Polici hero, shpëton 4 të aksidentuarit në Qafën e Koshovicës. I nxjerr nga makina që rrezikonte shpërthimin

Kronike

Publikuar: 09/08/2025

Polici hero, shpëton 4 të aksidentuarit në Qafën e Koshovicës. I nxjerr nga makina që rrezikonte shpërthimin

Një akt trimërie dhe humanizmi u shënua pasditen e djeshme në vendin e quajtur “Qafa e  Koshovicës” në Fier, ku një aksident i rëndë mund të kishte përfunduar në tragjedi pa ndërhyrjen e shpejtë të një polici të qarkullimit.

26-vjeçari Klajdi Mustaj, prej 18 muajsh pjesë e Policisë së Fierit dhe vetëm 2 muaj në shërbimin e qarkullimit rrugor, ishte rastësisht pranë vendit të ngjarjes.

Një automjet kishte humbur kontrollin, ishte përmbysur dhe kishte mbetur i bllokuar në anë të rrugës, me katër persona të plagosur brenda. Situata u bë edhe më e rrezikshme kur nga mjeti filloi të dilte tym i dendur, duke rrezikuar shpërthim. Aksidenti ndodhi mbrëmjen e të premtes rreth orës 20:00.

Pa menduar dy herë, Klajdi u hodh në veprim. Ai nxitoi drejt automjetit, i ndihmoi të plagosurit të dilnin, dhe kur pa se koha ishte e pakët, mori në krahë një prej tyre dhe e largoi në një zonë të sigurt. Gjatë ndërhyrjes, edhe vetë pësoi lëndime në këmbë, por nuk u ndal deri sa të gjithë shpëtuan nga rreziku.

Ky gjest i guximshëm tregon fytyrën e vërtetë të një polici që nuk e sheh uniformën thjesht si punë, por si mision për të mbrojtur jetën e qytetarëve. Veprime të tilla janë shembull frymëzimi për shoqërinë dhe një arsye e fortë që institucioni ku ai shërben ta vlerësojë publikisht.