Krahas trafikantëve ndërkombëtarë të kokainës, oligarkëve dhe bosëve të call centrave, mania e kullave ka përfshirë edhe njerëzit e fesë dhe ‘bamirësit’. Duke parë hoxhën sheik Elvis Naçi apo vëllezëri Ramiz e Rasim Zekaj që pastrojnë miliona euro në pasuri të paluajtshme, hoxhallarë dhe priftërinjtë kanë nisur të përfitojnë leje për kulla në Tiranë, financuar me para donacionesh.
Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit me në krye Edi Ramën, në mbledhjen e datës 17 dhjetor 2024, ka miratuar lejet për kullat dhe resortet e radhës. Përpos të tjerave, KKTU ka miratuar lejen për ndërtimin e një kulle 17 kate në Paskuqan, me subjekte zhvilluese Ab Vizion shpk dhe Darsi shpk.

Pronar dhe administrator i kompanisë së ndërtimit Ab Vizion është Myftiu i Tiranës Gazment Teqja, njëherësh drejtuesi i Xhamisë së Madhe të Namazgjasë.

Kompania e themeluar në vitin 2022, me kapital 1 milionë lekë, rezulton me bilance të brishta dhe të pamjaftueshme për të nisur ndërtimin e kullës 17 kate. Myftiu e bleu kompaninë në shkurt të 2024 dhe në dhjetor mori lejen për kullë.



Edhe kompania tjetër Darsi shpk rezulton me aktivitet financiar modest dhe të ardhura të pamjaftueshme për ndërtimin e kullës.
Ndërkaq, në mbledhjen e fundit, 26 qershor 2025, KKTU ka miratuar 40 leje ndërtimi, mes të cilave edhe një leje ndërtimi për objektin: “Godinë banimi dhe shërbimi me 10 kate mbi tokë dhe 1 kate parkimi nëntokë”, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, me subjekt zhvillues “Fondacioni Mirënjohja”.

Fondacioni Mirënjohja është një organizatë bamirësie me karakter fetar, e cila financohet nga Kuvajti dhe Emiratet. Fondacioni me drejtor Samed Shehu karakterizohet nga mungesa e transparencës, ndërsa besohet se ka thithur dhe qarkulluar financime në vlera të mëdha nga Kuvajti.

Ashtu si disa fondacione të tjera, fondacioni ka krijuar një perandori financiare. Edhe pse nuk mund të mohohen aktet e dhurimit, ngrihen dyshime për burimin e financimit të kullës dhe pronarit fundor.
Një leje për kullë është miratuar edhe për Kishën Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë. Në prill të këtij viti, KKTU ka miratuar lejen e ndërtimit për objektin ndërtesë polifunksionale në shërbim të Kishës, 2, 5 dhe 10 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë në Tiranë.

Në dokumente përcaktohet se trualli i ndërtesës është pjesë e ansamblit Orthodhoks pranë rrugës së Kavajës, me një sipërfaqe prej 1201 metër katrorë.

Leja për këtë kullë është miratuar një muaj pasi Joan Pelushi u zgjodh kryepeshkopi, duke pasuar Anastas Janullatos. Nuk kuptohet se pse Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë i duhet një kullë e tillë.

Ndërkaq, çdo javë zbulohen fakte të reja rreth perandorisë financiare të Elvis Naçit nga Evropa dhe SHBA. Një kartel kompanish, hotele, komplekse, qendra fizioterapie, prona, godina, dyqane, vila, apartamente, makina luksoze, ferma etj., është vetëm pjesa e ekspozuar e pasurisë së Elvis Naçit kamufluar me fondacionin familjar Firdeus.
Instituti Kanadez i Teknologjisë lavatriçe pastrimi parash dhe lidhje me donacionet e errëta nga Katari, si ra në duart e Ramiz Zekajt për 900 euro
Ashtu si Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, edhe Kolegji Universitar Instituti Kanadez i Teknologjisë, vepron si një lavatriçe pastrimi parash, duke përzier dhe devijuar në xhepa të errët para donacionesh nga Katari dhe Kuvajti, para studentësh dhe fonde të tjera. Veprimtaria e dyshimtë nën hundën e institucioneve ligjzbatuese nis që me tjetërsimin e godinës në Porcelan, Tiranë, një pasuri me vlerë miliona euro, produkt donacionesh, e cila ka përfunduar në duart e Ramiz Zekajt për vetëm 900 mijë lekë.

Lidhjet e errëta shtrihen nga Tirana në Doha të Katarit, ku protagonist shfaqet profesori Ramiz Zekaj, një personazh që ka përvetësuar me dallavere pasuri me vlerë miliona euro produkt të donacioneve nga Katari dhe Kuvajti, ku përfshihen kolegji, shtypshkronjë, ambiente shoqatash bamirësie, vila, apartamente, dyqane etj.

Më konkretisht, në vitin 2011 themelohet në Tiranë shoqëria “T.A.L.M. – Albania”, me objekt në fushën e arsimit, kulturës, edukimit, formimit, kërkimit dhe aplikimit shkencor, si degë e T.A.L.M Group në Doha të Katarit. Vendi i aktivitetit rezulton në ish Bllok, Qendra Zayed, një organizatë me karakter fetar. Si aset i kësaj shoqërie është edhe Kolegji Universitar “Instituti Kanadez i Teknologjisë” në Tiranë.

Për regjistrimin e kompanisë është autorizuar Hamad Ben Abdennabi, një tunizian me aktivitet të dyshimtë në Shqipëri. Pronari i T.A.L.M Group në Doha të Katarit rezulton Gabim bin Saad AL Saad, themelues i disa organizatave në Doha dhe sipërmarrës në fushën e pasurive të paluajtshme.

Në shtator 2012, ndryshon emri i shoqërisë nga “T.A.L.M. – Albania” u bë “C.I.T”. Në vitin 2013 shfaqet Ganem Bin Saad Maged Al Saad Al Kuwari. T.A.L.M Group në Doha të Katarit i dhuron kompaninë në Tiranë C.I.T, që kamuflon Institutin Kanadez, Ganem Bin Saad Maged Al Saad Al Kuwari.

Në gusht të vitin 2019 shfaqet Ramiz Zekaj, i cili i blen për një vlerë qesharake kompaninë C.I.T, për 900 mijë lekë, Ganem Bin Saad Maged Al Saad Al Kuwarit, duke marrë në pronësi edhe godinën Kolegjit Universitar Instituti Kanadez i Teknologjisë në Tiranë.

Një pasuri me vlerë miliona euro kaloi në duart e studiuesit të orientalistikës dhe jurispudencës Islamike, Ramiz Zekaj për 900 mijë lekë. Në krye të shkollës vendoset Ramiz Zekaj. Instituti Kanadez ushtron një aktivitet jo transparent dhe tejet të dyshimtë.

Instituti Kanadez i Teknologjisë në Tiranë me president Ramiz Zekajn nuk është aseti i vetëm që kamuflon kompania e themeluar si degë e T.A.L.M Group në Doha të Katarit.
Si u përvetësua shtypshkronja miliona euro në Xhafzotaj të Durrësit
Kjo godinë në Xhafzotaj të Durrësit, e cila funksionon si shtypshkonjë, me vlerë miliona euro, është një tjetër pasuri produkt i donancioneve të errëta nga Katari dhe Kuvajti. Pasuria është përvetësuar nga profesori Ramiz Zekaj, duke e kaluar në emrin e bashkëshortes së tij Ndriçime Zekaj dhe që administrohet nga vëllai i tij Rasim Zekaj, i skeduar për krime ekonomike nga autoritetet ligjzbatuese të Kosovës.

Godina kamuflohet me fondacionin MILENIUM I RI 2, i cili ka qarkulluar shuma të mëdha donacionesh në mungesë të plotë transparence. Përmes këtij fondacioni, me lidhje interesash me Institutin Kanadez, pastrohen çdo vit qindra mijëra euro, ndërsa shtypshkronja ushtron një aktivitet formal, për të mbuluar pastrimin e parave.

Më konkretisht, në shtator 2016 themelohet fondacioni MILENIUM I RI 2, me objekt prodhim materiali për shtypshkronjë dhe amballazhi për fason. Fondacioni është në pronësi të kompanisë Sky General Trading (52 %), Mileniumi i Ri (40 %) dhe Rasim Zekaj, vëllai i Ramiz Zekaj, me 8 % të aksioneve, i cili është edhe administrator.

Pronare e kompanisë Mileniumi i Ri, që ka 40 % aksioneve të fondacionit që kamuflon shtypshkonjën me vlerë miliona euro, është Ndriçime Zekaj, bashkëshortja e Ramiz Zekajt. Zonja Zekaj, e cila ka qenë disa herë objekt vjedhje për shkak të shumave të parave cash që mban në banesë, kontrollon edhe fondacione të tjera, përfshirë edhe shoqatën Gruaja, e cila qarkullon para të dyshimta.

Mileniumi i Ri, është themeluar në vitin 2003 dhe ka si objekt veprimtarie shtypshkronjë, por edhe ndërtim objektesh. Mileniumi i Ri, që ka qarkulluar para të errëta donacionesh, është fija me të cilën grupi Zekaj kontrollon Mileniumin e Ri 2, një pasuri me vlerë miliona euro, gjithnjë produkt i donacioneve të errëta.
Ndërkaq, kompania SKY GENERAL TRADING, që ka shumicën e aksioneve tek Mileniumi i Ri 2, funksionon si një agjenci imobilare, duke pastruar paratë e donacioneve në pasuri të paluajtshme.

Jo rasësisht, administrator i kompanisë SKY GENERAL TRADING rezulton Rasim Zekaj, vëllai i Ramiz Zekajt, një personazh kyç në qarkullimin e parave dhe menaxhimin e pasurive produkt i donacioneve të errëta.
Radio, dyqane dhe shoqata
‘Kumbari’ Ramiz Zekaj kontrollon radion me karakter fetar ‘Kontakt’, një rrjet dyqanesh, vilash, ndërtesash dhe Shoqatën Gruaja, që të gjitha kamufluar në emrin e vajzës dhe bashkëshortes, zonjës Ndriçime Zekaj.

Si shoqata Gruaja, ashtu edhe radioja janë produkt i donacioneve nga vendet arabe dhe qarkullojnë qindra mijëra euro të dyshimta. Media dhe shoqata ekspozojnë edhe një rrjet dyqanesh, me burim tejet të dyshimtë, në pronësi të vazës së Ramiz Zekajt.
Rasim Zekaj dosje për zhvatjen e parave të bujqësisë në Kosovë, korrupsion dhe vila pa leje
Teksa në Shqipëri Rasim Zekaj administron pasuritë me vlerë miliona euro produkt donacionesh nga Katari dhe Kuvajti, pasuri këto të tjetërsuara nga i vëllai Ramiz Zekaj, në Kosovë Rasim Zekaj ka një dosje korrupsioni dhe vjedhje të fondeve të bujqësisë në vitin 2020. Sipas dosjes së mashtrimit me fondet për zhvillimin e bujqësisë, Rasim Zekaj, përmes kompanisë së tij, Organic Herbs Kosova ka përfituar para publike për të mbjellë bimë medicinale, por paratë i ka devijuar duke ndërtuar vila pa leje në Stankaj të Pejës.
Në kërkesën për arrestimin e tij, Prokuroria e Kosovës theksonte në dosje se Rasim Zekaj përmes kompanisë “Organic Herbs Shpk” ka përfituar subvencione për bimë mjekësore dhe aromatike – bujqësi organike, por në realitet një pjesë të madhe të sipërfaqes e kishte mbjellur jonxhë, e cila përdoret si ushqim për bagëti dhe në bazë të programit për pagesa direkte të vitit 2020, kjo kulturë bujqësore nuk figuron fare në listën e bimëve mjekësore dhe aromatike.
Sipas dosjes penale, Rasim Zekaj përmes mashtrimit ka përfituar dhjetëra mijëra euro nga fondet publike të akorduar për bujqësinë, ndërsa akuzohet se ka korruptuar disa zyrtarë, duke u dhënë ryshfet. Për të zhvatur paratë publike, Rasim Zekaj ka dhënë mijëra euro ryshfet tek zyrtarët e ndërlidhur me subvencionet, konkretisht dy inspektorëve Bekim Bruqi dhe Blerim Mulliqi, si dhe drejtorit të AZHB-së, Luan Statovci, i arrestuar në vitin 2021.

Statovci ka pranuar shuma të ndryshme të parave (ryshfet) nga persona të ndryshëm në mënyrë që ata t’i fuste në listën e përfituesve për subvencione. Në një rast, gjatë përgjimeve, Statovci dëgjohet duke thënë se e ka në posedim shumën prej 600.000 eurosh dhe bënte plane që të blinte një banesë në vlerë nga 200.000 deri në 300.000 euro. Gjatë bastisjeve janë sekuestruar rreth 433.160 euro, 600 dollarë, 200 franga, 275 lira turke, 15 telefona, 8 vetura, një kompjuter, pesë armë, një USB dhe një vulë.

Ndërkaq, Rasim Zekaj, sipas dosjes së vjedhjes së parave për bujqësinë, ka ndërtuar vila pa leje në pronë publike, në zonën turistike të quajtur Stankaj. Vilat i ka ndërtuar në toka bujqësore. Përmes vilave, Zekaj dyshohet se ka pastruar paratë e vjedhura publike me anë të mashtrimit si dhe paratë e donacioneve.
Mund të lexoni;