Sherri me thika në gjimnazin e Kamzës, nëna e nxënësit të plagosur: Shkoi për t’i ndarë shokët, nuk e dinë as vetë përse janë zënë

Aktualitet

Publikuar: 06/10/2025

Sherri me thika në gjimnazin e Kamzës, nëna e nxënësit të plagosur: Shkoi për t’i ndarë shokët, nuk e dinë as vetë përse janë zënë

Një konflikt i dhunshëm u regjistrua disa ditë më parë jashtë ambienteve të gjimnazit ‘Ibrahim Rugova’ në Kamëz.

Dhuna mes të rinjve degradoi në përdorimin e thikave ku dy prej tyre mbetën të plagosur pas goditjeve të marra në gjoks.

Ndërkohë, nëna e një prej djemve që mbetën të plagosur nga sherri tregon se djali i saj nuk ishte i përfshirë në sherr, por kishte hyrë për të ndarë personat e tjerë që po ziheshin.

“Djali ka qëndruar tre orë në spital. Plagën e ka në brinjë, i kanë rënë dhe me grusht. Djali më tha që një shok po zihej dhe shkova për t’i ndarë. Pastaj tha na futën grushta e thika, kanë qenë 3-4 veta që kanë qëlluar.

Nuk e dinë as vetë përse janë zënë. Djalin e kisha nisur për në shkollë. Ta sjellin pastaj edhe të vdekur. Ai tha nxënës të shkollës ishin ata që na plagosën, i njeh me emra. Kur ka dalë nga salla, kam thënë më mirë të isha unë e vdekur sesa ta shihja ashtu”-tha nëna për “Shqipëria Live”.