Misja.

-Rikonstruksion i pjesshëm i shkollës së mesme të përgjithshme Andon Z. Çajupi.

-Ndërtimi i shkollës 9 vjeçare “Myslim Hida ”, Arapaj.

-Ndërtim i ri i shkollës 9-vjeçare “S. Maçi”.

-Rikonstruksion i Shkollës 9- vjeçare ”Dora D’Istria”.

-Ndërtim i shkollës 9-vjeçare ”Kosova” ,Tiranë.

-Supervizion mirëmbajtje me performancë të rrugëve për Rajonin Jugor.

-Rikonstruksioni i rrjetit ujitës të rezervuarit të Gjonçit, Bashkia Kolonjë.

Njoftimi i plotë i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 280/1 të vitit 2020, në ngarkim të të pandehurve:

Erion Isai, me detyrën e kryetarit të Bashkisë Kolonjë, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuara nga nenet 248 e 25, 258 e 25 të Kodit Penal;

Eljona Mydini, ish zëvendëskryetare e Bashkisë Kolonjë, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës“, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal;

Ergys Verdho, ish Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës“, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal;

Erald Elezi, ish Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve, pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës“, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal;

Genti Raça, me detyrën e përgjegjësit të sektorit të preventivit pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës“, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal;

Donikë Shehu, ish specialiste e nivelit të lartë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës“, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal;

Klarita Konomi, ish specialiste e nivelit të lartë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, e akuzuar për kryerjen e veprës akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258, 25 i Kodit Penal;

Nikollaq Mihali, me detyrën e specialistit të nivelit të lartë pranë Autoritetit Rrugor shqiptar, e akuzuar akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258, 25 i Kodit Penal;

Erdit Salillari, me detyrën e përgjegjësit të sektorit të hartimit të projekteve të huaja pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258, 25 i Kodit Penal;

Erjon Cenko, Engjëll Dine, Ermal Zylfo, punonjës të Bashkisë Kolonjë, të akuzuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve, në bashkëpunim”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuara nga nenet 186/ 2, 258 e 25 të Kodit Penal;

Armand Tafil, Muharrem Tartari, Shpëtim Liço, punonjës të Bashkisë Kolonjë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258, 25 i Kodit Penal;

Entela Çano, me detyrën administratore pranë shoqërisë A& E Enginieering” sh.p.k., e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal.

Nga kryerja e veprimeve hetimore, provat e administruara rezultuan fakte penale për personat përgjegjës të autoritetit kontraktor dhe institucionet e tjera shtetërore, ndërvepruese në disa procedura prokurimi, të zhvilluara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Bashkia Kolonjë.

1.Në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i rrugës Korçë Ersekë, Loti 2 (pjesa parë)”, me fond limit 2,879,999,858.89 (dy miliardë e tetëqind e shtatëdhjetë e nëntë milion e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e tetëqind e pesëdhjetë e e tëtë pikë tetëdhjetë e nëntë) lekë me tvsh, zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në datën 24.09.2020, ka rezultuar se:

Në lidhje me projektin e paraqitur si nismë e Bashkisë Kolonjë, në kuadër të procedurës së ndjekur për “Shërbim projektimi në formë dhurimi/donacioni” me objekt “Ndërtim rruga Korçë–Ersekë, Loti 2”, nga veprimet hetimore dhe provat e administruara është konstatuar se Bashkia Kolonjë nuk ka disponuar dokumentacion projektues të përgatitur prej saj për këtë objekt, ndonëse ekzistojnë korrespondenca zyrtare me Autoritetin Rrugor Shqiptar në të cilat paraqitet e kundërta.

Nga provat e administruara, mbështetur edhe nga eskpertimi grafik i shkrimit dhe nënshkrimit të dokumentit, ka rezultuar se grupi i punës së Bashkisë Kolonjë, i përbërë nga shtetasit Erjon Cenko, Engjëll Dine, në bashkëpunim me personin që ka dhuruar projektin, shtetasen Entela Çano, administratore e shoqërise “A& E Enginieering”sh.p.k, kanë falsifikuar procesverbalin e marrjes në dorëzim të projektit nga Bashkia Kolonjë, ndërkohë që rezulton se nuk ka pasur projekt.

Sa i takon, përcaktimit të fondit limit për procedurën e prokurimit, nga ana e shtetasve Ergys Verdho, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor dhe personave të tjerë përgjegjës të Autoritetit Rrugor Shqiptar, shtetasit  Erald Elezi, Genti Raça dhe Donikë Shehu, nuk rezulton të jetë ndjekur rruga ligjore për përcaktimin e fondit limit.

Në kohën e hartimit të preventivit përfundimtar, të përgatitur nga ana e shtetasve Erald Elezi, Genti Raça, Donikë Shehu, dokument i miratuar edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, shtetasi Ergys Verdho, nuk rezulton të ketë pasur projekt të hartuar dhe propozuar nga Bashkia Kolonjë, siç është paraqitur si dokumentacion i formalizuar nga Bashkia Kolonjë.

Përcaktimi i fondit limit nga ana e grupit të punës, personat përgjegjës të Autoritetit Rrugor Shqiptar, shtetasit Erald Elezi, Genti Raça dhe Donikë Shehu, është bërë mbi bazën e të dhënave të përgatitura dhe të paraqitura dorazi nga vetë personi i interesuar, shtetësja, Entela Çano, administratorja e shoqërisë “A & E Engineering” sh.p.k, e cila që ka fituar më pas kontratën e mbikëqyrjes së zbatimit të punimeve për këtë objekt, ndërtimi i rrugës Korçë-Ersekë, loti i 2 (pjesa e parë).

Në përgatitjen e preventivit që ka shërbyer edhe për përcaktimin e fondit limit të autoritetit kontraktor, nga ana e shtetasve  Ergys Verdho, në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe personave përgjegjës të tjerë, shtetasit Erald Elezi, Genti Raça dhe Donikë Shehu, është vepruar në kundërshtim me ligjin nr.162/2020 “Për prokurimin publik”, VKM nr.914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, ligjin nr. 10296, datë 8.7.2010, “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, të ndryshuar, ligjin nr.10164, datë 15.10.2009 “Për Autoritetin Rrugor Shqiptar”, VKM nr.276, datë 16.5.2018 “Për miratimin e organizimit, të strukturës, organikës dhe statutit të Autoritetit Rrugor Shqiptar”.

Nga provat e administruara, mbështetur edhe nga ekspertimi teknik vlerësues dhe kontabël, ka rezultuar se fondi i përcaktuar nga autoriteti kontraktor për këtë procedurë prokurimi është fryrë në vlerën 590,213,874(pesëqind e nëntëdhjetë milion e dyqind e trembëdhjetë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e katër) lekë, që përbën edhe dëm ekonomik të shkaktuar shtetit.

2.Procedura e prokurimit me objekt: “Supervizim i punimeve për ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë, loti i 2 (pjesa e parë)”, me fond limit  22,704,145 (njëzet e dy milion e shtatëqind e katër mijë e njëqind e dyzet e pesë) lekë me tvsh, zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në datën 14.10.2020,  ka rezultuar se:

Erdit Salillari, Klarita Konomi, Niko Mihali, nën cilësinë e anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar dhe VKM nr.914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, duke krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë e shtetases Entela Çano, “A&E Engineering” sh.p.k. 

3.Procedura e prokurimit me objekt: “Mbikëqyrje Punimesh Ndërtim i Ujësjellësit Ersekë dhe të disa fshtarave Faza e dytë nga burimet e Kozelit”, me fond limit 4,623,021.7 lekë me tvsh, zhvilluar nga Bashkia Kolonjë, zhvilluar në datën 06.10.2020, ka rezultuar se:

Në lidhje me përllogaritjen e fondit limit dhe hartimin e specifikimeve teknike, shtetasit Muharem Tartari, Engjëll Dine, Ermal Zylfo, nën cilësinë e anëtarëve të komisionit të përllogaritjes së fondit limit dhe hartimin e specifikimeve teknike, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Erion Isai, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr.162/2020 “Për prokurimin publik”, si dhe VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, me qëllim favorizimin dhe krijimin e privilegjeve të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi, shoqëria “A&E Engineering” sh.p.k.

Anëtarët e komisionit të përllogaritjes së fondit limit dhe hartimin e specifikimeve teknike,  shtetasit Muharem Tartari, Engjëll Dine, Ermal Zylfo, në përllogaritjen e fondit janë bazuar pa kryer një studim real të tregut, duke u mbështetur në oferta fiktive të përgatitura nga vetë shoqëria fituese e kësaj procedure prokurimi, shoqëria “A&E Engineering” sh.p.k. Si dhe specifikimet teknike janë përgatitur  nga administratorja e shoqërisë “A&E Engineering” sh.p.k.,shtetasja Entela Çano.

Në lidhje me hartimin e dokumenteve standarde të tenderit, anëtarët e njësisë së prokurimit, shtetasit Armand Tafil, Erjon Cenko, Shpëtim Liço, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Erion Isai, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr.162/2020 “Për prokurimin publik”, si dhe VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik” i ndryshuar, me qëllim favorizimin dhe krijimin e privilegjeve të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi, shoqëria “A&E Engineering” sh.p.k.

Anëtarët e njësisë së prokurimit, shtetasit Armand Tafil, Erjon Cenko, Shpëtim Liço, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Erion Isai, kanë miratuar dokumentet standarde të tenderit duke vendosur kritere të përcaktuara nga vetë shoqëria fituese e kësaj procedure prokurimi, shoqëria “A&E Engineering” sh.p.k.