Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth mesnatës në zonën e Urës së Daljanit, ku një automjet ka dalë nga rruga duke u përplasur me barrierat anësore dhe më pas ka përfunduar disa qindra metra më tej, duke rënë mbi një dyqan lodrash.
Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën një vajzë 18-vjeçare, e cila ndodhej si pasagjere në automjet. Po ashtu, janë plagosur drejtuesi i mjetit si dhe dy këmbësorë, të cilët janë transportuar në spital dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Sipas dyshimeve paraprake, automjeti po lëvizte me një shpejtësi tej normave të lejuara, rreth 300 kilometra në orë. Burime bëjnë me dije se shoferi ka humbur kontrollin e timonit, çka ka sjellë edhe përplasjen fatale.
Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti tragjik, ndërsa pritet që ekspertiza teknike të përcaktojë shpejtësinë reale të mjetit dhe shkaqet e sakta të ngjarjes.