Që prej mëngjesit të kësaj të marte protestuesi Erlis Sina ka qenë në qendër të vëmendjes, pasi vetë kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale fotografinë, teksa qëndronte i vetëm përballë godinës së Kryeministrisë pasi kishte kaluar natën në shenjë të rezistencës së protestës së nisur prej 24 ditësh. Në një letër të gjatë publike, Rama shkruante se nuk e shihte Sinën si “humbësin e një proteste”, por si një qytetar që kishte mbetur besnik bindjeve të tij, duke pranuar gjithashtu se zemërimi i tij mund të buronte nga probleme reale si korrupsioni, padrejtësitë, çështjet e pronave, shëndetësia apo arroganca e pushtetit.

Në reagimin e publikuar në rrjetet sociale, Sina thekson se nuk është viktimë e manipulimit, por se proteston për shkak të problemeve që sipas tij janë pasojë e qeverisjes së Ramës. Ai e akuzon kryeministrin për largimin e të rinjve nga vendi, padrejtësitë dhe mungesën e dëgjimit ndaj qytetarëve.
“Fotografia ime në murin tënd më bën pis. Mos e përdor për të larë përgjegjësitë e tua. Mos e përdor për të fshehur dështimet e tua. Mos e përdor për të ndërtuar historinë tënde si shpëtimtar. Unë nuk jam ti. Dhe nëse jam në shesh, nuk jam aty sepse më ka mashtruar dikush. Jam aty sepse e di shumë mirë kush më ka sjellë deri këtu”, shkruan ai.
Protestuesi Sina është pjesë e grupit të Belind Këlliçit. Sina ka qenë më herët edhe pjesëmarrës edhe në protestat e organizuara nga Parita Demokratike, ku madje është arrestuar edhe gjatë një tubimi të kësaj force politike dhe më pas është lënë i lirë me vendim të Gjykatës së Tiranës.

Sakaq, një vështrim të profilit të tij në rrjetet sociale shihet se Sina ka publikuar vazhdimisht postime në mbëhstetje të Sali Berishës dhe kauzave të opozitës, ndërkohë që vlen të theksohet se një nga kërkesat e qytetarëve në këtë protestë është dhe largimi i ish-kryeministrit dhe njëkohësisht kreut të Partisë Demokratike.

Postim i bere nga Erlis Sina
Madje në disa prej reagimeve të tij publike, ai ka pretenduar se ka rënë pre e sulmeve nga patronazhistët, duke pohuar se në raste të ndryshme i janë mbyllur edhe llogaritë në rrjetet sociale për shkak të angazhimit të tij politik. Edhe gjatë ditëve të fundit, gjatë protestave të qytetarëve të cilat janë paguar si “Revolucioni i Flamingove”, Sina është shfaqur aktiv. Në fotografitë e publikuar prej tij nga Bulevardi, ai pozon para kamerës me dy gishtat lart, simbol ky i së djathtës shqiptare.