Valë migrantësh drejt Kretës, Greqia forcon masat e kontrollit në det

Aktualitet

Publikuar: 11/06/2026

Valë migrantësh drejt Kretës, Greqia forcon masat e kontrollit në det

Rreth 550 migrantë janë ndaluar ose shpëtuar nga autoritetet greke gjatë 48 orëve të fundit në jug të ishullit të Kretës dhe pranë ishullit Gavdos, në një nga valët më të mëdha të mbërritjeve të kohëve të fundit në këtë rajon të Mesdheut.

Sipas Rojës Bregdetare Greke, operacionet u zhvilluan në disa zona detare pas sinjalizimeve për mjete lundruese të mbingarkuara që po transportonin emigrantë drejt brigjeve greke.

Autoritetet bëjnë të ditur se fluksi i varkave që nisen nga Libia drejt Kretës ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë javëve të fundit. Operacioni më i madh i shpëtimit u realizua në jug të Kretës, ku gati 200 persona, mes tyre 42 fëmijë të mitur, u nxorën nga një anije peshkimi dhe u transportuan në mënyrë të sigurt në tokë.

Të mbijetuarit deklaruan se kishin nisur udhëtimin nga brigjet libiane dhe se secili prej tyre kishte paguar rreth 3 mijë dollarë amerikanë për kalimin drejt Europës. Autoritetet greke dhe organizatat ndërkombëtare kanë paralajmëruar prej kohësh për rreziqet e mëdha që paraqet kjo rrugë migratore.

Distanca prej afërsisht 300 kilometrash mes Libisë dhe Kretës është bërë një nga korridoret më të përdorura nga rrjetet e trafikimit të qenieve njerëzore, të cilat përfitojnë nga dëshira e migrantëve për të arritur në Bashkimin Evropian.

Ministri grek i Migracionit, Thanos Plevris, deklaroi së fundmi se në Libi ndodhen aktualisht më shumë se 500 mijë persona që presin mundësinë për të vazhduar rrugën e tyre drejt Europës.

Zhvillimet në terren përkojnë me ndryshime të rëndësishme në politikën migratore të Greqisë. Parlamenti grek ratifikoi së fundi rregullat e reja të Bashkimit Europian për emigracionin dhe azilin. Ligji i ri do të hyjë në fuqi më 12 qershor dhe përfshin një sërë masash të reja për menaxhimin e emigracionit.

Mes dispozitave kryesore parashikohet ngritja e qendrave të mbyllura të pritjes në vende të treta, si dhe procedura më të shpejta për trajtimin e kërkesave për azil.