Atentati në lokalin në Elbasan / Dyshohet se objektivi ishte nipi i ‘Ot Kilës’, merret në pyetje! Autori i maskuar me paruke

Kronike

Publikuar: 21/07/2026

Atentati në lokalin në Elbasan / Dyshohet se objektivi ishte nipi i ‘Ot Kilës’, merret në pyetje! Autori i maskuar me paruke

Hetimet për atentatin në Elbasan mbrëmjen e së hënës në lagjen “Vullnetari”, të njohur edhe si zona “Banesat”, kanë marrë tjetër rrjedhë. Përveç konfliktit të çastit, blutë e Elbasanit po hetojnë një tjetër pistë, atë të mundësisë që autori të ketë ngatërruar shënjestër. Grupi hetimor ka dyshime se objektiv i atentatit të ketë qenë nipi i Kastriot Kilës, i njohur si “Ot Kila”, një personazh i njohur në botën e krimit. Ai ka qenë i ulur në të njëjtën bar-kafe në momentin kur autori i maskuar me paruke, siç sqarojnë burime për Report Tv, qëlloi me armë dhe plumbat kapën Armand Tomorricën dhe Renaldo Mancen. Nga të shtënat mbeti i plagosur aksidentalisht dhe kamerieri 19-vjeçar Biorgi Hoxha.

Të pyetur nga grupi hetimor, tre të plagosurit që tashmë janë jashtë rrezikut për jetën kanë deklaruar se nuk e njohin autorin dhe nuk janë të përfshirë në asnjë konflikt. Ndërkohë, në pyetje është marrë edhe nipi i Ot Kilës por nga dëshmitë e siguruara deri më tani grupi hetimor nuk ka arritur të përcaktojë me siguri se ai ka qenë objektivi i sulmit.

Autori i dyshuar, ende i paidentifikuar ka arritur të largohet në errësirë përmes disa rrugicave të lagjes “Vullnetari”. Mësohet se pasi ka bërë disa metra me vrap, është ndihmuar nga një automjet dhe janë larguar në drejtim të paditur, ndërsa policia është duke parë të gjitha kamerat e zonës për të identifikuar automjetin dhe targën e tij. Në ndjekje të tij mbrëmjen e së hënës u vendos dhe një efektiv policie që gjendej rastësisht në lokal, por pa arritur ta prangosë.

Kush është Ot Kila?

Ot Kila është një personazh me precedentë të mëparshëm kriminal dhe i njohur si armik i Suel Çelës. Ai i ka shpëtuar të paktën 4 tentativave për ta eliminuar, përshirë edhe një atentati të porositur nga Suel Çela në vitin 2022, të cilin do ta kryente bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani. Arsyeja ishte sepse Oti ‘strehonte dhe mbante me bukë’ Talo Çelën. Por atentati dështoi dhe i plagosur mbeti vetë vrasësi me pagesë, Nuredin Dumani.  Edhe rivali tjetër i tij, Erion Alibej dyshohet se nga qelia porositi një atentat për ekzekutimin e Ot Kilës në vitin 2023, por që shpëtoi sërish.

Kila në tetor 2018 u arrestua si ‘kapo’ i trafikut të drogës ndërsa rezultonte pronar i një jahti luksoz dhe i 39 makinave të luksit, mes tyre edhe Ferrari që u sekuestruan, por fitoi lirinë vetëm 2 muaj më vonë dhe ndaj tij u vendos masa “detyrim paraqitje”.

/shqiptarja.com