Punë hajdutësh / Pse Fahri Balliu dhe Gjergj Luca duhet të ishin sot shokë qelie, korrupsion, pastrim parash e lidhje me trafikun e kokainës, fakte që sfidojnë SPAK-un

Investigim

Publikuar: 03/09/2025

Punë hajdutësh / Pse Fahri Balliu dhe Gjergj Luca duhet të ishin sot shokë qelie, korrupsion, pastrim parash e lidhje me trafikun e kokainës, fakte që sfidojnë SPAK-un

Çuni i Fahri Balliut, Klevis Balliu (që noton në luks produkt i dallavereve të Fahros si këpushë fillimisht e Ramiz Aliajt, mandej e Sali Berishës dhe Ilir Metës) si dhe biznesmeni aktor i peshkut Gjergj Luca janë përfshirë ditët e fundit në një tallava mediatike me mufka, shpoti dhe mesazhe të koduara mafioze.

Çuni Fahriut, i instruktuar apo jo nga ‘cjapi i vjetër’ i Sigurimit, i kujtoi Gjergj Lucës ortakëritë me trafikantë kokaine dhe shfytëzimin e pasurive publike për biznes, falë lëpirjeve ndaj Edi Ramës. Nga ana tjetër, Gjergj Luca i kujtoi Fahri Balliut miqësitë e vjetra, dorën e tij në Gërdec, rolin si sekser në tenderat e rrugëve dhe poshtërësi të tjera të nënkuptuara.

Referuar një pirgu dokumentesh të dy miqtë e vjetër Balliu-Luca rezulton se thonë të vërteta për njëri-tjetrin. Problemi është se, në vend që këtë shkëmbim mesazhesh të koduara mafioze t’a konsumonin në qeli, Fahri Balliu përmes ‘kecit të tij’ dhe biznesmeni aktor Gjergj Luca po tregojnë vjedhjet e njëri-tjetrit në publik, duke marrë vëmendje mediatike dhe sfiduar SPAK-un.

Është më keqbërës Fahri Balliu i Gërdecit, i skrapit dhe tenderave të rrugëve, me një pasuri miliona euro apo Gjergj Luca që bën biznes mbi prona publike me para të dyshimta, ky diskutim, në një vend normal dhe ku funksionon shteti ligjor, duhej të ishte bërë brenda dyerve të drejtësisë.

Aktiviteti kriminal dhe korruptiv i Fahri Balliut

Fahri Balliu është i implikuar në aferat kryesore të Sali Berishës dhe Ilir Metës. Fahri Balliu është një nga protagonistët dhe arkitektët e fabrikës së vdekjes së Gërdecit, një biznes i përbashkët me Familjen Berisha. Fahri Balliu përfaqësohej në këtë sipërmarrje kriminale përmes vajzës së tij, Henris Balliu, e cila nuk u mor kurrë në pyetje nga ana e Prokurorisë.

Më poshtë është faksimile e kompanisë që ndërtoi fabrikën e Gërdecit, ku vajza e Fari Balliut është aksionere me 20 %.

Ajo ishte aksionere me Mihal Deliorgjin, ndërsa përfaqësues i kompanisë ishte Rrahman Selmanllari, që të dy prestanome të Shkëlzen Berishës. Historia më pas dihet. Për t’i vënë kapak krimit më të madh njerëzor në historinë e pluralizimit, pritet të dënohet vetëm Fatmir Mediu për shpërdorim detyre.

Afera 150 milionë euro me kompanitë serbe

Rrjeti i njohur i gazetarisë investigative në Ballkan, BIRN, ka hetuar veprimtarinë e kompanisë Alpine Bau në Ballkan dhe mes të tjerash në Shqipëri, duke zbuluar se kompania përveçse ka fituar miliona euro nga buxheti i shtetit shqiptar, i ka transferuar ato në parajsat fiskale jashtë vendit.

Adminstratore e kompanisë në Shqipëri ka qenë Blegina Agolli, kunata e Fahri Balliut. Ky i fundit ka qenë sekseri dhe fija e korrupsionit mes kompanisë dhe qeverisë Berisha.

Falë ndërhyrjes së tij, kompania mori disa nga tenderat më të mëdhenj në vend, mes të tjerash, mbikalimin e Tiranës, rrugën Levan- Vlorë, segmentin Fratar- Tepelenë, që nuk e bëri kurrë, si dhe TEC-in e Vlorës. Të gjitha këto investime të ofruara nga buxheti i shtetit kapin një shumë rreth 150 milionë euro.

Sekser i Ilir Metës, dekorata me para

Sulejman Rexhepi, ish- kreu i Bashkësisë Islame të Maqedonisë së Veriut, ka dëshmuar se si Ilir Meta, përmes Fahri Balliut, i ka ofruar një dekoratë të lartë për 300 mijë euro. Rexhepi shkruan në librin e tij se është takuar me Fahri Bslliun dhe i dorëzoi këstin e parë prej 80 mijë eurosh.

Nuk dihet nëse SPAK ka nisur hetimet për këtë dëshmi korrupsioni, por Fahri Balliu është i njohur si një sekser i hershëm i Ilir Metës.

Video korrupsioni me Shkëlzenin

Fahri Balliu, me leje të Ilir Metës, ishte sekseri kryesor i Dritan Priftit për plaçkitjen e pasurive publike. Fahriu çonte çdo javë në zyrën e Priftit një klient të ri, me porosi të Ilir Metës, për të zhvatur një copë nga pasuria publike.

Një ditë Fahriu u paraqit me Shkëlzen Berishën në zyrën e Priftit, duke bërë pazare. Prifti i regjistroi. Videoja përfundoi më pas në duart e Ilir Metës, i cili shantazhoi Berishën dhe i mbylli gojën në vitin 2015, kur Berisha nisi një sulm ndaj Metës.

 “Se të kërcënon ty Dritani me videot e Zenit, bashkë me Tomën, kjo është çështje tjetër, nuk është çështja ime, të lutem shumë! Herën e parë, dorëheqjen e dhashë prej Shkëlzenit, se ai ishte në videon e Dritan Priftit, dhe ti e di shumë mirë, dhe më the: “Shiko çfarë ka bërë ky budallai”. Ashtu më the! Më thoshe: “Ça t’i bëj këtij budallait se më turpëroi!” Vazhdo ende me mendtë e Shkëlzenit! Vazhdo, se unë nuk kam çfarë të bëj për ty”, tha Meta, në seancën paralamentare të datës 5 mars 2015.

Video me protagonistë Shkëlzenit dhe Fahri Balliun kishte rënë në duart e Spartak Brahos, në atë kohë shumë pranë Metës. Video ishte zbuluar nga ekspertët gjatë kontrollit të lap-topit, ku ishte video Meta-Prifti. Ndërsa Berisha nuk po tërhiqej nga akuzat, Meta e kërcënoi për herë të parë Berishën, se do të publikonte videon. “Jo, jo, derisa i ke ti, do t’i nxjerrësh ti. Unë do të nxjerr ato…”, tha Meta.

Videoja nuk u publikua kurrë, pasi Sali Berisha u zbyth dhe mbylli gojën. Në mes hyri Fahri Balliu. Shumë shpejt raportet mes Metës dhe Berishës u ‘zbutën’.

Fahri Balliut, spiun me pseudonimin ‘Këndezi’

Fahri Balliu, i përfshirë përmes së bijës në korrupsionin e Gërdecit, afera të tjera me rrugët dhe i njohur si sekser i punëve më të pista pranë dyshes Berisha-Meta, është lakuar si spiun i ish Sigurimit të Shtetit me pseudonimin ‘Këndezi’.

Balliu nuk i ka mohuar kurrë zërat për lidhje me ish Sigurimin e Shtetit, ndërsa është fakt që shkonte pas Ramiz Alisë, siç edhe e tregon kjo foto.

Më pas Fahriu u kthye në demokrat i flakët, duke u bërë pjesë e SHIK-ut famëkeq të Bashkim Gazidedes. Në të njëjtën kohë Berisha e bëri sekretar të ambasadës tonë në Maqedoni, ku më pas e përzuri pas nisi të shiste bursat.

Megjithatë, Fahriu u ngjit pas krushkut të Berishës, Luan Malltezit. Si spiun më i vjetër dhe pas Ramiz Alisë, Fahriu u kthye edhe në mentor i Ilir Metës dhe sekseri i tij kryesor. Fahriu i mbyllte punët e pista edhe Shkëlzenit, ndërsa prezantohej si babai shpirtëror i Lulzim Bashës, deri kur Basha u distancua nga Berisha.

Historia e Fahri Balliut pas perdeve të pushtetit është e gjatë dhe e mbushur me pazare, lëpirje, përfitime, intriga etj., histori për të cilën nuk do të mjaftonin qindra artikuj.

Dy vjet më parë, Edi Rama, përmes Autoritetit të Dosjeve, zbuloi për herë të parë dosjen e Ilir Metës si sipun i ish Sigurimit të Shtetit, me emrin Ilir Metaj.

Ditët e fundit u publikua edhe një pjesë e dosjes së Ilir Metës, i cili ishte paguar me 50 lekë për të spiunuar shokët.

Zbulimi si spiun i ish Sigurimit degradoi më tej figurën e Ilir Metës, por megjithatë nuk zbehu aspak imazhin e tij si monument i korrupsionit në Shqipëri, i cili pret dita-ditës prangat e SPAK-ut.

Krahas ekspozimit të dosjes së Metës, PS-ja dhe një pjesë e PD-së që drejtohet nga Enkelejd Alibeaj, rikthyen lojën e hapjes së dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit. Prova e parë u dha kur PS dhe PD miratuan disa ndryshime ligjore, ku u hoq pengesa për verifikimin e politikanëve që kanë marrë më parë certifikata të pastërtisë së figurës tek komisionet Mezini dhe Bezhani.

Edhe pse PS-ja dhe PD-ja pro amerikane, siç u konfirmua më pas, nuk e kishin seriozisht hapjen e dosjeve, i biri i Fahri Balliut, Klevis Balliu, u shpreh i shqetësuar kundër hapjes së dosjeve, me argumentin se një akt i tillë do të krijojë përplasje.

Këta duan ta bëjnë sot këtë për të futur në konflikt, konflikt të madh, jo të vogël”, u shpreh Balliu i vogël.

Ish-deputeti propozoi që ky ligj të aprovohej vetëm për ata persona që duan të kandidojnë në një pozicion të caktuar, por jo për spiunët si babai i tij.

Klevis Balliu u bë i njohur me gabimet e pafundme drejtshkrimore që e bënë të etiketohej si “analfabet” në rrjetet sociale.

Balliu nuk di të shkruajë as emrin e tij. Nuk e di as se emrat nisin me shkronjë të madhe. Ai nuk di të shkruajë një fjalë. Çuditërisht ai është ‘diplomuar’ në Londër dhe madje ka botuar edhe një libër për angazhimin e tij për bllokimin e zbatimit të projektit për Unazën e Madhe.

Një libër e ka botuar edhe Fahriu kundër Nexhmije Hoxhës, edhe pse ka qenë kamarier i rrethit të dytë i Nexhmijes.

Në tetor 2020, Klevis Balliu u kundërshtua nga baza e demokratëve në qarkun e Korçës, të cilët nuk i besuan një tjetër mandat për deputet. 

Por, pas largimit të Bashës, Berisha e afroi sërish analfabetin e Fahriut.

Dihet se pas tij qëndron spiuni i vjetër i Sigurimit të Shtetit, Fahri Balliu, me tre pseudonime. Një nga psedudonimet është ‘Këndezi’. Balliu besohet se ka organizuar takimin mes Sali Berishës dhe Millosheviçit në Ohër, takim i cili i hëngri kokën edhe biznesmenit Remzi Hoxha.

Pastrim parash dhe jetë luksi

Vitin e kaluar, Klevis Balliu u shfaq me një makinë luksoze para SPAK-ut. Makina nuk figuron e deklaruar nga Klevis Balliu në ILDKPKI. Më herët, Klevis Balliu ka pasur edhe një makinë Q7, të cilën gjithashtu nuk e ka deklaruar.

Çuni i Fahriut posedon edhe disa apartamente, të cilat nuk i ka deklaruar. Këto janë vetëm disa nga aferat dhe bëmat e Fahri Balliut, herë duke dalë vetë, herë duke futur të bijën, herë të birin analfabet dhe herë kunatën.

Gjergj Luca, prona dhe para publike

Faktet që do të listojmë në këtë shkrim e veshin SPAK-un me detyrimin ligjor për të nisur një hetim për Gjergj Lucën, për mënyrën se si ka përfituar mijëra m2 prona publike, qindra mijëra euro nga fondet që BE ka akorduar për bujqësinë, si dhe ortakërinë me bosë droge, ortakëri e cila e bën oligarkun e peshkut subjekt të ligjit anti-mafia.

-Me vendim nr. 1525/4, datë 23 maj 2019 të ish drejtoreshës së AZHBR, Frida Krifca, Gjergj Luca ka përfituar përmes firmës “Rozafa Sh.p.k” 400 milionë lekë nga fondet bujqësore të BE për bujqësinë.

-Vetëm gjatë 5 viteve të fundit, Gjergj Luca ka marrë mbi 2 milionë euro nga buxheti i shtetit përmes kompanisë Rozafa; si pagesa nga Dogana e Lezhës për dhënie ambientesh me qira, pagesa nga institucionet publike për dreka e darka te menca që Luca ka ngritur mbi pronën publike etj.

Me VKM Nr. 873, datë 30.10.2015, Gjergj Luca është përfitues i pasurisë “Objekte të Agjencisë së Rezervave të Shtetit, Labinot, Elbasan”, në administrim të Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave të Shtetit, me sipërfaqe të përgjithshme 52613 (pesëdhjetë e dy mijë e gjashtëqind e trembëdhjetë) m2 , nga të cilat sipas genplanit, përkatësisht, sipërfaqe nën objekt 13872.94 (trembëdhjetë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e dy pikë nëntëdhjetë e katër) m2 dhe sipërfaqe funksionale 38740.06 (tridhjetë e tetë mijë e shtatëqind e dyzet pikë zero gjashtë) m2.

-Me VKM Nr. 266, datë 29.03.2017, Gjergj Luca është përfitues i pasurisë “Objekte dhe truall, të Agjencisë së Rezervave Materiale të Shtetit Labinot, Elbasan (pjesa e mbetur) ”, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave të Shtetit, Drejtorisë Rajonale të Rezervave të Shtetit Elbasan, me sipërfaqe të përgjithshme 52 514 (pesëdhjetë e dy mijë e pesëqind e katërmbëdhjetë) m 2 , nga e cila 11 659.63 (njëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e nëntë pikë gjashtëdhjetë e tre) m2 sipërfaqe e objekteve dhe 40 854.37 (dyzet mijë e tetëqind e pesëdhjetë e katër pikë tridhjetë e shtatë) m 2, sipërfaqe funksionale.

-Me VKM nr. 526, datë 25.07.2019, Gjergj Luca është përfitues i pasurisë prona nr.338, me emërtim “Ish-Reparti Ushtarak nr.5012/20”, me vendndodhje në Çekrez, Gramsh, me sipërfaqe të përgjithshme 28 960 m², nga ku sipërfaqe ndërtimore 4185.48 m2 dhe sipërfaqe funksionale 24 774.52 m2, me nr. pasurie 257/1, zk 2167, në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes, për një periudhë 20 vjet.

-Me VKM nr. 701, datë 30.10.2019, Gjergj Luca është përfitues i pasurisë Sektori autopark, ish-Parku i Minierës së Hekur-Nikelit, Përrenjas”, me sipërfaqe të përgjithshme 10 287.3 m2, nga ku sipërfaqe ndërtimore 1 090.5 m2 dhe sipërfaqe funksionale 9 196.8 m2, me numër pasurie 4/240, zona kadastrale 2924”, në përgjegjësi administrimi të Ndërmarrjes Industriale nr.1, Tiranë, për një periudhë 20 (njëzet) vjet.

Me VKM nr.394, datë 09.06.2022, Gjergj Luca është përfitues i pasurive të “Kombinatit të Sheqerit” sh.a., Maliq, të llojit ndërtesë, me nr. 1/250, me sipërfaqe 1 165.5 m2, me nr. 1/231, me sipërfaqe 1 410 m2, me nr. 1/248, me sipërfaqe 290.6 m2, me nr. 1/237, me sipërfaqe 2 025 m2 , në zonën kadastrale 2573, për një periudhë 20-vjeçare (njëzetvjeçare).

Me VKM Nr. 376, datë 21.06.2023, Gjergj Luca është përfitues i pasurisë pasurisë Prona Nr.338, me emërtimin “Ish-Reparti Ushtarak Nr.5012/20”, me vendodhje në Çekrez, Gramsh, në administrim të ministrisë së mbrojtjes, dhënë me qera me tarifën 1 Euro/Kontrata shoqërisë “Rozafa” Shpk.

Raporti për lidhjet e Gjergj Lucës me trafikun e kokainës

Shoqata Ndërkombëtare e Studimeve Strategjike me qendër në Uashington, në një raport të vitit 2006 për trafikun e drogës nga grupet shqiptare, e konsideron Gjergj Lucën si kokën e disa prej linjave më të fuqishme të trafikut të kokainës me bazë në Shqipëri.

Sipas shoqatës amerikane, Gjergj Luca ka kontrolluar 4 linja të trafikut kombëtar dhe ndërkombëtar të drogës, të aktivizuara që në vitin 1998.

Sipas raportit, Gjergj Luca dhe Jani Morava kontrollonin linjën e trafikut të drogës Maqedoni-Shqipëri-Greqi, si dhe linjën Tiranë-Korçë-Selanik, përmes një biznesi transporti në Pogradec.

Si bashkëpunëtor i tyre cilësohet Roland Ziu, i cili ka sot një biznes skafesh me ish ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi dhe Sokol Topçiun e tenderave korruptivë në shëndetësi.

Gjergj Luca është pronar i disa kazinove të mëdha në Tiranë, Shkodër dhe Mal të Zi. Anëtarë të këtij grupi janë Roland Ziu (pronar i “Espanja”), Alfred Ziu dhe Fatos Zjarri transportues’, thuhet në raport.

Sipas raportit, Gjergj Luca kontrollonte edhe dy linja të tjera të trafikut të kokainës me shtetasit Artur Gjini dhe Arjan Andoni. Bëhet fjalë për linjën Mali i Zi-Tiranë-Itali si dhe për linjën Tiranë-Shkodër. Në raportet përmendet emri i Pëllumb Gjokës si bashkëpunëtor i Gjergj Lucës në trafikun e drogës me Malin e Zi.

Andoni u arrestua në vitin 2005 në një përpjekje të qartë të Fatos Nanos për të vendosur Gjergj Lucën nën kontrollin e tij të plotë. Pasi u arrit gjithçka, po rregullohej liria e tij. Bashkëpunëtor i ngushtë i këtij grupi është Pëllumb Gjoka, në Shkodër; Gjoka është ndërmjetës me malazezët bashkë me Besim Tulina e Adem Ahmeti’, thuhet në raport.

Fakte / Lidhja e Gjergj Lucës me trafikantin Agron Metvelaj

Në 5 dhjetor 2016, serbo-malazezi Valdan Bojiç me banim në Kroaci, përmes shtetasit Agron Metvelaj nga Lezha, themelon kompaninë ‘DANDO FISH SHENGJINI’, me nipt L68616501I, me objekt në fushën e zënies, ruajtjes, konservimit dhe tregtimit të peshkut.

Adresa e kompanisë rezulton përballë hyrjes së Portit Detar të Shëngjinit.

Tre javë më vonë, në 31 dhjetor 2016, Gjergj Luca, përmes kompanisë Rozafa, blen 51 % të aksioneve të kompanisë ‘DANDO FISH SHENGJINI’, për 19 milionë lekë të vjetra.

Në gusht 2017, Luca blen 100 % aksionet e ‘DANDO FISH SHENGJINI’, për rreth 39 milionë lekë të vjetra në total. Një muaj më vonë kompania ‘DANDO FISH SHENGJINI’, me pronar Gjergj Lucën dhe administrator Agron Metvelaj, pezullohet.

Agron Metvelaj është arrestuar në maj të vitit 2012, me qëllim ekstradimi në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtar ardhur nga Interpol Roma “për pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafik të lëndëve narkotike”.

Agron Metvelaj akuzohej edhe për pastrimin e parave të drogës në pasuri të paluajtshme.

Çfarë e lidh Gjergj Lucën me Agron Metvelajn dhe serbo-malazezin Vladan Bojiç?

Për çfarë është përdorur kompania ‘DANDO FISH SHENGJINI’?

Këtyre pyetjeve mund t’u përgjigjet vetëm SPAK-u.

Ndërkaq, në vitet 2015-2016, Gjergj Luca ka hapur edhe dy kompani të tjera, gjithnjë për zënie peshku, me shtetas të huaj, duke i pezulluar disa muaj më pas.

Ngrihen dyshime të forta se pse Gjergj Luca, duke u kamufluar gjithnjë nga njerëzit e afërt, ka hapur dhe blerë kompani, ka hedhur para dhe i ka mbyllur disa muaj më pas.

Lidhja me Pëllumb Gjokën dhe Nikulajn

Gjergj Luca ka qenë ortak me Pëllumb Gjokën në biznesin e kazinove.

Miku i Pëllumb Gjokës, Ardian Nikulaj, i vrarë në prill të këtij viti në biznesin e tij, ka qenë truproja i Gjergj Lucës.

Në vijim, kur Luca dhe Pëllumb Gjoka kishin mosmarrëveshje, Nikulaj u pozicionua në krah të Pëllumb Gjokës, sot në burg si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

Restorant Rozafa i Gjergj Lucës tek 9-katëshet mbi Ushtarin e Panjur kaloi në pronësi të Pëllumb Gjokës, i cili e ka kthyer në hotel me emerin ‘Loti’.

Nuk dihet se në çfarë forme Pëllumb Gjoka ia ka marrë biznesin Gjergj Lucës, nëse Gjoka e ka kërcënuar Lucën, çfarë i detyrohej Luca dhe pse u prishën në pazare.

Ndërkaq, nëse i referohemi raportit të Shoqatës Ndërkombëtare e Studimeve Strategjike me qendër në Uashington, Gjergj Luca dhe Pëllumb Gjoka kanë kontrolluar linjën e trafikut të kokainës me Malin e Zi, ndërsa boxhozin e kanë përdorur si kamuflim.

Kush është Roland Ziu?

Në tetor të vitit 2019, Pattia Demokratike akuzoi publikisht Roland Ziun se ishte një trafikant ndërkombëtar droge, cili përmes një kompanie kishte fituar pa garë tenderin për portin tursistik të jahteve pranë Kepit të Rodonit.

Kepin e Rodonit ia ka dhënë për 35 vjet Roland Ziut, i njohur nga mediat si trafikant ndërkombëtar droge. Prej vitesh ky trafikant është lidhur ngushtë me pushtetin e Edi Ramës”, deklaroi PD-ja.

Nuk dihet se ku e bazonte PD-ja akuzën e saj, por Roland Ziu konsiderohet në raportin e shoqatës amerikane si pjesë e linjave të kokainës së Gjergj Lucës.

Jo vetëm kaq. Por, në vitin 2020, Ministria e Bujqësisë, e drejtuar nga Bledi Çuçi, shpalli në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik, fitues të një tenderi në dukje fiktiv, me vlerë rreth 2.5 milionë euro, dy kompani, njëra prej të cilave ishte Praslin Investment.

Pronari i Praslin Investment është pikërisht Roland Ziu, i akuzuar nga Partia Demokratik si trafikant droge.

Në total, Ziu ka marrë rreth 5 milionë euro tendera nga Çuçi si dhe dhjetëra hektarë toka bujqësore falas.

Ish ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, është anëtar bordi i një shoqate “Albanian Sailing Club”, që merret me sportet ujore me skafe.

Shoqata është krijuar pikërisht nga Roland Ziu, ndërsa anëtar është edhe Sokol Topçiu, i fundit i arrestuar për kontrabandë ilaçesh dhe i lakuar për tendera korruptivë.

Në vitin 2007, Roland Ziu është vënë nën hetim nga Prokuroria e Kavajës, pasi është bllokuar një makinë, që pas kontrolleve rezultoi se ishte e vjedhur. Ziu e mbylli me lehtësi këtë dosje për trafikim të mjeteve motorike.

Treshja Luca-Gjoka-Ziu investuan paratë në biznese

Krerët e grupit të linjave të kokakinës sipas shoqatës amerikane, Gjergj Luca, Pëllumb Gjoka e Roland Ziu, me të ardhurat nga veprimtaria e dyshuar kriminale, kanë krijuar biznese peshkimi, kazino, restorante, shitje-makinash, aktivitete ndërtimi pallatesh e hoteleri në Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Shkodër.

Madje, Pëllumb Gjoka ishte shpallur nga qeveria investitor strategjik, edhe pse me ngarkesa të shumta kriminale dhe me dosje grabitje pronash në Velipojë.

(Me Vendim nr. 19/6, datë 15.7.2021 të firmosur nga kryeministri Edi Rama, trafikantit Pëllumb Gjoka, nëpërmjet kompanisë së tij të bixhozit “Imperial Group” në ortakëri me Gjergj Lucën, iu dha statusi investitor strategjik për resortin “Silver Sand” me sipërfaqe 13 hektarë pyll tokë shteti në Velipojë, por iu dha dhe leja për kazino në një nga bodrumet e restorant “Rozafa”).

Pra, që të tre kanë përfituar koncensione, prona dhe para publike.

Që të tre, përmes fuqisë së parave krijuan lidhje me qarqe politike dhe sidomos të pushtetit të Edi Ramës, ndërsa i kanë shpëtuar deri më sot zbatimit të ligjit anti-mafia.

Si u arrestuan 3 ortakë të Gjergj Lucës për trafik droge

Ky personazh në foto është Qemal Beu, kryetar i Organizatës së Menaxhim Peshkimit në Durrës, me nipt M01817501A, themeluar në 8 qershor 2020, sot një shoqëri në likuidim.

Organizata ka 10 ortakë me nga 10 % të aksioneve, disa nga të cilët trafikantë të famshëm droge.

Aksionetët janë: Kryetari Qemal Beu, biznesmeni i peshkut Gjergj Luca, Dorian Beu, Syrjan Tola, Klodjan Kapiti, Helidon Rruga, Nazmi Kokomani dhe Alban Bala.

Në 20 tetor 2023, policia italiane njoftoi se kishte mundur të arrestonte 3 trafikantë shqiptarë droge në Itali, të cilët ishin pjesë e një bande të trafikut të kokainës në Milano, grup që është goditur nga autoritetet italiane që në vitin 2017. Njoftohej se në Shqipëri treshes i janë sekustruar 3 milionë euro pasuri, përfshirë edhe një anije peshkimi.

Ata janë Emirjan Beu, Syrjan Tola dhe Dorian Beu.

Emirjan Beun, një emër i njohur i korrupsionit dhe trafiqeve, është i biri i Qemal Beut, kryetar i Organizatës së Menaxhim Peshkimit në Durrës.

(Dorian Beu)

Dorian Beu dhe Syrjan Tola janë anëtarë dhe aksionerë të Organizatës së Menaxhim Peshkimit në Durrës, që drejtohet nga babai i trafikantit Emirjan Beu, Qemal Beu, ku është anëtar dhe aksioner edhe Gjergj Luca, i skeduar në raporte sekrete policore si një trafikant i hershëm droge.

Luca është lakuar si trafikant droge në bashkëpunim me Pëllumb Gjokën, Roland Ziun, Jani Moravën, Dorian Beu, Artur Gjinin, Arjan Andonin dhe Agron Metvelajn.

Në dokumentet e dorëzuara në QKR, Gjergj Luca ka shënuar saktë vetëm emrin dhe datën e lindjes (30.08.1964), ndërsa ka gënjyer për vendin e lindjes dhe të banimit, për të fshehur gjurmët.

Madje edhe tek data e lindjes është futur një ‘zero’ si pa dashje.

Ndërkaq, lidhja e 3 trafikantëve Emirjan Beu, Syrjan Tola dhe Dorian Beu në biznes me Gjergj Lucën u fsheh nga mediat e ‘pavarura’, të cilat duket se jo rastësisht paguhen çdo muaj nga Luca.

Mediat nuk mund t’i raportojnë këto fakte, pasi pagesat ndërpriten dhe Luca i klasifikon si ‘mediat e tallavasë’. Sipas tij, media profesionale dhe të ndershme janë vetëm ato që fshehin të vërtetën dhe i bëjnë fresk atij. Në këtë kuadër Luca ka ndërmarrë edhe një nismë për të rregulluar mediat, në bashkëpunim me një ish zyrtar të korruptuar të PD, të cilit i jep 2.4 milionë lekë në muaj.