Dy hetime janë hapur për tunelin e Llogarasë, projekt me të cilin dyshohet se janë përvetësuar 50 milionë euro. Prokurori i SPAK-ut Dritan Prençi, në kuadër të dosjes së ish kreut të ARRSH Evis Berberi, ka shtrirë hetimet tek kompanitë e kontraktuara për mbikqyrjen e punimeve për tunelin e Llogarasë.
Kompania Net Group, e ortakut të Berberit, Valter Begaj, në të cilën Berberi ka qenë ortak më parë, fitoi me një ofertë rreth 2 milionë euro garën për mbikëqyrjen, si bashkim operatorësh me kompaninë tjetër Hill International NV, me seli në adresën De Cuserstraat 91,108 CN, Amsterdam, Holandë.
Në kuadër të këtij procedimi penal, Prokurori i Posaçëm Dritan Prençi urdhëroi disa ditë më parë sekuestrimin e dokumenteve në zyrat e shoqërisë Hill International N.V., që ndodhen në një nga kullat në Tiranë.
Ndërkaq, hetimi i dytë është hapur për tenderin e tunelit të Llogarasë, nën dyshimet për korrupsion, pastrim parash, manipulim të procedurave etj., pas një kallëzimi të Partisë Demokratike. Kallëzimi mori shkas nga një denoncim i ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, sipas të cilit tenderi për Rrok Gjokën u anulua pas takimeve në Ankara, duke ia dhënë një kompanie turke për 50 milionë euro më shumë. Kompania turke më pas kontraktoi kompaninë e Rrok Gjokës për të realizuar punime me vlerën që Gjoka kishte fituar tenderin fillimisht, pra 50 milionë euro më pak. Prokuror i dosjes së dytë është edhe kreu i SPAK-ut, Altin Dumani.
Hetimet janë intensive. Mësohet se janë sekustruar dokumente dhe janë pyetur me dhjetëra persona, përfshirë edhe anëtarët e vlerësimit të ofertave, disa nga të cilët besohet se janë rrëfyer në SPAK.
Të dy hetimet, përpos personave të mundshëm politikë, të çojnë tek një personazh kyç, i cili është oligarku Rrok Gjoka, përfituesi më i madh e parave publike pas Bashkim Ulajt. Rrok Gjoka është çelësi i zbërthimit të aferës së dyshuar. Rrok Gjoka ishte fituesi i tenderit, ku më pas pranoi anulimin e tenderit nga autoriteti kontraktor, për t’ia dhënë kompanisë turke me 50 milionë euro më shumë, e cila më pas kontraktoi sërish Gjokën për zbatimin e punimeve. Gjithçka duket se është e kordinuar. Rrok Gjoka vizatohet si maska e kësaj afere korruptive, ku llokmën e madhe besohet se e kanë marrë të tjerët.
Çfarë ndodh? Menjëherë pas sekuestrimit të dokumenteve të supervizimit, nis një sulm i kordinuar ndaj prokurorit të njërës çështje, Dritan Prençit, i cili linçohet se nuk po heton ‘siç duhet’ inceneratorin e Tiranës, çështjen më të hetuar dhe ndëshkuar në historinë e Shqipërisë, me rreth 70 të pandehur, me zyrtarë të dënuar deri në 3 herë.
Sulmi politiko-mediatik vjen nga Belind Këlliçi dhe kronikani i tij Elvi Fundo, që të dy të finacuar nga paratë e rrugëve. Ka prova që Belind Këlliçi raporton dhe merr direktiva nga oligarku Rrok Gjoka. Nga ana tjetër, kronikani i tij, përveç televizionit 1+1, ka blerë një vilë në Palasë me paratë që dyshohet se ka marrë nga përfituesit e tenderave dhe koncensioneve të rrugëve. Pikërisht për shkak të hetimeve për tunelin e Llogarasë, pas zgjedhjeve të 11 majit, në fokus të sulmeve pritet të jetë edhe kreu i SPAK-ut, Altin Dumani.