Partia Demokratike ka njoftuar se Departamenti amerikan i Shtetit ka hequr non gratën për Sali Berishën, të shpallur 5 vite më parë, nga ish-sekretari i shtetit, Antony Blinken për korrupsion dhe minim demokracie. Nga Departamenti Amerikan i Shtetit nuk ka asnjë komunikim zyrtar, dhe as nga ambasada e SHBA-ve në Tiranë, por njoftimi u lajmërua nga vetë zyra e shtypit e PD-së si edhe nga vetë Berisha në një përgjigje për gazetarët jashtë Kuvendit kur tha se “përderisa jam këtu, është komunikim zyrtar”.
Sipas mediave pranë PD, ky vendim i është komunikuar Berishës në një bisedë telefonike 15 minutëshe nga e ngarkuara me punë e SHB-ve Nany Van Horn. Por, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë nuk ka preferuar të komentojë ndryshimin e statusit të kreut të PD.
Të pyetur në lidhje me këto pretendime, Ambasada nuk jep asnjë koment dhe e referon çështjen te Departamenti Amerikan i Shtetit. Deri tani, DASH nuk ka bërë publik asnjë vendim të ri zyrtar që konfirmon ndryshimin e masës së mëparshme të vendosur ndaj Berishës dhe familjes së tij.
Njoftimi i PD-së
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një prononcim për gazetarët jashtë sallës së parlamentit, ka deklaruar se ka pasur një komunikim zyrtar për heqjen e sanksioneve nga SHBA.
Gjatë bisedës me gazetarët, Berisha u shpreh se, nuk ka qenë kurrë non-grata, por ka pasur vetëm një ndalim hyrje.
Prononcimi i kryetarit të PD, Sali Berisha:
Çdo shqiptari unë i thashë në parlamentin e Shqipërisë, u ktheva.
Zoti Berisha a mund të na thoni me kë keni komunikuar?
Sali Berisha: Përderisa jam këtu, unë kam pasur komunikim zyrtar. E gjitha çfarë mund t’u them: unë u ktheva.
Është vetëm për ju apo për të gjithë familjarët tuaj?
Sali Berisha: Sali Berisha nuk ka qenë kurrë non-grata. Të jeni të sigurtë.
Ka qenë se kemi njoftimin e Blinkenit?
Sali Berisha: Nëse do tani, po të them, Sali Berisha nuk ka qenë kurrë non-grata. Ka pasur një sanksion, vizën.
Pra, nga sot ju mund të lëvizni i lirë?
Sali Berisha: Tani edhe njëherë, se ti nuk e ke gabim që pyet, sepse kundërshtarët e mi e quajtën non-grata dhe unë nuk është se e kundërshtova.
Ka qenë një sanksionim për ju dhe familjarët tuaj për minim demokracie dhe korrupsion.
Sali Berisha: Edhe njëherë, ka qenë një ndalim hyrje për ato arsye që thua ti në SHBA.
Sot është hequr për ju dhe për familjen tuaj apo vetëm për ju?
Sali Berisha: Sot unë them u ktheva. U ktheva!
PD njoftoi heqjen e non gratës për Berishën, Balla: Vështirë të hiqet, po e shisni si fitore të protestës
Kreu i grupit të PS, Taulant Balla ironizoi deputetët demokratë të cilët në sallën e Kuvendit shitën si triumf njoftimin e PD se Sali Berishës i është hequr non grata. Balla tha se është vështirë të hiqet, dhe se do të komentojë kur të ketë njoftim zyrtar. Ndërsa me ironi deputeti Belind Këlliçit iu përgjigj se po e shesin si fitore të protestës.
“Po na thuhet sot këtu që protesta e ka arritur suksesin e parë dhe është hequr non grata? Madje ndryshuat edhe sloganin. Thoni se protestuesit nuk do të thërrasin më ‘Berisha në burg’, por ‘Berisha në Uashington. Statusi non grata është vendosur mbi bazën e seksionit 7031(c). Në vlerësimin tim është pak vështirë të hiqet. Unë do ta komentoj vetëm kur të ketë një njoftim zyrtar nga DASH ose nga ambasada amerikane. Nuk komentoj biseda telefonike, sepse nuk është korrekte dhe nuk është institucionale. Kot lodheni ta vidhni protestën. Jo Sali Lushën të çoni atje, jo të gjithë ju të shkoni në protestë, ajo nuk bëhet pronë e juaja”, tha Balla.