Një video skandaloze dhe me implikime penale, e cila reflekton arrogancë, shpërdorim detyre, papërgjegjshmëri, frikë nga transparenca dhe llogaridhënia, po qarkullon ditët e fundit në rrethet politike, institucionale dhe mediatike. Protagonist i videos që do të skandalizonte çdo shtet normal është kryetari Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba, i skeduar si sekser gjyqtarësh, për afera, pazare dhe pasuri të dyshimta.
Dy ditë më parë, gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë, Biba deklaroi para deputetëve se nuk njeh Kontrollin e Lartë të Shtetit, institucionin më të lartë kushtetues të kontrollit financiar. Biba përbetohet se nuk do t’a lejojë KLSH-në të auditojë veprimtarinë dhe vendimarrjet e Autoritetit të Konkurrencës, duke pretenduar se kjo veprimtari është sekret.
Biba, i cili ka kërkuar makina luksoze, perde me pult dhe kompetenca si të SPAK-ut për sekuestrim telefonash për të ‘zbuluar’ monopolet në tregje dhe marrëveshjet e ndaluara, kërkon edhe imunitet nga auditimi i KLSH-së, me alibinë e sekretit të veprimtarisë thua se drejton Shërbimin Infomativ Shtetëror apo Shërbimin Informativ të Ushtrisë. Gjatë fjalës së tij, Biba thotë se jo vetëm KLSH, por as Kuvendi nuk mund të hapë letrat e vendimarrjeve të Autoritetit të Konkurrencës, i dyshuar dhe lakuar për pazare në mbrojtje të monolopeve dhe karteleve.
Gjatë fjalës së tij, Biba tha se vendimarrjet e Autoritetit të Konkurrencës janë të barasvlefshme me vendimet e gjykatës dhe prokurorisë, ku si të tilla nuk mund të verifikohen nga asnjë institucion tjetër. Për shkak të protestave që po trondisin kastën politike 35-vjeçare raportimi skandaloz i Denar Bibës në Komisionin e Ekonomisë kaloi pa marrë vëmendjen e dukur mediatike.
Po pse Denar Biba i trembet auditimit të KLSH-së, një institucion kushtetues që kontrollon pjesërisht edhe veprimtarinë e SHISH? Ku qëndron sekreti i vendimeve të Autoritetit të Konkurrencës, të cilit Biba kërkon t’i vendosë fytyrën e prokurorisë? A i digjet vërtetë barku Denar Bibës për sekretin e madh dhe me rëndësi për ‘sigurinë kombëtare’ që mbart veprimtaria e Autoritetit të Konkurrencës apo i trembet ekspozimit të aferave korruptive, pazareve dhe dallavereve të tij me përfaqësueist e monopoleve?
Biba i ‘Konkurrencës’ i “qan” hallet zhvatësit “One Albania”: S’e hetuam se ju prish serveri dhe humbën shumë lekë!
Kompania ‘One’ është denoncuar shpesh herë nga qytetarët qoftë për çmimet e larta apo edhe për shërbimin celular të dobët. Duke shfrytëzuar kufizimin e konkurrencës në tregun e shërbimeve celulare në vend, kompania One Albania rrit herë pas here çmimet. Në vend që të mendojë për dëmin që i ka shkaktuar qytetarëve, Denar Biba i doli në mbrojtje kompanisë “One Albania” dhe madje shqetësohet për humbjet që ka pasur kompania si shkak i një problemi me serverat.I ndodhur në këto kushte, Biba ka ndjerë keqardhje për humbjet monetare që ka pasur kompania dhe ka vendosur të mos nisë një hetim ndaj saj.
“Kompania në fjalë kishte humbur një numër domethënës klientësh për shkak të një problemi teknik. Ndërruan serverat dhe patën probleme. Kur ti humbet treg, humbet para, nuk e di si mund të identifikohet shkelje e ligjit nga autoriteti i konkurrencës. Në këtë pikë vlerësuam se nuk ishte e nevojshme për të shkuar në hetim”, tha Biba kohë më parë në Kuvend.
Pazaret e Denar Bibës me kartelin e miellit
Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba, me votën e tij shpëtoi mafien e miellit nga një gjobë me vlerë 5 milionë euro, për shkak të një pazari të kartelit për të rritur çmimin e miellit dhe bukës me bashkërendim, për të vjedhur shqiptarët. Kur u thirr në Kuvend për të dhënë sqarime, Biba mori në mbrojtje oligarkët e miellit që kanë kapur 80 % të tregut të miellit, duke rritur çmimin sa herë të duan, për shkak të mungesës së konkurrencës dhe tregut të lirë.
Nuk kishte ndodhur kurrë më parë që kreu i një institucioni publik, i cili duhet të mbrojë interesin publik, të bëhej avokat i kartelit të miellit. Nuk dihet së çfarë interesi i fuqishëm e ka detyruar Bibën që të bëhej avokat i kartelit të miellit. Në rrethet politike dhe mediatike thuhet se një nga oligarkët e miellit, Fiqoja i Vorës, e ka mbuluar Bibën me para.
Denar Biba u pyet disa herë nga deputetët se pse votoi për t’i hequr gjobën kartelit të miellit. Në vend të përgjigjes, Biba spërdridhej, bënte retorikë dhe në fund pati edhe pafytyrësinë që të mohonte propozimin për gjobë. Në fillim Biba tha se gjoba ishte tepër e lartë, ndërsa më pas tha se nuk kishte propozim për gjobë.
Konkurrenca’ mbyll hetimet dhe fal Spitalin Amerikan e Hygeian të Allajbeut, kanë pozitë dominuese, por ‘u sollën mirë pasi bënë oferta’
Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të mbyllë hetimin paraprak ndaj dy prej aktorëve më të mëdhenj të tregut privat spitalor në vend, American Hospital, i njohur ndryshe si Spitali Amerikan dhe International Hospital ose siç njihet më mirë Spitali Hygeia (të dy spitalet të Klodian Allajbeut), por mënyra se si është trajtuar ky proces ngre më shumë pikëpyetje sesa përgjigje. Vendimi për hapjen e hetimit paraprak u mor në prill 2025. Ndërsa vendimi për mbylljen e procedurës, të cilin e konsultoi ekofin.al është marrë në korrik 2025, por është bërë publik vetëm së fundmi në faqen zyrtare të Autoritetit të Konkurrencës, duke vënë në diskutim serioz transparencën dhe llogaridhënien e këtij autoriteti ndaj publikut dhe tregut.
Komisioni i Konkurrencës pranon qartë se këto dy ndërmarrje kanë një rol dominues në tregun e shërbimeve spitalore private në Shqipëri. Sipas analizës, ato zotërojnë një pjesë të konsiderueshme të tregut dhe, më e rëndësishmja, ofrojnë shërbime të avancuara dhe ekskluzive që nuk gjenden as në sektorin publik. Bëhet fjalë për ndërhyrje të specializuara si trombektomia mekanike, transplantet e veshkave apo teknologjitë e avancuara diagnostikuese si PET-CT, të cilat sipas Komisionit të Konkurrencës përbëjnë “shërbime të domosdoshme” në kuptimin e ligjit për konkurrencën.
Pra, kemi një konstatim të qartë: tregu është i përqendruar, shërbimet janë të diferencuara dhe barrierat e hyrjes janë të larta, qoftë për shkak të kostove teknologjike, mungesës së stafit të kualifikuar apo rregullimit sektorial. Në kushte të tilla, çdo manual i konkurrencës do të sugjeronte një vëmendje të shtuar ndaj rrezikut të abuzimit me pozitën dominuese.