Vëllai dhe burri trafikantë droge / Habit deputetja e PD Elda Hoti: I detyroi Edi Rama

Krim & Korrupsion

Publikuar: 24/06/2026

Vëllai dhe burri trafikantë droge / Habit deputetja e PD Elda Hoti: I detyroi Edi Rama

Deputetja e PD-së, Elda Hoti, subjekt i ligjit anti-mafia, përmes një video të publikuar në rrjetet sociale akuzon kryeministrin Edi Rama për largimin e të rinjve nga Shqipëria, pasi gjatë qeverisjes së tij nuk kanë gjetur mundësi, drejtësi dhe shpresë për të ardhmen.

Mes shumë të rinjve nga vendi janë larguar edhe bashkëshorti i deputetes Elda Hoti, Ladi Ndoja dhe vëllai i saj Markelian Hoti. Në shkurt të këtij viti, mediat italiane raportuan se vëllai i deputetes së Partisë Demokratike Elda Hoti, Markelian Hoti, 27 vjeç, është arrestuar në Romë në zbatim të një urdhër-arresti europian të lëshuar nga autoritetet gjyqësore belge për trafik të lëndëve narkotike nga Amerika e Jugut drejt Europës.

Në vitin 2016, Ladi Ndoja, bashkëshorti i deputetes së PD, Elda Hoti, u arrestuar në flagrancë në Venecia të Italisë, pasi e kishte kthyer shtëpinë në bazë droge. Ladi Ndoja dhe Elda Hoti ligjërisht rezultojnë të ndarë, por në media është aluduar se ndarja e tyre ishte fiktive. Përmes videos, Elda Hoti duket se akuzon Edi Ramën se bashkëshorti dhe vëllai i saj janë përfshirë në trafik droge.

Ndërkaq, në vitin 2021, Llesh Nikolli iu drejtuar KQZ-së me ankesë, duke akuzuar deputeten Elda Hoti se ka fshehur ndryshimin e emrit të babai të saj nga David në Artan Hoti, për shkak të të shkuarës së tij kriminale. Elda Hoti i mohoi akuzat e tij, duke e quajtur atë komunist.

Në gusht të vitit 2021, Mark Marku dha dorëheqjen nga mandati i deputetit, të cilin ia besuan qytetarët e Qarkut të Lezhës në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Vetëm disa ditë para se të konstituohej Kuvendi ri, deputeti i PD-së hoqi dorë nga mandati për motive jo edhe aq bindëse. Vendin e tij e zuri pikërisht Elda Hoti. PD mori katër mandate në Lezhë. Elda Hoti renditej e pesta në listë me 2733 vota.

Zonja Hoti kishte qenë më parë kandidate e LSI-së. Mandej kaloi me Partinë Republikane të Fatmir Mediut, ku edhe mori madatin e Mark Markut, duke u zhvendosur përfundimisht tek PD-ja. Ka dyshime të forta dhe zëra që madati i zonjës Hoti është blerë me para produkt i aktivitetit kriminal.