“Opozitë e shitur”, “Qeveri teknike”, “Revolucion”/ Protesta shkund kastën politike, ja mesazhet në shesh

Kryesore

Publikuar: 08/06/2026

“Opozitë e shitur”, “Qeveri teknike”, “Revolucion”/ Protesta shkund kastën politike, ja mesazhet në shesh

Mijëra qytetarë janë mbledhur në sheshin “Skënderbej” dhe kanë marshuan drejt Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

“Edi Rama dorëhiqu”, “Shqipëri e Re”, “Atdheu nuk shitet”, “Shqipëria është e shqiptarëve”, “Revolucion”, “Dorëheqje”, “Qeveri teknike” dhe “Anulo projektin” ishin disa nga thirrjet që dominuan protestën e zhvilluar sot në Tiranë.

Mes thirrjeve kundër qeverisë, protestuesit rezervuan kritika edhe për opozitën. Në disa momente të marshimit u dëgjuan thirrjet “Opozitë e shitur”, duke sinjalizuar pakënaqësi jo vetëm ndaj mazhorancës, por edhe ndaj partive tradicionale opozitare.

Mesazhi i protestuesve ishte se kriza e përfaqësimit politik nuk lidhet vetëm me qeverinë aktuale, por me të gjithë klasën politike, të cilën një pjesë e qytetarëve e akuzojnë se ka dështuar të mbrojë interesin publik dhe pasuritë kombëtare.

Mesazhet e dëgjuara gjatë tubimit treguan se protesta po shkon përtej kundërshtimit të një projekti të vetëm. Thirrje si “Shqipëri e Re”, “Qeveri teknike” dhe “Revolucion” pasqyrojnë një pakënaqësi më të gjerë ndaj qeverisjes dhe mënyrës së administrimit të pasurive publike.

Një nga sloganet që përsëritet është “Rama në burg, Berisha në burg”, një mesazh që për shumë pjesëmarrës përfaqëson refuzimin e klasës tradicionale politike dhe kërkesën për përgjegjësi politike pa dallim krahësh.

Organizatorët theksuan se protesta nuk është as antiamerikane dhe as antievropiane, por një lëvizje qytetare në mbrojtje të ligjit, drejtësisë dhe pasurive kombëtare. Ata u bënë thirrje pjesëmarrësve të shmangnin çdo provokim dhe të ruanin karakterin paqësor të tubimit.

Pas nëntë ditësh mobilizimi të pandërprerë, protesta po merr gjithnjë e më shumë tiparet e një lëvizjeje me mesazhe të qarta politike. Nëse në fillim fokusi ishte vetëm te anulimi i projektit të Zvërnecit, sot në shesh u dëgjuan kërkesa që prekin drejtpërdrejt qeverisjen, përfaqësimin politik dhe të ardhmen e vendit.

Të rinj, të reja, fëmijë, të moshuar, janë bërë bashkë në këtë protestë dhe në këtë kauzë e cila duket se nuk ndalet, por ka bërë bashkë të gjithë shqiptarët, jo vetëm në Shqipëri, dhe edhe jashtë kufijve.

/pamfleti