Romina Kostani e AKSHI-t i jep 3.5 milionë euro ortakut të Amant Josifit (Endri Meksi) dhe rrëmbyesit të vajzave Sadrit Danaj me pazar në tavolinë. A do t’a ‘krehë’ SPAK mëkëmbësen e Mirlindës?

Investigim

Publikuar: 30/01/2026

Romina Kostani e AKSHI-t i jep 3.5 milionë euro ortakut të Amant Josifit (Endri Meksi) dhe rrëmbyesit të vajzave Sadrit Danaj me pazar në tavolinë. A do t’a ‘krehë’ SPAK mëkëmbësen e Mirlindës?

Drejtoresha e komanduar e AKSHI-t, Romina Kostani, po ecën në gjurmët e asaj që i ka deleguar kompetencat, Mirlinda Kaçanajt, e arrestuar me kërkesë të SPAK për grup kriminal, korrupsion me tenderat dhe pastrim parash. Ende pa u tharë boja e delegimit, mëkëmbësja e Mirlinda Kaçanajt, Romina Kostani, duke sfiduar SPAK, ka nisur të firmosë tendera për njerëzit e krimit dhe pastrimit të parave.

Me pazar në tavolinë, me dokumente të dyshuara false dhe duke manipuluar procedurat tenderuese, Romina Kostani u ka dhënë tenderin e internetit të AKSHI-t, Sadrit Danajt, i skeduar nga Antimafia italiane për rrëmbim vajzash dhe trafik kokaine, si dhe çunit të kompetentit të Piramidave, Endri Meksit, ortak në call centera i Amant Josifit, pjesë e dosjes Balluku, i skeduar për mashtrim, pastrim parash, gjobëvënie dhe afera korruptive.

Bëhet fjalë për kompanitë Mc Networking shpk dhe Nisalet shpk, të cilat janë shpallur fituese nga AKSHI të tenderit 3.5 milionë euro për shërbimin e internetit të AKSHI-t. Pas kompanisë Mc Networking qëndron Endri Meksi, i cili ka marrë edhe 33 milionë euro tendera korruptivë nga ARRSH-ja si dhe koncensionin e mbikqyrjes së lojërave të fatit kamufluar në emrin e mamit Dhurata Meksi.

Pronari i kompanisë tjetër përfituese Nisalet shpk është një figurë e hershme e krimit të organizuar shqiptar në Itali, Sadrit Danaj, i akuzuar për rrëmbimin e vajzës së një biznesmeni italian në vitet 2000 me qëllim shtrëngimi për gjobëvënie si dhe i skeduar për trafik kokaine. Danaj ka qenë pjesë e LSI-së së Ilir Metës dhe me propozim të tij u emëruar kryetar i Këshillit të Qarkut të Vlorës.

Sadrit Danaj është subjekt i zbatimit të ligjit anti-mafia edhe për shkak të se është vëllai i Nexhmedin Danajt, të cilit SPAK-u i ka sekustruar pasuritë pasi është goditur nga Europol si kreu i grupi kriminal në Spanjë, i cili ka pastruar 65 milionë euro produkt i trafikut të kokainës.

(Sadrit Danaj dhe Endri Meksi)

Endri Meksi ka mbi dy vjet që sulmon AKSHI-n përmes mediave të tij gjobëvënëse me qëllim për të hapur rrugën e përfitimit të tenderave korruptivë. Që kur grupi kriminal i goditur nga SPAK mori nën kontroll AKSHI-n, Meksi me kartelin e tij të kompanive doli jashtë loje. Duke u bashkuar me Sadrit Danajn, Endri Meksi, ortaku i Amant Josifit në aktivitetin kriminal të mashtrimit me pasoja të rënda, ka mundur të ushtrojë ndikim të paligjshëm, duke korruptuar titullaren e AKSHI-t, Romina Kostani dhe dy anëtarë të KVO-së pranë AKSHI-t, duke marrë me pazar në tavolinë tenderin 3.5 milionë euro.

(Romina Kostani)

Zonja Kostani dhe anëtarët e KVO-ve janë nën hetim nga SPAK për korrupsion me tenderat e AKSHI-t. Ka dyshime të forta se Kostani dhe anëtarët e KVO-së kanë marrë mbi 1 milionë euro për tre tenderat e internetit. Mbetet për t’u parë nëse edhe kjo aferë korruptive do të hetohet nga SPAK në kuadër të çmontimit të grupit kriminal të zhvatjes me tendera.

Ndërkaq, dy tenderat e tjerë për shërbimin e internetit të AKSHI-t me vlerë rreth 8 milionë euro i kanë marrë Koço Kokëdhima me komapninë Abissnet dhe Agon Feri me kompaninë Digicom, dy figura epike të korrupsionit, pastrimit të parave dhe zhvatjes së parave të taksapaguesve shqiptarë.

Mund të lexoni;