Pas disa ditësh hezitimesh dhe sulmesh nga disa eksponentë të saj ndaj protestës së qytetarëve që po zhvillohet prej një jave në Tiranë, Partia Demokratike duket se ka marrë vendimin për t’iu bashkuar tubimit të sotëm para Kryeministrisë, ku si gjithnjë do ketë parulla ‘Rama n’burg, Berisha n’burg’.
Në grupet e komunikimit të demokratëve po qarkullon një mesazh ku mbështetësit ftohen të mblidhen në orën 18:00 përballë Piramidës, pranë stacionit të autobusit, për t’iu bashkuar protestës. Në mesazh protesta cilësohet si “mbarëkombëtare”, ndërsa u bëhet thirrje demokratëve të dalin në shesh dhe të bashkojnë zërin e tyre me atë të qytetarëve.

Njoftimi thekson nevojën për unitet dhe vazhdimin e protestave deri në arritjen e qëllimeve të shpallura. Lëvizja shënon përfshirjen e parë të organizuar të Partisë Demokratike në protestat që nisën si reagim ndaj projektit në Zvërnec dhe që gradualisht kanë marrë edhe karakter politik, me thirrje kundër qeverisë, por edhe opozitës.
Mes deputetëve të PD që pritet të marrin pjesë në protestë, mësohet se do të jetë edhe Klevis Balliu. Sipas burimeve, Balliu do të shoqërohet me të ashtuquajturin grupi i molotovit. Nuk dihet nëse Sali Berisha synon thjeshtë t’a vjedhë protestën apo t’a sabotojë duke provokuar incidente. Përpjekje për të vjedhur protestën ka pasur edhe nga Agron Shehaj dhe Adriatik Lapaj, por që kanë rezultuar jo të sukseshme.
Ndërkaq, në rrjetet sociale ka një revoltë të madhe për përfshirjen e PD-së në protestë. Dhjetëra protestues kanë paralajmëruar se do të dëbojnë përfaqësuesit e Sali Berishës nëse i bashkohen protestës. Përfshirja e PD-së e cila ka 13 vjet që bën pazare dhe mban Edi Ramën në pushtet, shihet si një rrezik serioz për deformimin dhe sabotimin e protestës, e cila nisi me një mesazh të qartë; Rama n’burg, Berisha n’burg.