Një përplasje e fortë ka shpërthyer në Bashkinë e Tiranës mes kryetares së komanduar Anuela Ristani dhe Sekretarit të Përgjithshëm të rikthyer me vendim gjykate, Alban Dokushi.
Dokushi u shkarkua nga detyra pas arrestimit të Erion Veliajt. Më pas ai iu drejtua gjykatës, e cila vendosi rikthimin e tij në postin e Sekretarit të Përgjithshëm. Në zbatim të këtij vendimi, Erion Veliaj firmosi urdhrin për rikthimin e Dokushit në detyrë.
Por Anuela Ristani refuzoi ta zbatojë këtë urdhër. Në vend të rikthimit në postin e mëparshëm, ajo e emëroi Dokushin drejtor të një drejtorie.
Në përgjigje të këtij veprimi, Alban Dokushi ka depozituar kallëzim penal ndaj Ristanit për shpërdorim detyre dhe pengim të ekzekutimit të një vendimi gjyqësor.
Përplasja pritet të kalojë tashmë edhe në dyert e Prokurorisë.
Konflikti mes Ristanit dhe Dokushit duket se është shumë më tepër sesa një mosmarrëveshje administrative. Ai ekspozon betejën për kontrollin e Bashkisë së Tiranës pas arrestimit të Erion Veliajt.
Kur Edi Rama vendosi Anuela Ristanin në drejtimin e përkohshëm të Bashkisë, mesazhi politik ishte i qartë: institucioni duhej të kishte një drejtues funksional gjatë mungesës së kryebashkiakut. Nga ana tjetër, Erion Veliaj, edhe pse ndodhet në paraburgim, firmosi rikthimin në detyrë të një prej bashkëpunëtorëve të tij më të afërt, Alban Dokushit, në postin e Sekretarit të Përgjithshëm, funksioni më i rëndësishëm administrativ në bashki.
Refuzimi i Ristanit për ta rikthyer Dokushin në këtë post mund të lexohet si një sinjal se kontrolli i Bashkisë nuk do të ushtrohet nga njerëzit e Veliajt, por nga struktura që aktualisht drejton institucionin.
Nëse kjo është një përplasje mes dy interpretimeve të kompetencave ligjore apo një betejë politike për pushtetin brenda Bashkisë së Tiranës, mbetet për t’u parë. Por një gjë është e qartë: arrestimi i Erion Veliajt nuk i ka dhënë fund luftës për kontrollin e Bashkisë. Përkundrazi, duket se ajo sapo ka hyrë në fazën më të hapur./vna.al