Fabio Ballabani, alias Fabio Zyberaj, alias Ivi Zyberaj, është ekstraduar këtë të shtunë nga Gjermania. 38 vjeçari ka qenë ndër ushtarët e bandës së Emiljano SHullazit dhe vite më parë, me urdhër të tij nga qelia, ka dhunuar bashkëshortin e gjyqtares Saida Dollani.
“Ai akuzohet se në vitin 2019, ka dhunuar dhe ka kanosur me armë zjarri, shtetasin Kristaq Prifti, bashkëshort i gjyqtares që gjykonte procesin me palë të përfshirë grupin kriminal ku bënte pjesë 38-vjeçari”, njofton Policia.
Gjyqtarja Saida Dollani ka qenë pjesë e trupës që ka shqyrtuar dosjen “Shullazi” dhe nuk pranoi të largohej edhe pasi i dhunuan e kërcënuan me arme bashkëshortin Kristaq Prifti.
Pra, duke e ditur se nuk mund as ta blinte dhe as ta largonte Saida Dollanin nga dosja e tij, Emiljano Shullazi urdhëroi rrahjen e burrit të saj. Mirëpo, as kjo nuk e pengoi gjyqtaren të vazhdonte misionin për të dhënë drejtësi.
Vetë bashkëshorti i gjyqtares, Kristaq Prifti gjatë dëshmisë së dhënë në gjykatë në vitin 2019 tregoi kërcënimet që kishte marrë nga disa persona dhe se si ata i vendosën pistoletën në gojë.
“Isha në lokalin e lagjes bashkë me një mikun tim. Një moment dola të pija një cigare të dera e jashtme. Aty pranë kaloi bashkëshortja ime me një shoqen e saj dhe vajzën. Pak minuta më pas, në të djathtën time erdhi një djalë i rri, rreth 20-22 vjeç, i cili ishte veshur me bluzë ngjyrë si në të zezë, pantallona të errëta dhe atlete të bardha.
Ai erdhi direkt me pistoletë në dorë dhe vuri këmbën e majtë pas këmbës sime të djathtë. Më rrëzoi në tokë dhe më drejtoi pistoletën në gojë. Mu drejtua me fjalët ‘ti me atë tët shoqe mos harro se ke dy fëmijët në Francë’.
Në këtë moment ndërhyri shoku im, i cili e kapi nga pas personin. Ai u largua nga pjesa e djathtë e rrugës, ku e mori një automjet i bardhë, që drejtohej nga një person me mjekër. Kërcënimi në drejtimin tim ka ndodhur për shkak të funksionit të bashkëshortes time si gjyqtare në Gjykatën e Apelit për Krime të rënda”, ka dëshmuar atë kohë bashkëshorti i gjyqtares Saida Dollani.
Njoftimi i policisë:
Ekstradohet nga Gjermania, një 38-vjeçar që në vitin 2019, dhunoi dhe kanosi me armë zjarri, bashkëshortin e gjyqtares së ngarkuar për procesin kundër grupit kriminal ku bënte pjesë.
Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet strukturave të Interpol Tiranës, me homologët në Gjermani, u finalizua procedura për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasit shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, F. B. alias F. Z., 38 vjeç.
Në vitin 2024, GjKKO-ja i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Shtetasi F. B. alias F. Z. akuzohet se në vitin 2019, ka dhunuar dhe ka kanosur me armë zjarri, shtetasin K. P., bashkëshort i gjyqtares që gjykonte procesin me palë të përfshirë grupin kriminal ku bënte pjesë 38-vjeçari.
Ky shtetas iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, me qëllim kryerjen e veprimeve të mëtejshme.