Njësia Antiterror pranë Policisë së Shtetit ka nisur hetimet ndaj Dritan Goxhajt për veprat penale “Thirrjet publike për veprime të dhunshme” dhe “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve” parashikuar nga nenet 223 dhe 256 të Kodit Penal. Hetimet kanë nisur pas ripublikimit nga mediat të disa deklaratave radikale, luftarake dhe shqetësuese të Goxhajt, i cili ka folur për vrasjen e liderëve politikë, ndryshimin e pushtetit me dhunë, rotacion politik përmes plumbit, vrasje të tradhtarëve në kokën e tij etj.
Ditën e djeshme, Goxhaj, i shfaqur edhe si përfaqësues i protestës së flamingove, është marrë në pyetje nga specialistë të Njësisë Antiterror. Policia e Shtetit po heton edhe për veprën penale të komplotit, parashikuar në nenin 220 të Kodit Penal, ku nën monitorim po mbahen edhe disa bashkëpunëtorë të dyshuar të Goxhajt. Sipas burimeve, policia ka në dorë shumë prova, përfshirë përgjime ambientale, foto takime, dokumentim planesh etj. Ndërkaq, për Goxhaj është hapur edhe një procedim tjetër penal për bllokim rrugësh.

Nga ana tjetër në lëvizje mësohet se është vënë edhe Shërbimi Informativ Shtetëror, i cili po bashkëpunon me shërbimet partnere, për të gjithë elementët e dyshimtë të infiltruar në këtë protestë. Bazuar në një raport sekret të shërbimeve inteligjente, ditën e sotme, ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka nxjerr urdhrin për shpalljen “person i padëshiruar në Republikën e Shqipërisë”, për një periudhë 15-vjeçare, për shtetasen Ikballe Huduti (Berisha), e njohur për qëndrime radikale kundër Izraelit dhe SHBA-ve, si dhe për mbështetjen ndaj Iranit.

Ndërkaq, Dritan Goxhaj, i prezantuar si përfaqësues i protestës dhe që lexoi kërkesat ultimative, është edhe ideator i një manifesti sa qesharak aq edhe të rrezikshëm, për mënyrën e qeverisjes me short pasi Edi Rama të pranojë kërkesën ultimative për të dhënë dorëheqjen dhe t’i dorëzojë pushtetin grupit kordinator. Platforma e Goxhajt për mënyrën e qeverisjes me short është hedhur poshtë si e papranueshme edhe nga kreu i opozitës Sali Berisha, i cili ka deklaruar se zgjidhja duhet të vijë vetëm përmes Kuvendit dhe brenda korrnizave të Kushtetutës.
Manifesti po analizohet nga shërbimet informative, anti-terrori dhe përfaqësues të shërbimeve partnere si një tjetër provë për të ngitur akuza të rënda ndaj Goxhajt. Ashtu si Ikballe Huduti (Berisha), edhe Dritan Goxhaj ka demostruar publikisht urrejtje për Izraelin dhe simpati për Hamasin, shpallur organizatë terroriste nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Kanadaja dhe Japonia.