Një ditë më parë, gjatë një takimi në Elbasan, kryeministri Edi Rama sulmoi dhe ironizoi blogeret dhe influencerat, të cilët kanë qenë të shumtë në protestat që kërkojnë dorëheqjen e tij. Kreu i qeverisë, teksa imitoi me mimika ata, tha gjithashtu se gjithçka e bëjnë për klikime dhe për të marrë lekë, ndërkohë që nuk paguajnë asnjë taksë.
Imitimi i blogereve, moderatoreve dhe influencerave nga Rama me mimika, duke demostruar edhe njëfarë nervozizmi, duket se tingëllon, përpos të tjerave, edhe për moderatoren dhe influenceren Fatma Haxhialiu. Kjo e fundit ka qenë tejet aktive në mbështetje të protestës, me pjesëmarrje, pasqyrim dhe mesazhe.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se blogerë, analistë dhe gazetarë kalojnë pushimet në Green Coast, paguhen me para në dorë dhe nuk paguajnë taksa, mesazh i cili duket se tingëllon për blogerin Olti Curri, të cilit Monika Kryemadhi i ka dhuruar një shtëpi te Kodra e Diellit në shenjë mirënjohje për shërbimet e tij. Ndryshe nga Fatma, Curri e ka mbështetur protestën në distancë, duke kaluar pushimet në bregdet.



Protesta që mori shkas nga një ngjarje arrogante në Vlorë, konsiderohet si protesta e parë serioze, e paprecedentë, qytetare, paqësore, masive dhe evropaine kundër klasës politike 35-vjeçare shqiptare. As vetë Edi Rama, i cili është subjekti kryesor i revoltës, nuk e ka fshehur ‘dashurinë’ për protestën, gjetjet, mesazhet dhe kreativitetin. Nga ana tjetër, Sali Berisha, subjekti i dytë kryesor i revolucionit pas Edi Ramës, i qan zemra për t’iu bashkuar dhe pse jo për t’u bërë protagonist i protestës, e cila si moto kryesore ka ‘Rama n’burg, Berisha n’burg’.