Prapaskena

Investigim

Operacioni / SPAK sekustron kompaninë e çifti vlonjat Nexhmedin Danaj e Algerta Fejzulla, lëvizin paratë e drogës nga Dubai në Spanjë dhe Shqipëri me firmën ‘Dubai im’

Publikuar: 21/05/2025

SPAK, BKH dhe policia, në bashkëpunim me autoritetet italiane janë duket zhvilluar një megaoperacion në të dy anët e Adriatikut, ndërsa janë lëshuar 52 urdhërarreste dhe po sekustrohen pasuri me vlerë miliona euro. Në shenjestër është një grup kriminal i trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.

Nën sekuestro është vendosur shoqëria “Marquez” e Ervin Zeqirit, “Felix Vinum” e Adi Çobës, “Majestic Konstruksion” e Juxhin Drazhit, “Portside” e Elvis Doçit, i njohur si (Visi Pojës), “Dubai Inn” e Nexhmedin Danajt, “Vlora Cable” po ashtu e Nexhmedin Danajt, si dhe një kompani tregtare për shitblerje makinash në pronësi të Olgert Shqevit.

Nexhmedin Danaj dyshohet se ka rol kryesor në grupin kriminal. Dyshohet që Danaj lëvizte paratë e trafikut të kokainës edhe në Dubai përmes kompanisë “General Trading LLC”, me seli në Dubai. Ai është vëllai i Sadrit Danaj, ish-kryetar i Qarkut të Vlorës, i akuzuar nga PD-ja si i inkriminuar, i arrestuar se rrëmbeu vajzën e një biznesmeni në Siçili, në vitin 2000.

Çifti Nexhmedin Danaj dhe Algerta Fejzulla

Nexhmedin Danaj dhe Algerta Fejzulla janë çifti vlonjat protagonist i një grupi kriminal në Spanjë, i cili ka qarkulluar të paktën 65 milionë euro, produkt i trafikut të kokainës. Grupi kriminal me 27 anëtarë u godit nga policia spanjolle dhe Europol në shtator të vitit 2023. Autoritetet spanjolle njoftuan se kishin arrestuar 27 persona, në disa provinca si Madrit, Malaga, Seville, Valencia dhe Barcelonë, pjesë e grupit, i cili kishte pastruar të paktën 65 milionë euro me metodën “Hawala”.

Kush është avokatja Algerta Fejzulla e dënuar për korrupsion

Emri i zonjës Algerta Fejzulla u lakua për herë të parë në media në shkurt të vitit 2014, ku Fejzulla u arrestua në kuadër të një hetimi të zhvilluar nga Prokuroria e Vlorës për korrupsion.

Algerta Fejzulla, nëpërmjet një avokateje në Vlorë, Dhurata Sulaj (Tafili), i mori 50 mijë lekë të reja një qytetari, me qëllim që të shtynte në kohë ekzekutimin e një vendimi gjyqësor.

Algerta Fejzulla u arrestua në cilësinë e drejtoreshës së Zyrës Përmbarimore të Vlorës. Ajo ishte emërua në këtë post në vitin 2013 pas ardhjes së PS-së në pushtet.

Në vend që të reflektonte, Algerta Fejzulla në bashkëpunim me bashkëshortin Nexhmedin Danaj, do t’i hynte një rruge pasurimi të frikshëm dhe të paligjshëm, siç edhe e konfirmojnë disa evidenca dhe operacioni i Europol në Spanjë.

Dubai im, maskë pastrimi parash

Në maj të vitit 2015, Algerta Fejzulla u regjistrua si avokate në Qendrën Kombëtare të Biznesit, me adresë Rruga Sulejman Delvina, Vlorë. Pas disa muajsh vendosi t’a pezullojë aktivitetin si avokate.

Në mars të vitin 2023, Algerta Fejzulla themelon kompaninë “Dubai im”, me adresë në Lungomare të Vlorës, me objekt; agjenci turistike, në fushën e turizmit, hoteleri, restorante, bar-kafe, import-eksport, transport për llogari të vetë dhe për të tretë, shërbime taksi, dhënie e marrje e mjeteve të transport me qera etj.

Nuk ka të dhëna për aktivitetin e kësaj kompanie, por nisur nga operacioni i Europol krijohen dyshime se ‘Dubai im’ mund të jetë përdorur për lëvizjen e parave të pista.

Ndërkaq, emri i kompanisë ‘Dubai im’, duket se nuk është rastësi.

Bashkëshorti i saj, Nexhmendim Danaj, rezulton pronar i kompanisë “General Trading LLC”, me seli në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe.

Kjo kompani në Dubai ka qarkulluar miliona euro.

Nexhmendin Danaj është ortak me 30 përqind në televizionin kabllor “Vlora”, bashkë me vëllain tjetër Vexhi Danaj.

Hetimet dhe skema

Hetimi filloi si rezultat i raporteve të inteligjencës kriminale të dërguara nga Europol, falë të cilave u bë e mundur identifikimi i një organizate të përbërë nga shtetas me origjinë shqiptare, të dedikuar për trafikimin e lëndëve narkotike, kryesisht mbjelljen e kulturave marijuanë në ambiente të mbyllura, dhe që së bashku me qytetarë me origjinë kineze, kishin formuar një strukturë komplekse në të cilën të dy grupet përfitonin avantazhe të ndërsjella dhe përfitime që rrjedhin nga aktivitetet kriminale me të cilat ata ishin përfshirë.

Gjatë hetimit, agjentët mundën të verifikonin sesi në këtë strukturë shtetasit kinezë u dërgonin bizneseve të tyre shuma të mëdha parash, në këmbim që kjo shumë të kompensohej diku tjetër, me qëllimin përfundimtar që ato para të mbërrinin në vendin e origjinës pa qenë subjekt i kontrollit përkatës ligjor ose formal në Spanjë.

Nga ana tjetër, “havaladarët” shqiptarë, duke funksionuar si një subjekt bankar, kryenin “transferimin” dhe fshehjen e shumave të mëdha të parave nga shitja e drogës dhe merrnin rifinancimin e operacioneve të reja.

Hetuesit kanë mundur të zbulojnë se në krye të strukturës kriminale ndodheshin dy shtetas shqiptarë, njëri që vepronte si drejtues dhe tjetri si toger dhe kontabilist.

Të paktën që nga viti 2018, ata kishin dy koordinatorë me origjinë kineze, të cilët dyshohet se menaxhonin një “portofol” të madh me institucione të shumta aziatike të shtrira në të gjithë territorin kombëtar, me të cilat shërbenin kërkesat në para të organizatave kriminale të dedikuara për trafikun e drogës kurdo dhe kudo kishin nevojë.

Bizneset vepruan në të njëjtën mënyrë pavarësisht vendndodhjes së tyre, duke grumbulluar shuma të mëdha parash që u dërgoheshin trafikantëve të drogës në këmbim të kompensimit financiar, duke përdorur si masë sigurie një TOKEN, që zakonisht përkonte me numërimin e dyqane, një faturë me vlerë të ulët nominale.

Gjatë periudhës së hetuar midis majit 2020 dhe marsit 2021, dërgesa të vazhdueshme dhe të shumta cash u janë bërë organizatave kriminale shqiptare, në një vlerë totale prej gati 65.5 milionë euro, në provincat e Barcelonës, Malaga, Valencia, Madrid, Sevilje dhe Alicante.

Brenda kuadrit të hetimit, ata arritën të zbulonin se disa nga të arrestuarit vizituan një institucion “groëshop” dhe se më pas ata kryen vizita kontrolli në një shtëpi të vetme në një komunë të Madridit, në të cilën u arrestuan tre persona dhe u sekuestruan pothuajse 65 kilogramë drogë.

Nga ana tjetër, kreu i organizatës, me origjinë shqiptare, u arrestua si përgjegjës për veprën penale të pengmarrjes, plagosjes dhe armëmbajtjes pa leje, pasi kishte rrëmbyer një nga “havaladerët”.

Pasi hetuesit gjetën anëtarët e organizatës kriminale, u zhvillua një operacion që coi në arrestimin e 27 personave në provincat e Alicante (1), Barcelona (6), Madrid (7), Málaga (7), Seville (2) dhe Valencia (1). Gjatë kontrollit u sekuestruan 615 mijë euro cash, dhjetë ora luksoze me vlerë mbi 400 mijë euro, dy automjete të nivelit të lartë, makineri numërimi parash, pajisje kompjuterike dhe celularë të koduar.



Më të lexuarat