Lamtumirë, Enrik!

Kryesore

Publikuar: 18/07/2026

Lamtumirë, Enrik!

Nga Lutfi Dervishi

Ka lajme që refuzon t’i besosh, edhe kur i sheh të shkruara e të ritransmetuara kudo.

Sapo mora vesh se Enrik Mehmeti është ndarë nga jeta. Vetëm 40 vjeç. Një koleg gazetar, baba i dy fëmijëve dhe një njeri që e njihja mirë, jo vetëm përmes ekranit, por edhe nga komunikimi që kishim.

Ironia e fatit di të jetë e pamëshirshme. Më 10 qershor, ai postonte me gëzim lajmin se një i ri kishte shpëtuar pas një aksidenti me motor, duke bërë thirrje: “Kujdes në çdo kohë me motorin.” Sot, një aksident i tillë ia ndërpreu jetën në mes.

Fola me të një javë më parë. Më përsëriti ftesën që të kaloja disa ditë pushimesh me familjen në Vlorë. Tragjedi të tilla të bëjnë të kuptosh se “e nesërmja” nuk është kurrë e garantuar.

Enriku ishte nga ata gazetarë që merrnin frymë me ritmin e ngjarjes. Për vite me radhë raportoi palodhshëm nga Vlora, gjithmonë në vendngjarje.

Kishte atë pasionin e brezit që jeton me telefon në dorë, me nxitimin dhe dëshirën e mirë për të qenë i pari aty ku ishte lajmi.

Sonte, fatkeqësisht, lajmi është ai vetë.

Është jashtëzakonisht e vështirë të gjesh fjalë kur një jetë nderpritet kaq herët dhe kaq befasisht. Nuk ka ngushëllim që mund t’ua lehtësojë dhimbjen familjarëve, bashkëshortes, dy fëmijëve, të afërmve dhe gjithë kolegëve.

U prehsh në paqe, Enrik.

Ne jemi mësuar të konsumojmë lajme çdo minutë dhe shpesh harrojmë se pas çdo raportimi qëndron një njeri, një prind, një koleg.

Sonte humbëm një prej tyre.